Nga Boldnews.al
Për kryeministrin Edi Rama, padyshim që e sotmja është dita më e rëndësishme politike në 13 vite qeverisje. Mori një ftesë nga presidenti i SHBA-ve dhe do e kalojë Oqeanin i qetë, i lumtur dhe me plot shpresë se laku iu hoq nga fyti. “Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkruan Rama në rrjetet sociale. Dukshëm në ekstrazë, me shkronja kapitale, çdo fjalë e shkruar përçonte frymën e delirit. Në pamje të parë duket se ka arsye të festojë.
Prej gati një viti marrëdhëniet diplomatike të Ramës me SHBA-në, kanë qenë në pikën më të ulët, gati thuajse të ngrira. Javët e fundit, disa mesazhe të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), por edhe të sekretarit Markoi Rubio ngjanin sikur ishin shkruar specifikisht për Ramën dhe “Ramët” e tjerë të vendeve të botës… SHBA-të i kanë hapur luftë qeverive të lidhura me narkotrafikun, që shkelin parimet e demokracisë, apo që kanë ndikuar me keqeverisjen duke sjellë emigracionin masiv të qytetarëve të vendeve përkatëse. Të trija nismat duken “kostum” i qepur për Ramën…
Mjaftoi kjo politikë zyrtare e SHBA-ve që opozita politike këtu, (në delir për disa ditë), të shpresonte dhe krekosej se Ramaduros do i vinte fundi. Sot pezmatimi ndryshoi kamp. Rama dhe Rilindasit e tij kanë hapur shampanjën e po gëzojnë dehshëm, ndërsa opozita po kapërdin uthullën e bajatur. Të dyja palët nuk po kuptojnë thelbin se janë kaq periferik sa nuk jemi hiç në asnjë agjendë. Nëse do të ishim, mjafton vetëm një frymë përtej Oqeanit që këtu të krijohet një furtunë e madhe duke fshirë me një klik gjithë këtë klasë të kapur politike, e cila ka lënë qytetarët në ditët më të errëta duke u rendur mes pasigurisë, varfërisë, emigrimit masiv dhe humbjes së shpresës.
Megjithatë, Rama ka ca hesape për të larë, pavarësisht ftesës me firmën e Trump. Tallja e rëndë që Rama i bëri presidentit të SHBA-ve tre muaj më parë në një bisedë përbuzëse mes tij, presidentit frances dhe atij azer nuk mund të kapërdihet lehtë.
Gjithashtu jo pa qëllim në mediat kryesore amerikane, shumë pranë Trump, kryeministri ynë është quajtur Ramaduro. Përtej së dukshmes, një çështje e errët e Ramës është edhe lidhja e tij me ish-kryeagjentin e kondrazbilimit të FBI Charls McGonigal, një personazh kontrovers i dënuar në SHBA për lidhje me oligarkë rus, por edhe nismëtar I disa proceseve penale të hapura ndaj Trump.
Rama mund të shkojë si i ftuar nderi, por mund të përfundojë i kërcënuar seriozisht, për t’i treguar një herë e mirë kufirin, i cili asesi nuk mund të jetë më i largët se hapitati 28 848 kilometra katrore ku frymojnë jo më shumë se 2.4 milionë banorë dhe jo më të hedhë sytë nga Kina, sikurse kërcënoi në sytë e përfaqësues së SHBA-ve pak ditë më parë.
Kryeministrit mund t’i ndodhë pritja e ëmbël, por edhe të detyrohet të hajë ushqimin e hidhur që do ja servirin me detyrim. Qesharake mbetet ekstaza e tij e sotme, por edhe ekstaza e opozitës, duke bërë hesape me forcën e tjetrit, pa kthyer sytë nga vetja. Rama do flejë i qetë sonte e deri në ditën e madhe kur të marrë avionin me biletë “biznes” në avionin që do kalojë Oqeanin Atlantik. Koha do tregojë se do zgjasë ky gjumë i ëmbël, pasi në çdo moment pas karrotës mund të vijë edhe shkopi për shkopinjtë e thatë të politikës sonë, në mazhorancë apo opozitë!














