Nga Dritan Shano
Propozimi i ri francez po bën të duket se perspektiva e proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka marrë një frymëmarrje të re duke zhbllokuar situatën pa rrugëdalje të krijuar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por a është e vërtetë se kjo situatë do zhbllokohet? Pas sakrificës së çuar dëm të ndërrimit të emrit, Maqedonisë së Veriut i kërkohet tani që të njohë pakicën etnike bullgare në kushtetutë – një pakicë që shtohet si ortek me pasaportat bullgare që u jepen maqedonasve lirshëm nga qeveritë bullgare. Pas kësaj, lumturia?!
Natyrisht kjo nuk ndryshon ndonjë gjë për vendet e tjera të Ballkanit dhe kur sheh origjinën e propozimit nuk ka sesi të mos lindin dyshime të arsyeshme. Presidenti francez Macron në 23 qershor 2022 e ka bërë të qartë se: “Duhet të jemi të ndershëm, s’ka pse rrojmë të gjithë bashkë në të njëjtën shtëpi, por mund të rrojmë në të njëjtën rrugë”. Pra, autori i propozimit nuk na do nëpër këmbë, në shtëpinë e “tij”. Ergo, ky entuziazmi është naiv më së paku. Se ne në të njëjtën rrugë jemi, dhe gjeografikisht, edhe institucionalisht që nga OKB e deri në NATO.
Nuk ka njeri që nuk mendon se procesi i anëtarësimit në BE jo vetëm e ka humbur fuqinë e tij transformuese në dekadën e fundit, por ka shkaktuar lodhje dhe mosbesim te qytetarët. Kjo verifikohet nga vetë Komisioni Europian, i cili as nuk skuqet dhe as nuk zverdhet për këtë gjë – edhe kur Rusia i ka hyrë Ukrainës lart e poshtë e poshtë e lart. Kjo është kohë kur vendimet merren me zemër, me madhështi, duke marrë risk mbi vete, jo me burokraci sterile, që nuk ka “skin in the game”. Pavetëdija gjeopolitike që BE po tregon në këtë moment nuk dihet se çfarë kostosh politike, ekonomike dhe të sigurisë do ketë në të ardhmen. Vuçiç është shprehur se: “Kam shumë frikë se nuk do jemi në gjendje të ruajmë stabilitetin dhe qetësinë (në Ballkan) në 10 apo 20 vjetët që vijnë”.
Propozimi i ri francez, i lënë në pragun e derë së Maqedonisë së Veriut është pritur me entuziazëm. Ky entuziazëm mund të jetë i sinqertë, mund të jetë i porositur. Procesi i integrimit ka nevojë për të dyja. Por, ky propozim, edhe po te harrojmë origjinën e tij, është pa data konkrete, pa përfitime konkrete, të matshme dhe të verifikueshme, dhe mbetet njësoj i kushtëzuar nga marrëdhënia e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Pra, sot, praktikisht nuk ka ndonjë rëndësi nëse një vend i Ballkanit Perëndimor është jashtë procesit, është vend kandidat apo po negocion hyrjen në BE me Komisionin Europian. Situata për të gjithë është njësoj.
Jo vetëm Maqedonia e Veriut, por të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë ngecur. Selaniku, Berlini etj., nuk kanë funksionuar. Brukseli bën farsën e vet, qeveritë e Ballkanit bëjnë lojën e tyre. Proceset, pavarësisht se në ç’fazë ndodhen, dukshëm nuk tregojnë ndonjë lidhje me nivelin e gatishmërisë për t’u anëtarësuar të secilit prej vendeve.
Në fakt, ato që po mbeten jashtë janë qeveritë e Ballkanit Perëndimor, sepse qytetarët e këtyre vendeve, pandalshëm dhe masivisht po emigrojnë legalisht dhe ilegalisht në Bashkimin Europian – më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare tashmë jeton jashtë kufijve të Shqipërisë, mbi 1 milion shqiptarë jetojnë dhe punojnë në BE, dhe e kanë marrë vetë, personalisht, në dorë arritjen e përfitimeve që do duhet të sillte integrimi i vendit të tyre në BE përmes marrëdhënies institucionale Komision Europian – Qeveri e Republikës së Shqipërisë. Besoj se situata është ngjashme edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Por qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të lumtura për këtë, ato nuk i duan rregullat dhe standardet e BE-se – elementët fondamentalë, si sundimi i ligjit, ekonomi funksionale, respektimi i të drejtave të njeriut; jeta e elitave politike dhe oligarkike do ishte më e komplikuar kësisoj. Hezitimi, vetëpëlqimi i vendeve anëtare në këtë proces po dënon qytetarët në favor të elitave politike me të cilat ato dialogojnë dhe dalin fotografi.
Për ta mbyllur këtë ndjeshmëri të sotme, propozimi i ri francez nuk e ndryshon këtë gjë; ky propozim nuk ka asnjë garanci që Bullgaria nuk do vendosë veton përsëri nëse Maqedonia e Veriut nuk miraton ligjet ashtu si i pëlqen Bullgarisë.
Për të perifrazuar një promovues të anëtarësimit të vendeve tona në BE, një mik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimit, z. Gerald Knaus i ESI-t: “Procesi i tyre i anëtarësimit i ngjan një autobusi pa rrota, me Maqedoninë e Veriut që diskuton kushtet për të lëvizur te ca karrige më përpara, po brenda këtij autobusi që nuk lëviz për askund”.