Një nga vilat e tenorit italian Andrea Bocelli në Forte dei Marmi, një prej zonave më luksoze të bregdetit italian, është grabitur, ndërsa dëmi i shkaktuar llogaritet në rreth 500 mijë euro.
Sipas mediave italiane, autorët kanë marrë bizhuteri, ora luksi, çanta të markave të njohura dhe para në dorë. Në momentin e grabitjes, vila nuk ishte e banuar nga familja Bocelli, por ishte dhënë me qira një familjeje amerikane që ndodhej me pushime.
Dyshohet se grabitja ka ndodhur mes orës 21:00 dhe mesnatës, ndërsa hajdutët kanë përfituar nga mungesa e banorëve. Sipas raportimeve, sistemi i alarmit nuk ishte aktivizuar, ndërsa karabinierët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët.
Nuk është hera e parë që pronat e Andrea Bocellit bien pre e grabitësve. Një tentativë e ngjashme u regjistrua në vitin 2018, ndërsa në vitin 2022 një tjetër vilë e tij u vu sërish në shënjestër të hajdutëve.
Ngjarja vjen në një periudhë kur zona e Versilias po përballet me një rritje të vjedhjeve të sendeve luksoze.












