Komisioni për sëmundje ngjitëse nesër do të mbajë mbledhje në të cilën do të shqyrtohet gjendja aktuale epidemiologjike me koronavirus.
Sipas të dhënave të ditës së sotme nga Instituti i Shëndetit Publik, janë kryer 1.890 testime, ndërsa janë regjistruar 844 raste të reja me KOVID-19, nga të cilat 188 janë riinfeksion. Në periudhën prej 5 deri më 30 korrik janë raportuar tre të vdekur nga Shkupi dhe janë shëruar 815 pacientë.
Numri më i madh i rasteve aktive aktualisht është në kryeqytet – 1.749, ndërsa Pehçeva dhe Dojrani kanë nga një rast aktiv.
Disa nga vendet e rajonit tashmë kanë filluar marrjen e masave për të mbrojtur kundër Kovid-19. Në Mal të Zi, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, është vendosur mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse, ndërsa autoritetet shëndetësore apelojnë që qytetarët që të vaksinohen kundër Kovid-19.
Autoritetet shëndetësore në Greqi, nga ana tjetër, thonë se qëllimi i tyre nuk është që të ketë masa të detyrueshme dhe se gjithçka do të varet nga situata në vjeshtë, por ata duan që Kovid-19, edhe pse mbetet pandemi, ta trajtojnë si një sëmundje endemike, “ku nuk do të ketë nevojë për masa të rrepta apo të detyrueshme”.