Copëza qeramike mbushin fushat e një qyteti antik në Shqipërinë juglindore, ku plaçkitësit kanë mësyrë malësinë e zonës në kërkim të relikteve nga antikiteti për t’ua shitur trafikantëve ndërkombëtarë.
Gjahtarë thesaresh të paligjshëm operojnë pothuajse pa u ndëshkuar në vend, duke shkaktuar zemërim mes arkeologëve për vjedhjen e trashëgimisë së paçmuar kombëtare që ushqen tregun e zi global.
Qeveria thotë se po punon për masat që duhen marrë për mbrojtjen dhe rezervimin e zonave ku gjuajnë plaçkitësit, por deri tani pa rezultat, ndonëse lëvizja e artefakteve arkeologjike përbën vepër penale, si në shumicën e vendeve.
Tani i mbuluar nga bimësia e harlisur, rajoni pranë Korçës së stome dikur ka qenë vendi i qytetit Hija e Korbit.
Shtrirë përballë një kodre, zona është batërdisur vitet e fundit nga plaçkitësit me lopata e ekskavatorë në kërkim të metaleve të rralla dhe artefakteve.
“Vijnë nga të gjitha rajonet këtu”, thotë Axhem Lageshtari, një vendas 60-vjeçar.
“Gërmojnë kudo. Kërkojnë me shpresë se do të gjejnë ar, argjend e sende të tjera me vlerë”.
Zona fitoi famë në vite ’80 kur u zbuluan mbi 600 monedha argjendi, përfshirë disa të vjetra që nga koha e Aleksandrit të Madh.
Ekspertët thonë për AFP se gërmuesit e paligjshëm janë parë pothuajse në çdo zonë arkeologjike të rajonit, i cili është strehë e fortesave, nekropoleve antikë dhe rrënojave të tjera që datojnë nga Epoka e Bronzit në Mesjetën e hershme.
“Problemi është veçanërisht shqetësues në Hijen e Korbit, një qytet i rëndësishëm arkeologjik që ende nuk është eksploruar nga arkeologët”, ankohet Rovena Kurti, shefe e departamentit të prehistorisë në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. “Dëmtojnë zonën dhe shkatërrojnë trashëgiminë”.
Gërmuesit shpesh shkatërrojnë të dhëna shkencore dhe lëvizin objektet nga konteksti i tyre mjedisor, i cili u nevojitet ekspertëve për të kuptuar historinë e zonës, shpjegon Cecile Oberweiler, ish-drejtore e misionit franko-shqiptar në Korçë.
Në verilindje të Tiranës, rrënojat e një kishe nga shekulli 11-12 është shpërfytyruar nga vrimat e bëra nga plaçkitësit.
Kisha e Virgjëreshës Mari supozohej të ishte e mbrojtur si një monument i njohur kulturor, por kjo nuk i ndaloi vjedhësit të plaçkitnin zonën.
“Mund t’i vëmë çfarë emri të duam, por e vërteta është që bëhet fjalë për një rrënojë ku plaçkitësit bëjnë kërdinë”, thotë arkeologut Skënder Muçaj.
Plaçkitja e zonës ka qenë veçanërisht e dhimbshme për banoren Nora Braja.
“Vij çdo të martën për t’iu lutur Virgjëreshës Mari. Ajo m’i shpëtoi jetën djalit, por isha e pafuqishme ta mbroja këtë strehë”, thotë Nora, 80 vjeç, përmes lotëve, me shpresën se keqbërësit “do t’i zërë mallkimi”.
Ekspertët thonë se nuk bëhet sa duhet ligjërisht për të ndaluar vjedhjen.
Ministria e Kulturës tha për AFP se po bëhen përpjekje për të luftuar trafikun e paligjshëm të pronës kulturore, përfshirë një plan veprimi kombëtar të prezantuar më 2018 bashkë me iniciativa për përmirësimin e koordinimit me organizatat ndërkombëtare.
“Një sy qorr”
Nuk ka një vlerësim zyrtar për vlerën e tregut të objekteve të marrë nga Shqipëria.
Por studiuesit janë të sigurt se disa nga artefaktet kanë rënë në duart e trafikuesve ndërkombëtarë dhe u janë shitur në ankande muzeve dhe koleksionuesve të huaj.
“Është një luftë që Shqipëria nuk mund ta bëjë e vetme, përgjegjësia bie edhe mbi autoritetet e vendeve të tjera që bëjnë një sy qorr kur këto objekte shfaqen në muzetë e tyre”, thotë Neritan Ceka, arkeolog dhe historian arti.
Procesi i kohëve të fundit kundër Jean-Luc Martinez – ish-kreu i Louvre në Paris, i cili u akuzua për konspiracion në fshehjen e origjinës së thesareve arkeologjike – tregon se sa larg ka shkuar tregtia e paligjshme e antikave.
Arkeologu francez Pascal Darcque thotë se problemi është shumë i përhapur dhe shpesh muzetë nuk e marrin seriozisht procesin e verifikimit të objekteve në shitje dhe të origjinës së tyre.
“Shitja e tyre duhet të bllokohet dhe, nëse u vërtetohet origjina gjeografike, objektet duhet të rikthehen”, thotë Darcque.
/AFP/