Treguesi i vdekshmërisë amtare pësoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2021 raportoi INSTAT.
Gjatë vitit të kaluar humbën jetën 7.35 nëna për 100,000 lindje të gjalla, ndërkohë në vitin 2020 kishin humbur betejën me jetën 3,6 nëna për 100 mijë lindje.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit publik sqaruan se normat e larta të vdekshmërisë amtare në vitin 2021 kanë si shkak pandeminë Covid-19. Varianti Omikron ka shkaktuar patologji të rënda të shtatzënat në raport me variantet mëparshme të Covid-19.
Parandalimi i vdekshmërisë amtare është një nga objektivat më të rëndësishëm të sektorit të shëndetësisë për zhvillimin e qëndrueshëm global një nisme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Vdekshmëria amtare llogaritet si raport i numrit të nënave që vdesin gjatë shtatzënisë, procesit të lindjes deri 42 ditë pas saj nga çdo shkak që lidhet apo rëndohet nga shtatzënia apo lindja, përmbi numrin total te lindjeve te gjalla në një periudhe të caktuar kohore.
Niveli i vdekshmërisë amtare ishte i lartë deri në dy dekadat e para të tranzicionit. Deri në vitin 2008 humbnin betejën me jetën gati 20 nëna për 100 mijë lindje. Treguesi shënoi rënie pas vitit 2008. Në vitin 2011, niveli i vdekshmërisë amtare ishte 5.8 për 100 000 lindje të gjalla, një nivel i krahasueshëm edhe me vendet e tjera në zhvillim. Treguesi u stabilizuar disi, por kulmi arriti në vitin 2019 ku humbën jetën 9.7 nëna për 100 mijë lindje te gjalla. Në vitin 2019 pati një rritje të pazakonte edhe të vdekshmërisë foshnjore.
Vdekshmëria amtare është një tregues i rëndësishëm i cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe aksesit ndaj këtyre shërbimeve. Studimet vendase tregojnë se arsyet kryesore te vdekjes së nënave janë hemorragjia, infeksionet (kryesisht pas lindjes).
Gati 10 për qind e vdekshmërisë amtare krijohet nga eklampsia që është një sëmundje që shfaqet vetëm në shtatzëni. Ajo mund të prekë bebin, nënën ose të dy bashkë në më të shumtën e rasteve. Mund të shfaqet në çdo moment pas javës së 20-të të shtatzënisë. Tek nëna ajo mund të shkaktojë çrregullime me tensionin arterial (hipertension) dhe humbje të proteinave me urinën (proteinuria, albuminuria).
Fillimisht këto çrregullime mund të jenë të heshtura, minore por më vonë mund të bëhen serioze. Bebi në barkun e nënës mund të rritet më ngadalë në peshë (ose mund të vuajë nga pakësimi i sasisë së oksigjenit që sjell placenta.
Për një pjesë të madhe të vdekshmërisë amtare bëhen shkak gripi dhe në rastin konkret Covid-19.
Studimet rutinë tregojnë se, vdekshmëria amtare rritet me rritjen e indeksit të masës trupore të grave, pas rreth 32.8% e grave që vdesin ishin mbipeshë. Faktorë të tjerë të rrezikut të theksuar janë mosha e nënës mbi 35 vjeç, një nivel i ulët arsimor etj.
Përveç vdekshmërisë amtare Shqipëria ka një nivel të lartë të vdekshmërisë foshnjore në raport me rajonin, si një tregues i dobësisë së sistemit shëndetësor në vend.
/Monitor.al/