Gjermania heq kufizimet dhe nga java e ardhshme rinis eksportet e armëve drejt Izraelit, pas “stabilizimit” të armëpushimit në Rripin e Gazës, njoftoi sot qeveria gjermane.
Ajo theksoi se nga tani e tutje çdo kërkesë do të shqyrtohet rast pas rasti.
“Qeveria gjermane po ndjek me vëmendje zhvillimet e mëtejshme. Kufizimet e mëparshme nuk prekën kurrë armët që i nevojiten Izraelit për mbrojtjen nga sulme të jashtme.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 24 nëntor. Qeveria gjermane do të kthehet në praktikën e shqyrtimit individual dhe do të reagojë ndaj çdo zhvillimi të ri”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius.
Ai shtoi se Gjermaniado të vazhdojë njëkohësisht të punojë për një paqe të qëndrueshme në rajon, do të marrë pjesë në ndihmat për popullsinë e Gazës dhe në përpjekjet për rindërtim.
Vendimin e sotëm e përshëndeti menjëherë ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i cili u bëri thirrje edhe qeverive të tjera “të ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe të marrin vendime të ngjashme”.
Kancelari Friedrich Merz kishte njoftuar pezullimin e përkohshëm të eksporteve të armëve që mund të përdoren në luftën e Gazës, si reagim ndaj raportimeve për dhunë në rritje nga ushtria izraelite.
Ky vendim ishte kritikuar nga pjesëtarë të grupit parlamentar të CDU-së dhe nga partneri qeverisës CSU, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e kishte cilësuar si “shpërblim për terrorizmin e Hamasit”.













