Romana Vlahutin është ambasadore BE në Tiranë, një grua simpatike, e kudondodhur në raste festash dhe që jeton në një rezidencë private në periferi të kryeqytetit, në një vend super të ruajtur ose më saktë mu përballë rezidencës së ambasadorit rus në Tiranë.
Rezidenca e Romana Vlahutin është vërtet e bukur, çmimi i blerjes është jashtëzakonisht i shtrenjtë, diku te 4700 euro metra/katror, ndërkohë që vilat e tjera rrotull sillen rreth 1000-1200 euro metri/katror. Është blerë katërfish me shtrenjtë, porse paratë e taksapaguesve europianë mbeten e jo të shqiptarëve!
Romana Vlahutin mbetet femër simpatike. Flokët e saj, gjithë dredha-dredha, të orkestruar me kaq shije, tundojnë në mënyrë serioze çdo politikan shqiptar, por jo vetëm. Si rregull ambasadorët e BE në Tiranë kanë shijuar jetën bukur dhe në mënyrë përmanente. Nuk besohet se edhe Romana të bëjë përjashtim.
I vetmi ambasador i huaj në Shqipëri, që historikisht ka punë, probleme, angazhim, pasion, interesim për Shqipërinë mbetet ambasadori amerikan. Edhe Donald Lu është në këtë vazhdë pune.
Pasionant, impulsiv, i jashtëzakonshëm në sjellje dhe stoik në parimet amerikane të lirisë dhe demokracisë. Ambasadorët amerikanë mund t’i kesh miq, porse miqësia me ta prishet në sekondë kur ti nuk zbaton ligjin dhe parimet e demokracisë. Të shenjtë ambasadorët amerikanë kanë LIGJIN. Ndërsa ambasadorët e BE vijnë në Shqipëri si në një vend ekzotik, sepse nuk kanë ndonjë përgjegjsi të madhe siç ka ambasadori amerikan.
Edhe Romana Vlahutin, e cila është femër e këndshme, nuk ka ndonjë shqetësim apo trazim të madh për punët e Shqipërisë. Nuk besohet fakti se e përndjek njeri atë, apo që të jetë objekt presioni apo shantazhi, nga kushdo. E kush nuk e do të bukurën!
E bukura pëlqehet, preket si trëndafil, por kurrë nuk kërcënohet. Ndaj edhe loja mediatike dhe politike e një pjese të mazhorancës së sotme në Shqipëri se gjoja Romana Vlahutin kërcënohet se po lufton krimin apo mafien, është një gjë e sajdisur kaq keq dhe e pabesueshme.
Të thuash për Ambasadorin Lu e beson njeriu, sepse është në ballë të luftës kundër mafies dhe pa rolin e tij do ishim shumë larg luftës së dekriminalizimit në politikë, ku është futur mafia. Por për Romanën tonë simpatike nuk besohet.
E kanë akuzuar për afera të ndryshme dhe lidhje me kryeministrin Edi Rama, por këto duhet ajo vetë t’i sqarojë. Natyrisht që blerja e një vile që kushton 4700 euro metri/katror nuk bind njeri se ka ndershmëri, pasi po hetojnë edhe vetë strukturat e posaçme në BE. Ka informacione të besueshme se hetimi po avancon dhe që në Tiranë do vijnë prokurorët specialë për të verifikuar.
Por është punë e tyre. Ne si shqiptarë na intereson që Romana Vlahutin ndjehet shumë mirë, siç thotë edhe për “Jutarnji List”, siç e citon edhe e përditshmja austriake “Der Standard”. Rojet që i ka shtuar kryeministri Edi Rama, ambasadores Romana Vlahutin duket se janë për shou, se gjoja po e kërcënojnë mafia.
Po ç’punë ka mafia me Romana Vlahutin?! Çfarë rreziku ndjen Romana nga oligarkët apo politikanët, ndërkohë që ajo ka blerë dhe jeton në rezidencën e oligarkut me të madh shqiptar apo ku përreth saj ka policë plot të ambasadës ruse, greke, etj? Bile në darkë në shëtitoren pranë saj bëjnë xhiro biznesmenët më të mëdhenj të vendit, të cilët ajo i njeh dhe duket se i ka miq.
E përditshmja austriake “Der Standard” ka njoftuar se madje Romana Vlahutinin e kërcënojnë me vdekje dhe se ajo ka marrë mbrojtje policore 24-orëshe. “Në Shqipëri unë ndihem shumë mirë. Titujt e gazetave se kinse më kërcënojnë me vdekje janë ekzagjerim. Megjithatë, duke pasur parasysh qëllimin e qartë të grupeve të caktuara të interesit që përpiqen të na trembin, është dashur të merren disa masa paraprake. Kolegu im ambasador amerikan i ka truprojat që nga fillimi i mandatit. Ne nga BE-ja dhe shtetet anëtare jemi shumë më të relaksuar, por në këtë moment megjithatë duhet të jemi pak më të kujdesshëm”, thotë Vlahutin.
Vlahutin thekson se “vetting-u – verifikimi – natyrisht është një kërcënim i madh për grupet e interesit, të cilat kanë kontrolluar pjesë të mëdha të gjyqësorit, aksionet janë të mëdha, prandaj për këtë arsye edhe rezistenca e tyre është e ashpër. «Flasim për gjyqësorin, në të cilin, për shembull, kryeprokuror i shtetit është ende personi, të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia morën vizën për të hyrë atje, si dhe rrethi më i afërt i bashkëpunëtorëve të tij”, shpjegon ajo.
Dhe me poshtë Romana shton se: “Kjo është vetëm njëra prej aferave të trilluara, apo, siç thuhet sot, fake news – lajme të rreme, të cilave u jemi ekspozuar në Tiranë, sidomos kolegu im amerikan dhe unë. Disa politikanë shqiptarë janë duke bërë gjithçka që diplomatët dhe komunitetin ndërkombëtar t’i përfshijnë në konfliktet e tyre të brendshme dhe t’i përdorin si alibi për gabimet e tyre. Nganjëherë kam përshtypjen se kjo është njëra nga pasojat e diktaturës së tmerrshme të Enver Hoxhës kur njerëzve ua shpëlanë trurin sesi të gjithë të huajt janë armiq dhe se të gjithë kanë qëllime të fshehta. Megjithatë, për ndryshim nga grupi relativisht i vogël i njerëzve, por shumë agresivë, të cilët janë të lidhur me grupet e interesave politike dhe kriminale, populli i Shqipërisë është jashtëzakonisht mikpritës, i hapur posaçërisht për mysafirët dhe të huajt», pohon Vlahutin dhe përmend fyerjet e shumta, madje edhe atë që «nuk kreh flokët». Dhe në fund Romana e mbyll me «Ambasadori amerikan dhe unë deri më tani kemi qenë të akuzuar për çdo gjë, që nga shërbimi Soros dhe krimi i organizuar, e deri te korrupsioni dhe paragjykimi. Thuhet se unë jam vendosur nga dikush në këtë post, se nuk kreh flokët, se burri im është duke punuar në një projekt hekurudhor me Malin e Zi… gjëra tepër të çuditshme, të cilat shumë shpejt kam ditur t’i injoroj”, tha ajo.
Askush nuk akuzon Xhorxh Soros për Romana Vlahutin. Soros mbetet një miliarder amerikan që ka interesat e tij dhe zbaton ligjet e shtetit të tij, ndaj fshehja pas Sorosit e ambasadores se BE, Vlahutin, duket se është me shumë për të mbuluar ndonjë mëkat që Romana mund te ketë bërë në Tiranë për llogari te saj.
Gjithsesi Romana është femër simpatike dhe duhet ruajtur nga ngacmimet.
Marrë nga spjv.it. Titulli i redaksisë