Nga Ilir Kalemaj
Mes formave të ndryshme të klasifikimit të shteteve, ajo që mund të themi me siguri në këtë përvjetor të pavarësisë, është që kemi një shtet kleptokrat. Një aradhë e gjatë funksionarësh publikë të këtyre tre mandateve e pak, parakalon krenarisht dyerve të prokurorisë ndërsa janë të ndarë sipas kategorive kohore: burg, të pandehur apo në hetim. Një shtet i cili nuk njeh as kontroll dhe balancë mes institucionesh por as ndarje të mirëfilltë mes pushtetesh. Në këtë autokraci elektorale, dorëheqja është fjalë e huaj, shkarkimi i padëgjuar dhe mburoja politike një nevojë, ndërsa gjetkë jepet dorëheqja edhe për përdorim automjeti të punës jashtë orarit zyrtar.
Francis Fukajama në një tipologji të llojeve të ndryshme të funksioneve të shteteve në librin e tij ‘Shtet-Ndërtimi: Qeverisja dhe Rendi Botëror në shekullin e 21-të’ i klasifikon shtetet në tre kategori kryesore: shtet minimal, shtet i ndërmjetëm dhe shtet aktivist. Sipas Fukajamës, shteti minimal ka si funksione kryesore ato më baziket: mbrojtjen, sigurimin e njerëzve, shëndetin publik, mbrojtjen e më të varfërve të shoqërisë, apo të garantuarit e të mirave bazike publike etj. Ndërsa ai me funksione të ndërmjetme ka ndër të tjera, sistemin e edukimit, mbrojtjen e mjedisit, rregullimin e monopoleve, rregullimin financiar apo sigurimin social, ndërsa shteti aktivist ka politikën industriale dhe rishpërndarjen e pasurisë.
Një nga pikëpyetjet më ekzigjente që mund të ngrihen duke mbajtur në mendje këtë tipologji, është sesi mund ta klasifikojmë modelin e shtetit shqiptar. Duke marrë si të mirëqenë se ideologjitë dhe konceptimet e partive politike në këto dy dekada pluralizëm nuk është se kanë ndryshuar shumë në vend, kjo për arsye edhe të polarizimit të skajshëm personal dhe antagonizmit me baza të tjera, përveç se politiko-ideologjik, mund të prezumojmë që deri diku kemi një model të dhënë shteti që nuk ka ndryshuar shumë gjatë kësaj periudhe tranzicioni. Pyetja që pason natyrshëm është cili është ky model?
Me fjalë të tjera a kemi të bëjmë me një model aktiv apo pasiv shteti shqiptar, intervenues apo përkrahës i teorisë së mos-ndërhyrjes, laissez-faire-t të famshëm Smithsian që bazohet në premisën e ‘dorës së padukshme` të vetë tregut që nëpërmjet mekanizmave vetë-rregullues është i aftë të arrijë gjendjen optimale të shpërndarjes së të mirave publike? Apo jemi më afër modelit të ndërmjetëm ku shteti shqiptar ka ndërhyrë sistematikisht në rregullimin e monopoleve, ka krijuar shtratin e nevojshëm të rregullimit të sistemit financiar dhe ndërtuar politika makroekonomike solide? Sipas këtij modeli, shteti ka edhe një strategji të mirëfilltë industriale, një sistem edukimi të konsoliduar, sigurim social dhe shëndetësor të aftë që t`iu përgjigjet në një shkallë të kënaqshme kërkesave të shtetasve të vetë dhe një politikë mjedisore që synon të paktën parandalimin e masakrës mjedisore dhe ruajtjen dhe konsolidimin e resurseve aktuale mjedisore.
Menjëherë me një pamje të parë përjashtohet ideja që të kemi modelin e një shteti aktivist që ka si funksion dhe rol primar ri-shpërndarjen e pasurisë ndonëse në pushtet është e majta (e kaviarit), ashtu sikundër është vështirë të përfytyrohet që shteti shqiptar i marrë si një entitet i pandryshueshëm dhe statik në këto 34 vjet pluralizëm, pavarësisht ndërrimit të shpeshtë të qeverive, të plotësojë ndonjë nga kriteret e ‘ndërmjetme’. E vetmja përgjigje që vjen atëherë natyrshëm, është se shteti shqiptar i shëmbëllen më tepër versionit ‘minimal’, madje do të shtoja, një versioni akoma më radikal, ‘super-minimal’ që nuk është se është kujdesur shumë apo ka pasur ‘kokëçarje’ nëse do përdornim një zhargon më popullor, për mbrojtjen e shtresave më në nevojë, apo është kujdesur për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të vetë qoftë dhe në forma nga më rudimentaret dhe ekzistencialet që mund të ekzistojnë, apo ka garantuar çfarëdolloj forme pjesëmarrjeje në të mirën e përbashkët publike.
Në përgjithësi vlen hipoteza që ekziston një lloj anomie kolektive si dhe ‘lodhjeje’ nga ana e shqiptarëve përkundrejt çdolloj forme komunitarizmi, ka një skepticizëm në rritje ndaj partiokratizmit që reflektohet në pjesëmarrje përherë e më të ulët në zgjedhje, si dhe zhgënjim me rolin e shtetit në shoqëri që ka ardhur duke u rritur në përpjesëtim të drejtë me rritjen e polarizimi shoqëror, thellimin e kontrasteve dhe mungesës së kapitalit social. Për rrjedhojë apo si shkak (mund të merret si të duash), kjo është reflektuar edhe një pozicionim të skajshëm të shtetit në pozita minimaliste ku ose nuk është i aftë t`u imponohet shtetasve të vetë, ose ka zgjedhur në mënyrë koshiente një gjë të tillë, duke reduktuar sferën e veprimtarisë së tij, ndoshta edhe si rezultat i ‘matjes së pulsit’ të asaj anomie kolektive që iu referuam më lart.
Për fund cilado të jetë arsyeja, kura është rritja e funksionit dhe rolit të shtetit, sidomos në këto kushte krizash globale kur ky imperativ është kthyer në një trend global dhe jo reduktimi i mëtejshëm i sferës së tij, sikundër mund të rekomandojnë importues formulash të gatshme teorike që ju mungon zbatimi praktik jo vetëm në realitetin shqiptar por që kanë filluar të ri-dimensionohen edhe në nivel ndërkombëtar.












