Një aksident tragjik rrugor ka goditur Ugandën, ku 20 nxënës dhe një i rritur kanë humbur jetën pasi autobusi me të cilin udhëtonin u përmbys gjatë kthimit nga një ekskursion shkollor.
Ngjarja ndodhi në zonën e Kapchorwa, pranë fshatit Chekwatit, në lindje të vendit. Autobusi i përkiste Shkollës King David dhe po kthehej drejt kryeqytetit Kampala, pasi nxënësit kishin vizituar ujëvarat turistike Sipi Falls.
Sipas policisë ugandeze, hetimet paraprake tregojnë se shoferi humbi kontrollin e mjetit, i cili doli nga rruga dhe u përmbys pasi u përplas me një shkëmb të madh.
Përveç 21 viktimave, dhjetëra persona mbetën të plagosur. Ministri i Pushtetit Lokal, Balaam Barugahara Ateenyi, bëri të ditur se mbi 28 fëmijë po marrin trajtim në spital, ndërsa nëntë prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Banorët e zonës ishin të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes, duke ndihmuar në nxjerrjen e të plagosurve dhe viktimave nga autobusi i dëmtuar, përpara mbërritjes së ekipeve të emergjencës.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e nxënësve që humbën jetën. Ndërkohë, i vetmi viktimë i rritur dyshohet se është themeluesi dhe drejtori i shkollës.
Pas kësaj tragjedie, qeveria e Ugandës ka vendosur pezullimin e të gjitha ekskursioneve dhe udhëtimeve shkollore deri në një njoftim të dytë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit vijojnë.














