Instituti për Zhvillimin e Habitatit CoPlan, një organizatë që merret me adresimin e çështjeve mjedisore, prezantoi të enjten paradite gjetjet e Monitorimit Alternativ të Ajrit, Ujit dhe Nivelit të Zhurmave për vitin 2025.
Monitorimi, i kryer në kuadër të projektit GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile” paraqet të dhëna mbi cilësinë e ajrit, ujit dhe nivelin e zhurmave në pesë bashki kryesore të vendit.
Nëpërmjet ngritjes së 300 pikave të monitorimit në Tiranë dhe 100 pikave në Durrës, Korçë, Elbasan, Fier dhe Shkodër, raporti mat nivelet e ndotjes përmes parametrave si dioksidi i azotit (NO₂), dioksidi i karbonit (CO₂), grimcat e imëta të pluhurit nga emetimet e automjeteve (PM2.5), grimcat e mëdha të pluhurit (PM10), ndotja akustike dhe ndotja e ujërave sipërfaqësore.
Kejt Dhrami, eksperte e qeverisjes territoriale pranë CoPlan, tha se kryeqyteti rezulton të kryesojë për tejkalimin e normave të ndotjes nga dioksidi i azotit.
“Niveli i lartë i ndotjes lidhet me trafikun intensiv, përdorimin më të lartë të sistemeve të ngrohjes dhe ventilimin e ulët gjatë dimrit,” tha Dhrami gjatë prezantimit të raportit.
Ajo shtoi se edhe niveli i dioksidit të karbonit në Tiranë është mbi standardet e lejuara në të gjithë territorin e qytetit, duke e kthyer atë në një sistem urban të mbingarkuar nga ndotja.
Sipas monitorimit, qytete të tjera me nivele të larta të dioksidit të karbonit dhe dioksidit të azotit janë Elbasani dhe Shkodra.
“Në Elbasan dioksidi i azotit është në përqendrime ekstremisht të larta, ndërsa prezencë e ajrit toksik mbi standard vërehet edhe në Shkodër,” tha Dhrami.
Ekspertët theksuan se këto nivele të larta ndotjeje vërehen kryesisht pranë zonave urbane me trafik të dendur ose në afërsi të zonave industriale.
Ndërkohë, sipas gjetjeve të raportit, qyteti i Durrësit kryeson për ndotjen nga grimcat e pluhurit, me nivele shumë më të larta (10–35 mg/m³) se standardi i lejuar prej 10 mg/m³.
“Përmirësimi i eficencës energjetike të ndërtesave, modernizimi i transportit publik dhe zbatimi i zgjidhjeve të bazuara në natyrë mund të ndihmojnë në uljen e ndotjes së ajrit,” tha Dhrami.
Greta Shehu, eksperte mjedisi pranë CoPlan, tha se ndotja akustike gjatë ditës dhe natës rezulton e lartë në qytetet e monitoruara.
“Sipas gjetjeve të raportit, Tirana dhe Durrësi kanë nivelet më të larta të ndotjes akustike,” tha Shehu.
Raporti tregon se 60% e pikave të matjes së zhurmës në Tiranë e tejkalojnë nivelin mesatar prej 55 dB, ndërsa në Durrës ky nivel tejkalohet në 87% të pikave të monitorimit.
“Ndotja akustike, veçanërisht gjatë natës, ndikon në shëndetin mendor të qytetarëve, duke shkaktuar stres, ankth dhe pagjumësi,” shtoi ajo.
Monitorimi i CoPlan u fokusua gjithashtu në ndotjen e ujërave, duke analizuar mostrat në 9 liqene, 5 rezervuarë, 4 përrenj dhe një sistem vaditjeje.
Sipas ekspertit të mjedisit dhe territorit, Imeld Sokoli, disa prej liqeneve kryesore në kryeqytet paraqesin nivele të larta ndotjeje.
“Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës dhe Liqeni Artificial i Tiranës kanë ndotje të lartë organike,” tha Sokoli.
Ai shtoi se në Lumin e Tiranës është konstatuar gjithashtu prani e metaleve të rënda.
Sipas monitorimit, liqenet e Treganit, Belshit dhe Tafanit rezultojnë gjithashtu me nivele të larta ndotjeje.
Ekspertët theksuan se për përmirësimin e cilësisë së ajrit, ujit dhe nivelit të zhurmës nevojitet forcimi i rolit të institucioneve në monitorimin dhe kontrollin e aktiviteteve që ndikojnë në ndotjen e mjedisit.
“Menaxhimi më efektiv i trafikut urban, zbatimi i masave teknike për reduktimin e zhurmës dhe rritja e ndërgjegjësimit publik janë të nevojshme për të ulur ndotjen akustike,” tha Shehu.
Ndërsa Sokoli theksoi se për mbrojtjen e ujërave duhen ndërmarrë masa konkrete, si kontrolli i ndotjes nga aktivitetet minerare, stabilizimi i brigjeve dhe reduktimi i shkarkimeve të patrajtuara urbane./ BIRN












