Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër skandal ku është e përfshirë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka deklaruar se AKSHI ka lidhur kontrata publike me subjekte që kanë pasur pronarë të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Vangjeli iu referua konkretisht shoqërisë “Ovla Systems” sh.p.k., e cila më 29 dhjetor 2022 ka lidhur një kontratë me AKSHI-n me objekt “Ngritja e Regjistrave Profesionalë Mjekësorë (infermieri, mjeku, stomatologu, farmacisti) për Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim”, me vlerë rreth 2.1 milionë euro fonde publike.
Në një procedurë të mëvonshme për mirëmbajtjen e këtyre regjistrave, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka ndryshuar fituesin, duke përfshirë fillimisht edhe një bashkim operatorësh ku ishte pjesë “Ovla Systems”.
PD denoncon se një nga ish-pronarët e kësaj shoqërie ka qenë Fabjon Hysa i cili është person i sanksionuar nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit Amerikan të Thesarit (OFAC) dhe Rrjeti për Zbatimin e Ligjit ndaj Krimeve Financiare (FinCEN), në bashkëpunim me autoritetet meksikane.
Sipas PD, ky person ka shitur aksionet e tij me një shumë prej 60 centësh, ose rreth 50 lekësh, çka ngre dyshime serioze se pronësia reale mund të vijojë të fshihet në prapaskenë.
Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të zgjerojë hetimet ndaj AKSHI-t dhe përgjegjësive politike të Edi Ramës, duke hetuar deri në fund çdo lidhje të mundshme me kartelin famëkeq të drogës ‘Sinaloa’, si dhe përdorimin e fondeve publike për interesa kriminale dhe korruptive.
Dokumentat:
Denoncimi i plotë i PD:
AKSHI, institucioni nën varësinë direkte të Edi Ramës, vijon të thellohet në skandale të rënda korruptive dhe kriminale, ndërsa ndaj tij tashmë ekziston një dosje e hapur në SPAK për një sërë veprash të rënda penale.
Hetimet përfshijnë akuzat për ‘Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës’, ‘Heqje të paligjshme të lirisë’, ‘Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ‘Korrupsion pasiv të funksionarëve publikë’, ‘Grup të strukturuar kriminal’, ‘Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’, si dhe ‘Pastrimin e produkteve të veprës penale’.
Një tjetër problematikë e rëndë lidhet me kontratat publike të AKSHI-t me subjekte që kanë pasur pronarë të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Shoqëria ‘Ovla Systems’ sh.p.k. është operatori ekonomik që më 29 dhjetor 2022 ka lidhur me AKSHI-n kontratën nr. 45 me objekt: ‘Ngritja e Regjistrave Profesionalë Mjekësorë (infermieri, mjeku, stomatologu, farmacisti) për Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim’, kontratë për të cilën janë paguar rreth 2.1 milionë euro nga fondet publike.
Një vendim i KPP ndryshoi fituesin e procedurës së fundit (2026) për mirëmbajtjen e këtyre rregjistrave, i cili fillimisht u shpall bashkimi i operatorëve në përbërje të të cilit ishte ‘Ovla Systems’ sh.p.k.
Një nga pronarët e kësaj shoqërie ka qenë Fabjon Hysa, person i sanksionuar nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit Amerikan të Thesarit (OFAC) dhe nga Rrjeti për Zbatimin e Ligjit ndaj Krimeve Financiare (FinCEN), në bashkëpunim me Qeverinë e Meksikës.
Sipas të dhënave, ky person ka shitur aksionet e tij tek pronari aktual për vlerën qesharake prej 60 centësh, ose rreth 50 lekësh, çka ngre dyshime serioze se pronësia reale mund të vijojë të fshihet në prapaskenë.
Këto fakte rëndojnë më tej dyshimet për lidhjet e aferave të AKSHI-t me individë dhe struktura të përfshira në aktivitet kriminal ndërkombëtar.
Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të zgjerojë hetimet ndaj AKSHI-t dhe përgjegjësive politike të Edi Ramës, duke hetuar deri në fund çdo lidhje të mundshme me kartelin famëkeq të drogës ‘Sinaloa’, si dhe përdorimin e fondeve publike për interesa kriminale dhe korruptive.
Transparenca, zbardhja e plotë e aferave dhe vendosja para drejtësisë e çdo zyrtari të përfshirë përfshirë vetë Edi Ramën janë detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë dhe interesit publik.




















