Gjykata e Posaçme ka shpallur dënimin për gjashtë zyrtarë të bashkisë Divjakë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, me vlerë 1 mln euro.
Konkretisht bëhet fjalë për Dorjan Spahon, Sara Xhepën (Doko), Roklejd Malkon, Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin.
Për Spahon, Xhepën dhe Malkon, gjykata vendosi fillimisht dënimin me nga 1 vit burg që me gjykim të shkurtuar zbret në 8 muaj. Më pas ky dënim është konvertuar në 120 orë shërbim prove për secilin që duhet të kryhet brenda 6 muajve.
I njëjtë ka qenë dënimi me burg edhe për Veliun, Nishicën e Leçinin, por janë lënë në liri me kusht për 16 muaj dhe heqje të së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vjet.
Ndaj zyrtarëve të mësipërm është ngritur akuza për veprën penale “shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Kjo akuzë lidhet me dyshimet se zyrtarët kanë manipuluar procedurat e prokurimit publik duke favorizuar subjekte të caktuara, duke cënuar konkurrencën e ndershme dhe transparencën e procesit.
Sipas dosjes së SPAK, hetimi ka zbuluar parregullsi në tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një vlerë totale prej rreth 1 milion eurosh.














