Nga Boldnews.al
Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje të procesit të rregullt ligjor, gjatë procedurës së Vetingut, që përfundoi me shkarkimin e ish-gjyqtarit të lartë, Shkëlzen Selimi.
Vendimi i Strasburgut pritet të hapë një procedurë tjetër vendase në Shqipëri, pasi konstatimi për “shkelje të procesit ligjor” e shndërron të gjithë procedurën e rivlerësimit të tij në nul.
Strasburgu është kujdesur të shprehë se “nuk është roli i Gjykatës, sipas Nenit 6 § 1, të vendosë në parim nëse shkarkimi i paditësit nga detyra ishte i ligjshëm apo i justifikuar”.

Por, kjo përgjegjësi për kryerjen e një procedure të re Vetingu për ish-gjyqtarin Shkëlzen Selimi tashmë u takon institucioneve shqiptare, të cilët duhet të zbatojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë vendimin e Strasburgut, i cili ka konstatuar “proces të parregullt ligjor”.
Strasburgu rrëzon Vetingun
Në një vendim të shpallur në 25 nëntor 2025, trupa gjykuese e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut konstatoi se “….qasja e organeve të rivlerësimit ndaj këtij aspekti të çështjes ngre shqetësime serioze lidhur me përputhshmërinë me kërkesat e një gjykimi të drejtë në rrethanat e rastit”.
Shkëlzen Selimi ishte anëtar i Gjykatës së Lartë, kur hyri në fuqi ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në vitin 2017.
Ai u përfshi në Veting vetëm për kriterin e figurës, një prej tre komponentëve që u parashikuan për rivlerësimin e magjistratëve (dy kriteret e tjera ishin “pasuria” dhe “aftësitë profesionale”.
Selimi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) në korrik 2018, një vendim i cili u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA)në shkurt 2019.
Dy trupat e Vetingut argumentuan se Shkëlzen Selimi nuk kishte deklaruar kontaktin e papërshtatshëm me një person të ekspozuar ndaj krimit të organizuar, shtetasin A.I, i cili, sipas informacioneve operative, “njihej gjerësisht edhe si shofer i shtetasit A.S, një lidhje e largët familjare e gjyqtarit”.

Pas vendimit të KPA-së, ish-gjyqtari Selimi iu drejtua Gjykatës së Strasburgut, në të cilën kërkoi, ndër të tjera, konstatimin e gjykimit të parregullt, sipas parashikimeve të nenit 6/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Selimi argumentoi në Gjykatën e Strasburgut se ai ishte shkarkuar për lidhjet e supozuara me A.I., për të cilin as nuk iu dhanë informacione për përfshirje në krim të organizuar, as nuk iu dha mundësia për të dhënë kundërshtimet e tij.
Gjykata e Strasburgut, pasi administroi dokumentacionin dhe qëndrimin e palëve, arriti në konkluzionin se, gjatë procedurës së rivlerësimit të Shkëlzen Selimit, janë konstatuar shkelje të procesit të rregullt ligjor.
Në vendimin e lexuar nga “Boldnews.al” thuhet: “Organet e vetingut nuk i shpërndanë paditësit asnjë provë që të konfirmonte këtë pohim (përfshirjen e shtetasit A.I. në krim të organizuar) – për shembull, prova lidhur me datat, vendet ose kontekstin. Ndërsa vendimet e organeve të vetingut sugjerojnë se ato prova u morën dhe u konsideruan, ato vendime nuk përmbanin asnjë përmbledhje të atyre provave”.

Gjithashtu, Gjykata e Strasburgut konstaton se “paditësit (Shkëlzen Selimi) iu imponua një barrë e tepruar, nëse jo e pamundur, për të hedhur poshtë një pohim të paqartë se ai kishte njohur A.I. Paditësi nuk kishte mundësi të kundërshtonte as këtë pohim, as klasifikimin ligjor të tij sipas Ligjit për Vetingun, ose të citonte ndonjë rrethanë lehtësuese për sa i përket njohjes personale të pretenduar”.
Çfarë ndodh më pas?
Vendimi i datës 25 nëntor 2025 përbën një fitore për ish-gjyqtarin Shkëlzen Selimi. Megjithatë, duhet të kalojnë më së paku tre muaj, para se ai të marrë formë të prerë. Brenda kësaj periudhe, qeveria (pala humbëse) ka të drejtë të ankimojë vendimin e panelit të Strasburgut në shkallën e dytë të asaj gjykate, e cila quhet Dhoma e Madhe.
Në rast ankimi, atëherë palët duhet të presin verdiktin final. Në rast se vendimi i kësaj të marte i Strasburgut mbetet në fuqi, atëherë Shkëlzen Selimi konsiderohet si “gjyqtar në detyrë” dhe se ai duhet t’i nënshtrohet sërish rivlerësimit kalimtar, kësaj radhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ka marrë kompetencat e shkallës së parë të Vetingut.
Por, nga ana tjetër, në rast rikthimi të procedurës në shkallën e parë (KLGJ), atëherë, me shumë mundësi, do të mbetet pa u shqyrtuar në shkallën e dytë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit përfundon mandatin në verën e vitit 2026. Kushtetuta nuk ia ka deleguar kompetencën e KPA-së asnjë institucioni tjetër.














