Hetimet ndaj atentatit me eksploziv ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ “Report” kanë marrë një tjetër kthesë. Në fillim, hetuesit dyshonin për lidhje të mafias Camorra apo të shqiptarëve, por tani ngjarja dyshohet të jetë porositur nga isah gazetari Valter Lavitola.
Corriere della sera ka zbardhur dëshminë e Ranuccit, i cili ka deklaruar se është i shokuar nga zhvillimet për shkak se është mik me Lavitolën.
“Jam i tronditur. Me Lavitolën jemi miq. Nuk mund ta besoj”, tha ai.
Sipas pistës hetimore më të besueshme, raporton Corriere, porositësi i dyshuar është Valter Lavitola, ish-gazetar dhe ish-botues, i dënuar në vitin 2014 për zhvatje ndaj Silvio Berlusconit, ndërsa sot drejton një restorant peshku në Romë. Dyshohet se ai ka urdhëruar kamarierin e tij të vepronte si ndërmjetës me autorët e atentatit dhe pas kryerjes së sulmit, e ka dërguar në Kamerun.
Nën hetim për këtë ngjarje janë vënë Valter Lavitola, Pellegrino D’Avino, Antonio Passariello, Saverio Mutone, Luca Amato, Marika De Filippis dhe Clesio Tavares Gomes, kamerieri i restorantit. Prokuroria i akuzon ata, sipas roleve përkatëse, për veprat penale të bashkëpunimit në tentativë masakre, mbajtjes, transportimit dhe përdorimit të paligjshëm të lëndëve shpërthyese, dëmtimit të rëndë dhe kërcënimit të rënduar, të gjitha të kryera me metoda mafioze. Sipas akuzës, Lavitola ka pasur rolin e porositësit të atentatit, ndërsa Gomes ka shërbyer si ndërmjetës mes tij dhe autorëve të dyshuar të sulmit.
Autoritetet kanë ushtruar kontrolle në banesën e tij. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, një prej automjeteve të kontrolluara gjatë hetimeve ishte edhe makina e Lavitolës, e cila dyshohet se lidhet me vëzhgimin e zonës pranë banesës së gazetarit para atentatit. Së bashku me të po hetohet edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka ndërmjetësuar kontaktet me autorët. Sipas hetuesve, ky person ishte ngarkuar pikërisht nga ish gazetari Lavitola.
Motive personale apo profesionale?
Përpara prokurorëve, Lavitola do të duhet të shpjegojë marrëdhëniet e tij me Antonio Passariello, Saverio Mutone, Pellegrino D’Avino dhe Marika De Filippis, katër personat e arrestuar javën e kaluar si autorë të dyshuar të shpërthimit.
Ranucci e njeh mirë Lavitolën dhe është shumë e mundshme që emri i tij të jetë trajtuar në emisionin investigativ Report, që transmetohet nga televizioni publik italian. Për më tepër, gazetari ishte në dijeni të aktivitetit të Lavitolës dhe herë pas here e vizitonte në restorantin e tij. Pikërisht për këtë arsye, pyetja kryesore që shtrojnë hetuesit është: çfarë e shtyu Lavitolën të kontaktonte autorët e dyshuar dhe t’i bindte ata të vendosnin eksploziv pranë banesës së gazetarit? Motivi ishte personal apo lidhej me aktivitetin profesional të Ranuccit?
Ndërkohë, hetimi i Prokurorisë së Romës, nën drejtimin e Francesco Lo Voi, ka rindërtuar rolet dhe veprimet e katër të arrestuarve. Sipas gjyqtares së hetimeve paraprake, Antonio Passariello kishte siguruar automjetin, ndërsa të tjerët kishin kryer një vëzhgim një javë para atentatit dhe kishin vendosur “mjetin shpërthyes përpara banesës së Ranuccit”. Katër të arrestuarit akuzohen gjithashtu për përdorimin e metodës mafioze.














