• Kontakt
Sunday, November 16, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Vrasja e Gilmando Danit, pistat e hetimit dhe dështimi i sigurisë që rikthen një ‘luftë’ të vjetër

21:11 : 16/11/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Në një vend që supozohet të jetë ndër më të mbrojturit. Aty ku çdo lëvizje, çdo hyrje dhe çdo kthesë filmohet e regjistrohet nga dhjetëra kamera, ndodhi që siguria u thye në formën më të ashpër nga plumbat e kallashnikovëve.

Pak pas mesditës së datës 11 nëntor 2025, rreth orës 14:15, një makinë e ndaluar në rrethrrotullim, në hyrje të rrugës që të çon drejt Aeroportit “Nënë Tereza”, kishte ndaluar duke pritur një tjetër makinë që do të dilte nga parkingu i Rinasit.

Në 75 sekonda ndodh gjithçka. Të paktën 82 plumba të shkrepur drejt një “Mercedes”-i të bardhë lanë të vdekur në vend një 47-vjeçar pasagjer në këtë mjet dhe drejtuesi 42 vjeç u plagos rëndë dhe ndërroi jetë pas 4 ditësh në spital.

Hetimet flasin për profesionalizëm të lartë e një koordinim në kufijtë e perfeksionit.

Çfarë e mundësoi që një veprim i tillë të realizohej në një zonë të mbikëqyrur? A ishte dështim teknik? Një rrjedhje informacioni? Apo diçka më e errët, koordinim nga brenda?

Lexo edhe:

Gilmando Dani në krah të Emiljano Shullazit nga vitet 2000, 4 herë i dënuar nga Gjykatat

Vdekja e shqiptarit në Itali/ Kush është autori i dyshuar! Gjykata e lë në arrest shtëpie

Hetimi do të kërkojë përgjigje në videot që regjistruan çdo kënd, në dëshmitë e kalimtarëve dhe në komunikimet që po shqyrtohen tashmë nga grupi hetimor.

Por një detaj i ftohtë vjen si një goditje tjetër. Vetëm 2 minuta pas largimit të autorëve, një delegacion shtetëror kaloi në të njëjtën rrugë. Pranë makinës së bërë shoshë nga plumbat e ku brenda saj ndodhej një i pajetë e një tjetër që vetëm merrte frymë.

Një kalim që ngrit pyetjen më të thjeshtë dhe më shqetësuese: Çfarë na tregon kjo për kontrollin dhe për menaxhimin e informacionit në zemër të kryeqytetit?

Në orët dhe ditët që vijojnë, ne do të ndjekim gjurmët që lë pas kjo ngjarje. Prova, video, dhe njerëzit që mund të dinë më shumë. Sepse kur një akt i tillë kriminal ndodh në vendin që e konsiderojmë më të sigurtin, dyshimet mbeten se kush e rrëzon gardhin e kontrollit dhe për çfarë arsye?

Rëndësinë një krimi të tillë, nuk ia jep vetëm vendi ku ndodhi ngjarja, por edhe personazhi që u ekzekutua. E po ashtu edhe grupi që mori pjesë për realizimin e atentatit. Katër autorë, 3 kallashnikovë dhe një pistoletë.

Viktima ishte Gilmando Dani. Një emër i njohur ndër vite në konfliktet më të ashpra të Tiranës. Por më tepër, i njohur si njeriu më i besuar i Emiljano Shullazit, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe që ka një historik të gjatë arrestimesh, akuzash e ngjarjesh ku është dyshuar e hetuar se mund të jetë përfshirë bashkë me 47-vjeçarin që mbeti i vrarë.

Personi që u plagos rëndë në këtë atentat e më pas ndërroi jetë, ishte pjesë e strukturave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i emëruar aty në shtator të vitit 2025, në rrethana të dyshimta. Megjithatë në atë ngjarje nuk ishte si agjent i AMP-së. Ishte si bashkëshoqërues i Gilmando Danit në udhëtimin e tij 5 ditor në Barcelonë, ku udhëtuan, qëndruan e u kthyen bashkë. Ndërsa ditën e ngjarjes ishte drejtues i makinës që u sharrua nga plumbat.

Të tjera pikëpyetje për sigurinë ngre edhe largimi i atentatorëve. Makina e tyre përshkoi 14 kilometra nga vendi i ngjarjes deri në fshatin Halil të Fushë – Krujës, ku u gjet në flakë bashkë me armët e krimit brenda. Një skemë tipikë e atentateve të ngjashme, e kryer edhe në dhjetëra vrasje të tjera, madje pothuajse edhe në të njëjtin vend.

Pistat? Larje hesapesh, hakmarrje por dhe reagim pas mesazhe të errëta të dalë nga rrjetet e koduara.

Por si mund të ndodhë një vrasje e tillë në një zonë kaq të monitoruar?

Kush e dha informacionin?

Dhe kë duhet të trembë kjo goditje?

A është kjo ngjarje rikthim i një “lufte” të vjetër?

VRASJA NË 75 SEKONDA

Aty ku në ditë të tjera qëndrojnë efektivë Policie, patrulla, madje dhe grupe të gatshme, më 11 nëntor 2025, nuk kishte asnjë prej tyre. Madje vetëm disa makina që qarkullonin pa trafikun e rënduar që jemi mësuar të shohim.

Në orën 14:14, makina e atentatorëve “Toyota” me targa greke të vjedhura është e ndaluar me bllokazh në afërsi të rrethit në krahun e djathtë.

Makina qëndron aty dhe pas 20 sekondash fillon të lëvizë dhe kalon në krahun tjetër të rrethit, përballë, vetëm pak metra larg Komisariatit të Rinasit, duke qëndruar po me bllokazh edhe 20 sekonda të tjera.

Më pas hapen dyert dhe zbresin 3 autorët, sapo shohin që makina ku ndodhej objektivi i tyre po i afrohej rrethit dhe nisin menjëherë të qëllojnë.

Pasi goditet me armë për 4 sekonda, drejtuesi i mjetit humb drejtimin dhe pa kryer harkun në rreth, mjeti ecën diagonal derisa mbetet i ndaluar.

Në një moment 3 atentatorët kthehen për të hipur në mjetin e tyre, por pasi shohin makinën e objektivit që kishte ndaluar kthehen sërish për ta qëlluar.

Njëri prej tyre, me hap normal, përshkon mes për mes rrethit, me automatik në dorë dhe i afrohet makinës. Menjëherë pas tij shkon edhe autori tjetër, pasi në dukje, të parit i ngec arma dhe personi tjetër i jep një armë që në dukje është e shkurtër, e ngjashme me pistoletë. Ndërsa makina e tyre vijon rrugën për pak metra me dyer të hapura.

Personi që i dha armën kthehet tek makina, ndërsa autori tjetër, me dy armët në duar, vijon i qetë drejt mjetit të ndaluar ku ishte objektivi, hedh njërën armë në tokë dhe me tjetrën afrohet tek xhami, në krahun e pasagjerit, ku ishte Gilmando Dani dhe qëllon edhe disa herë drejt tij.

Në këtë moment bashkëpunëtori i tij kthehet serish dhe ecën me vrap në drejtim të tij. Teksa i pari merr armën që kishte hedhur në tokë, i dyti qëllon edhe disa herë të tjera, në distancë, drejt makinës “Mercedes”.

Gjithçka zgjat 75 sekonda. Më pas autorët hipin në makinë e cila lëviz me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon drejt Fushë – Prezës dhe Fushë-Krujës.

Rezulton që autorët të kenë përdorur një rrugë rurale, e përdorur edhe në ngjarje të tjera, që të çon drejt Niklës dhe fshatit Halil ku u gjet e djegur makina.

KUSH ËSHTË GILMANDO DANI

Në dosjet e drejtësisë emri i Gilmandi Dani shfaqet për herë të parë në mesin e viteve 2000. Ai ndjek një jetë paralele me atë të Emiljano Shullazit, figura qendrore e grupit, për të cilin Prokuroria ka ngritur disa akuza të rënda ndër vite.

Nëse për Emiljano Shullazin, kishte nisur një hetim për dyshime të përfshirjes në linja të trafikut të drogës që në vitin 2003, madje edhe me dyshimet se ishte pjesë e një grupimi që njihej me herët si “Djemtë e Rrugës së Kavajës”, emri i Gilmando Danit shfaqet krah tij pak më vonë.

Për 15 vjet, nga viti 2006 deri në vitin 2021 Dani është dënuar 4 herë nga Gjykatat.

Dënimet e Gilmando Danit

Më 16 qershor 2006 dënohet nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 8 muaj burg për “armëmbajtje pa leje, sigurim i mjeteve për vjedhje” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Më 11 maj 2012 dënohet nga Gjykata e Tiranës me një vit burg për “armëmbajtje pa leje”.

Më 22 shkurt 2016 dënohet nga Gjykata e Tiranës me 200 mijë lekë gjobë për “moskallëzim krimi”

Më 3 dhjetor 2021 dënohet me 12 vjet burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Në shkurt të vitit 2006 Emiljano Shullazi arrestohet nga forcat speciale RENEA në një apartament në rrugën “Him Kolli”, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Blis”. Bashkë më të u arrestuan edhe Gilmando Dani, Dritan Hate dhe një vajzë që quhej Elona, e cila në atë kohë përflitej si e fejuara e tij. Në apartamentin e Shullazit u gjetën disa armë të ndryshme dhe pasaporta e certifikata. Për armët dhe falsifikimin e pasaportës, Shullazi u dënua me vetëm dy vjet burg, pasi kërkoi gjykim të shkurtuar. Por teksa mbahej në paraburgim për këto akuza, një tjetër hetim paralel që po zhvillohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për një linjë trafiku heroine, u finalizua me operacionin “Identikit”. Gjatë këtij operacioni, përveç Shullazit që ndodhej në qeli, u arrestuan edhe 7 persona të tjerë, përfshirë edhe një ish-oficer të Antidrogës, që akuzohej për nxjerrje të sekretit hetimor. Sipas dosjes së Prokurorisë, grupi akuzohej se kishte trafikuar 350 kilogram heroinë. Drejtuesi i këtij grupi ishte shpallur në kërkim për trafik droge nga Turqia në Shqipëri, me destinacion final Italinë.

Akuzat ishin të rënda: “Trafikimi i narkotikëve”, “Organizim, drejtim e financim i një organizate kriminale me qëllim trafikimin e heroinës” dhe “Kryerjen e krimit të trafikimit të narkotikeve nga pjesëtar të organizatës kriminale”.

Katër prej të pandehurve të dosjes u dërguan për gjykim, ndërsa Emiljano Shullazi dhe një tjetër prej të pandehurve nuk pranuan akuzat. Megjithatë, në janar të vitit 2009 të dy ata u dënuan me nga 13 vjet heqje lirie. Pa kaluar 10 ditë nga ky vendim, Shullazi vendos ta apelojë. Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda, vendos të prishë vendimin dhe të kthejë çështjen për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në këtë fazë dy të pandehurit pranojnë vetëm akuzën e trafikut të drogës dhe kërkojnë gjykim të shkurtuar duke përfituar uljen e masës së dënimit.

Përfundimisht në tetor të vitit 2009 Emiljano Shullazi dënohet me 8.8 vite burg. Dënim që shumë shpejt i solli lirinë, duke llogaritur edhe kohën e paraburgimit.

Ndërkohë, miku i tij, njeriu më i afërt e i besuar, i konsideruar si krahu i djathtë, Gilmando Dani, kishte fituar me kohë lirinë. Gjatë kohës që Shullazi vuante këtë dënim, çdo “punë” tjetër jashtë zgjidhej nga Gilmando Dani.

Madje, më 15 gusht të vitit 2009 Prokuroria mori në pyetje Gilmando Danin, i cili për disa ditë po hetohej në lidhje me vrasjen e 4 oficerëve të Policisë nga Dritan Dajti më 7 gusht të atij viti. Dani ishte paraqitur vetë për të dhënë deklarime. Disa orë pasi ka dëshmuar ai është lënë i lirë pasi nuk u gjet asnjë provë që të ngriheshin akuza ndaj tij.

Më 21 prill të vitit 2011, 4 muaj pasi u lirua nga burgu, ku vuajti dënimin për trafik lëndësh narkotike, Emiljano Shullazi provoi sërisht qelinë për disa orë, pas denoncimit të dy deputetëve socialistë për prishjen e një takimi elektoral. Shullazi u ndalua nga forcat e policisë të Komisariatit nr.2, si personi që kishte penguar subjektin politik për zgjedhjet në organet përfaqësuese. Pas njohjes me akuzën dhe marrjes në pyetje, prokurori ka vendosur që Shullazi, në atë kohë 32 vjeç, të procedohej penalisht në gjendje të lirë. Hetimi i tij në gjendje të lirë u argumentua nga prokurori i gatshëm, me faktin se një vepër e tillë penale nuk parashikon arrest.

Por vetëm pak ditë më pas ai arrestohet. Emiljano Shullazi bashkë me grupin e tij prej 11 personash u prangosën më 8 maj të vitit 2011, vetëm disa minuta para se të mbyllej procesi i votimi në Komunën Farkë të Tiranës. Një operacion i forcave të Policisë së Tiranës, bëri të mundur arrestimin e tij, në afërsi të Liqenit të Thatë. Në momentin e arrestimit policia sekuestroi dy makinat e blinduara, me të cilat ai lëvizte prej disa ditësh, antiplumb, tri pistoleta, tri thika dhe disa doza bimë narkotike.

Edhe pas këtij episodi, Shullazi lirohet disa muaj më vonë. Ndërsa ndalohet mbrëmjen e 8 nëntorit 2011, pasi bashkë me mikun e tij Gilmando Dani, u kapën me maskë dhe armë në një makinë, teksa lëviznin në rrugën “Stavri Themeli”, tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. Megjithatë Dani ka marrë autorësinë e pistoletës duke sjellë pafajësi për Shullazin.

Pas këtij momenti vjen një periudhë e gjatë qetësie, të paktën me organet e drejtësisë. Deri në vitin 2016 ata vijuan aktivitetin e tyre në liri, derisa erdhi momenti që i izoloi në qeli, ku Shullazi ndodhet edhe sot, ndërsa Gilmando Dani kishte përfunduar dëmin në vitin 2024 dhe ishte tashmë i lirë.

Emiljano Shullazi është prangosur pas mesnatës së datës 17 prill 2016, teksa mbahej i shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në orën 01:30, oficerët e Krimeve të Rënda, kanë ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndaj Shullazit dhe dy personave të tjerë që po ashtu mbaheshin të shoqëruar. Dy personat e tjerë që u arrestuan bashkë me të, ishin miku i tij, Gilmando Dani, si dhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi. Ata kishin shkuar në Polici që të interesoheshin për Shullazin, por nuk janë lejuar që të dalin më, duke u komunikuar edhe atyre arrestimin. Prokuroria kishte ngritur ndaj tyre 4 akuza të rënda, disa prej të cilave nga denoncimet e të dëmtuarve, disa nga hetimet e kryera me metoda speciale që prej muajit shkurt të atij viti. Ata akuzoheshin për “shkatërrim të pronës me eksploziv”, “shtrëngim me atë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, si dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë që hetimet për këto akuza po vijonin dhe të tjera denoncime bëheshin në Prokurori, më 3 dhjetor të vitit 2017 arrestohen edhe 2 persona të tjerë. Endrit Qyqja dhe Endri Zela, i cili ishte nipi i Shullazit. Ata u arrestuan teksa kishin shkuar të takoheshin me Emiljano Shullazin në burgun 313, ku ai ndodhej i izoluar bashkë me Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” në mungesë edhe për Qyqen dhe Zelën, masa që prokurorja e çështjes i ka kërkuar Policisë t’i ekzekutojë në kohën që ata ndodheshin ende në ambientet e paraburgimit në rrugën “Jordan Misja”.

Kjo dosje u zvarrit pa marrë vendim për gati 5 vite, derisa më 3 dhjetor të vitit 2021 Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit të Krimit të Organizuar shpalli vendimin për Emiljano Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për grup të strukturuar kriminal. Në përfundim të seancës, trupi gjykues vendosi të dënojë me 14 vite burg Emiljano Shullazin. Po kështu vendosi 12 vite burg për Gilmando Danin dhe Endrit Qyqen, 10 vite burg, Endrit Zelën dhe 9 vite burg Blerim Shullazin. Gjyqi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Gjykata rrëzoi kërkesën e Shullazit për përjashtimin e trupës gjykuese të kryesuar nga Miliana Muça dhe anëtarët Artur Kalaja dhe Daniela Shirka. Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij i nisur në dhjetor të vitit 2018 në Apel, ka pasur një zvarritje të gjatë, ku ishin shtyrë mbi 40 seanca. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela, Endrit Qyqa dhe Blerim Shullazi u dënuan dhjetorin e vitit 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 55 vite burg për veprat penale “Krijim i grupit të strukturat kriminal”, “Gjobëvënie” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”. Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Krimet e Rënda në 2018-ën. Një javë para se të shpallej ky vendim, konkretisht seanca e datës 24 nëntor 2021, në Apelin e Posaçëm për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqen, Endrit Zelën dhe Blerim Shullazin u shoqërua me debate. Tri vite pasi ata u shpallën fajtorë, vetëm më 24 nëntor u arrit të zhvillohej seanca në Shkallën e Dytë. Në seancë ishim vetëm tre avokatë, ndërsa dy nga të pandehurit, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani, ishin pa mbrojtës, pasi dy avokatët kryesisht nuk ishin paraqitur. Në këto kushte, Gjykata vendosi që procesi të vijojë pa avokatë dhe kjo shkaktoi debate në sallën e gjyqit. Fillimisht ishte Emiljano Shullazi, i cili e nisi me prokurorin Altin Dumani. Më pas ndërhyri gjyqtarja Miliana Muça, e cila pas kërkesës, i dha fjalën të pandehurit Emiljano Shullazi. Situata ka qenë disi e tensionuar gjatë seancës, ku Shullazi i ka kërkuar Gjykatës që marrë parasysh listën me 100 avokatë kryesisht. Edhe pse avokati i tij ishte paraqitur, ai ka folur në emër të të pandehurve të tjerë, duke thënë se në rast se vendimi do të merrej pa mbrojtës, atëherë kush do ta bënte rekursin e tyre. Fjalën pas Shullazit e ka marrë edhe Gilmando Dani, avokati i të cilit nuk ishte paraqitur, por ai kishte pretendime se ishte përjashtuar vetëm pse ka munguar një herë, duke qenë se ishte me Covid. Edhe Dani ka kërkuar të njëjtën gjë si Shullazi, që Gjykata të shikojë mundësinë e avokatëve kryesisht, pasi ka një listë me 98 të tillë.

Debatet gjatë seancës në Apel, një javë para vendimit

Prokurori Altin Dumani: Pjesë nga procesverbali i datës 07.04.2021, kur pjesë e trupit gjykues u bë kryesuesja, Miljana Muça. (citon) Pjesë nga fjala e të pandehurit Gilmando Dani në seancë: “Mos e bllokoni këtë proces, se ne nuk bëjmë gjyq me ju dhe për këtë arsye e kemi shtyrë gjyqin, kur ishte ajo zonja e nderuar tjetër që kishte dy vjet. Prandaj mos qëndro kot. Jep dorëheqjen”.  Pjesë nga procesverbali i datës 29.09.2021, citoj siç është shkruar në seancë: “Tek kjo gjykatë, te ky procesi jonë, po shkelet ligji me të shtata këmbët dhe s’ka si mund të vazhdojë ky proces. Dihet pse po vonohet procesi. O zonjë, ikni ju të dyja, na gjeni dy gjyqtarë që të mos kenë lidhje me çështjen dhe të bëjmë gjyqin nesër”.  Edhe pak kalon nëntori i 2021, edhe 3 vjet gjykimi në shkallë të parë, akoma s’është çelur shqyrtimi gjyqësor. Nuk është shtyrë asnjë seancë për mungesë të prokurorëve. S’është shtyrë… Në vijimësi, marrë në konsideratë edhe dinamikën e këtij procesi, unë arrij në këtë vlerësim. Që ky gjykim, qëllimisht nga i pandehuri, zvarritet.

Emiljano Shullazi: Po pse ne duam të rrimë në burg sipas teje!? (ndërhyn gjyqtarja e paralajmëron njësoj si avokatin)

Prokurori Altin Dumani: Lidhur me Blerim Shullazin, ndoshta është momenti që të verifikohet gjendja e tij shëndetësore.

Emiljano Shullazi: Kërkoj fjalën.. (ndërhyn gjyqtarja që i jep fjalën Emiljano Shullazit). Prokurori citoi procesverbalin e datës 7, por ne mund të themi çfarë të duam. Ju penguam gjë ne që të mos vini në punë, ne detyrë? Në s’ju kemi pengu. Unë s’jam dakord me ju. Unë ta kam thënë edhe një herë dhe ta them edhe një herë, ta dëgjojnë edhe vëzhguesit që janë këtu. Kur ti jep dorëheqjen, ore kur jep gjyqtari dorëheqjen, se nuk mund të gjykoj unë, t’ia fus murit me kokë unë eee, kur gjyqtari thotë se s’mund të gjykoj? Kuptohet dorëheqja jote. Unë do të marr vendim, si do thuash ti, është i padrejtë? Është i pavërtetë Ylvi Beqja, kur ti në vendim konfiskimi kë thënë që e ke bllokuar këtë pronë se ia kam marrë me zor Ylvi Beqjas? Unë kam prova të reja që do i nxjerr para avokatit, si të mi prishësh ti mua ato prova? Se ti çfarë vendimi do marrësh, nuk ke si të marrësh, me datë 1 mora atë vendim, me datë 6 të marrësh vendim tjetër… Pastaj, ku u njoh me dosjen Gjykata? Më datë 6 more emërimin në apel, më datë 7 erdhe ke ne??” Po normal, se je njohur me dosjen në shkallë të parë. E njihje dosjen. Për atë arsye dhatë edhe dorëheqjen. Si mund ta vazhdojmë ne gjyqin. Ore unë them dua të dal edhe tani nga burgu, po unë s’dal dot nga burgu. S’ka pse prokurori flet, jo ne thamë kështu, thamë ashtu… Unë do të dal sot nga burgu, si do të dal nga burgu? Dola nga burgu unë? S’ka kuptim kjo fjalë. Gjykata që thotë… aty e ke listën, tani nëse do të fillojmë ne sipas prokurorit ashtu, edhe unë po them është prokurori që i thotë atij Avni Matës dhe atij Pekës mos hajde në gjyq. Pse nuk thërret avokatë të tjerë, ke 100 avokatë aty? Caktoji ti ato avokatët e tjerë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Më fal t’ju ndërpres vetëm dy sekonda. Ju flisni për mbrojtjen e të pandehurve të tjerë, se mbrojtësi juaj është prezent?

Emiljano Shullazi: Si do të vazhdojë seanca? Po mirë, këtij kush do t’ia bëjë rekursin? Kush avokat?

Gjyqtarja Miljana Muça: Atëherë merr parasysh mbrojtjen e dy të pandehurve të tjerë se avokati juaj është korrekt?

Emiljano Shullazi: Po normal, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre?

Gjyqtarja Miljana Muça: A në këtë prizëm domethënë?

Emiljano Shullazi: Po, sepse nëse ju merrni vendim, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre? Do t’ua bëjë prokurori? Ne jemi të interesuar. Silleni ju një avokat, gjejeni ju avokatin. Ke aty 100 avokatë, keni 7 muaj me Avni Matën me Pekën. Caktoji ato të tjerët. Hiq këta, cakto të tjerët. Ku e dini ju që s’do të vijnë të tjerët? Ose prokurori, jo ju… Se ju s’e keni thënë, po e tha prokurori. Ku e dini ju se s’do vijnë të tjerët? Mbaroni listën dhe pastaj… Po prapë s’ka kuptim kjo, si do rrikemi ne, si paskam unë interes të shtyhet seanca? Ta thashë edhe një herë. Unë nuk pretendoj fare që të marr drejtësi me ju, sepse ju s’keni si të dilni ndesh kundra vendimit që keni dhënë në Shkallë të Parë, se ma ke marrë atë pronë pa të drejtë. Kam thënë prit se kam Apelin, të ka thënë avokati. Prit sa të mbarojë Apeli. Ti more vendimin, se the ia ke marrë me zor Ylvi Beqjas. Tani si të them unë: “Ej, s’ia kam marrë me zor”. Ti e ke marrë një herë atë vendim për Ylvi Beqjan, ma ke dhënë dënimin mua për atë punë. Ajo kuptohet.

Gjyqtarja Miljana Muça: Avokati juaj, më fal edhe një herë, avokati juaj në fakt qe korrekt në mënyrën e të shprehurit në raport me ligjin. Kërkesat tuaja, ankesat tuaja mbi përbërjen e trupit gjykues kanë ndjekur hallkat e gjykimit. Dhe avokati u shpreh që, natyrisht që këtë vendimmarrje, apo këtë qëndrim apo këtë përbërje të kolegjit do ta ankimojë…

Emiljano Shullazi: Jo mo jo, se deri diku edhe ju jeni korrektë, se ju e keni bërë një dorëheqje. Edhe ju jeni dakord me këto që them unë, se përderisa e keni bërë dorëheqjen përpara kërkesës sime për përjashtim, jeni dakord me këtë që them unë. Apo s’është kështu? Keni bërë pra dorëheqje ju e s’ju është pranuar. Si ka mundësi që ju ia pranoni kërkesën për përjashtim kësaj kryetares, kurse ajo s’jua pranon juve? Për shkaqe që janë shumë më të larta sesa ato që ke bërë ti dorëheqjen.

Gjyqtarja Miljana Muça: Ju kuptoj, uluni. Faleminderit.

Gilmando Dani: Ka mundësi ta marr dhe unë fjalën po dëshët? (Ndërhyn gjyqtarja, i jep fjalën) Në lidhje me ato që tha zoti prokuror, unë s’është se i mohoj ato fjalë. I kam thënë, kam qenë i irrituar në lidhje me trupin gjykues. Dihet shumë mirë se na ka gjykuar një herë, s’mund të na gjykojë për së dyti. Kështu që është e kotë që i lexove procesverbalet. Edhe është mendimi im zotëri, nuk është një mendim i të gjithëve, që e morët ju ashtu dhe që e thoni si të doni. Po nejse. Të kthehemi tek avokatët. Se ju zonja gjyqtare flisni këtu për një proces të rregullt ligjor dhe që neve të na garantohen të drejtat tona. Po këtu, sa keni ardhur ju, këtu nuk po shihet fare. Këto 6 muaj që jeni këtu, keni 6 muaj që thoni proces ligjor, proces ligjor. Po keni 6 muaj që sillni po të njëjtët avokatë. I keni vënë kush e di sa gjoba, mbi 20 milionë lekë a 30 a nuk e di se ku do t’i gjejnë ato avokatët. Kurse këtu është një listë e gjatë, që e kemi edhe neve, me 98 veta, ka edhe lista të tjera me çfarë kemi dëgjuar dhe ju nuk thirrni asnjërin prej tyre. Se përse, e dini ju këtë punë. Por merrni vendimin në fund të procesit që thoni që procesi të vazhdojë pa avokatë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Këtu seancën e drejton gjykata…

Gilmando Dani: Po ta mbaroj…

Gjyqtarja Miljana Muça: Se e ndërpreva edhe të pandehurin tjetër. Ju bëj me dije dhe ju kujtoj se… jam e pasaktë për datën e seancës, por ju keni marrë fjalën dhe keni thënë: “Kam zgjedhur një avokat. Avokati im është me Covid”. Ju kemi kërkuar emër, nuk na keni dhënë emrin dhe nuk kemi njoftuar një avokat të tillë. Atëherë mbani qëndrimin tuaj në lidhje me ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes. Keni thënë këto fjalë.

Gilmando Dani: Po, unë nuk i mohoj që i kam thënë.

Gjyqtarja Miljana Muça: Në raport me këtë pyetje që ju shtron kryesuesja, jepni një sqarim.

Gilmando Dani: Po, ta jap sqarimin tani. Zgjodha avokaten time që ishte… se ia harrova dhe emrin tani. Erdhi në seancë. Mungoi një herë dhe direkt sa mungoi i vutë 500 mijë lekë gjobë. Herën e dytë e morët dhe e përjashtuat. Që herën e dytë. Kurse të tjerët keni 6 muaj që i thirrni. E kuptoni çfarë po them. Ma hoqët avokatin im, ma hoqët për një herë. Kurse këto që vini ju, këto të shtetit, keni 6 muaj që s’keni ndërruar asnjë. Tani ne jemi në një kohë pandemie zonjë. Tjetri sot është mirë, nesër është sëmurë. Si mund t’i them unë atij që ka qenë me Covid hajde?! Ku e di unë si është ai me shëndet? Ai mund të ketë shkuar jashtë shtetit përderisa nuk erdhi këtu. Se nuk jam interesuar më për atë. Ju flisni pse s’erdhi ai. Unë e kisha zënë këtu avokatin, unë e kisha këtu ju ma përjashtuat. Zonjë, keni 6 muaj, urdhëro, nëse nuk e keni ju listën, jua jap unë po deshët. Janë 98 veta.

Gjyqtarja Miljana Muça: Mos u shqetësoni për listën sepse është…

Gilmando Dani: Po pse zgjidhni po ata persona dhe i keni mbytur në gjoba?

Gjyqtarja Miljana Muça: Arsyen ua tha Gjykata…

Gilmando Dani: Ku është e drejta këtu, se thoni i keni armët të barabarta. Çfarë armësh të barabarta kemi ne, që te vendi ku jemi shihet sa të barabarta i kemi. Pa marrë parasysh pastaj shkeljet që janë bërë për këtë dosje, dihen nga të gjithë. Edhe prokurori thotë është shtyrë për arsyen tonë. 270 ditë, i keni në procesverbal që është shtyrë për shkak të Gjykatës. Edhe vazhdon Gjykata prapë… O zonjë, ju si relatore duhet t’i gjeni këtij procesi një zgjidhje.

Gjyqtarja Miljana Muça: Në rregull…

Gilmando Dani: Më fal një sekondë se edhe prokurori e di shumë mirë që në ditët që keni ardhur ju, në mos gaboj këtu kanë qenë të pestë avokatët. Ka qenë momenti i parë që gjyqi do të shqyrtohej. Por në momentin që erdhët ju këtu… (ndërhyn avokati)

Gjyqtarja Miljana Muça: Mos e ndërprit të pandehurin, është shumë e rëndësishme që gjykata ta dëgjojë…

Gilmando Dani: Që sa erdhëm nuk kishte drita, ikën dritat. Edhe ju ishin e jashtëligjshme. A e dini vetë ju që ishin e jashtëligjshme, se e dhatë vetë arsyen?

Gjyqtarja Miljana Muça: Gjykata tërhiqet në dhomë këshillimi.

Dënimi për këtë çështja për të gjithë të tjerët, përveç Emiljano Shullazit, kishte përfunduar. Vetë Gilmando Dani e përfundoi në vitin 2024 dhe i ishte kthyer lirisë. Ndërsa miku i tij, Emiljano Shullazi vijon të qëndrojë pas hekurave, tashmë në lidhje më një tjetër dosje që është dërguar për gjykim nga SPAK më 15 shkurt të vitit 2025.

ATENTATET E MËPARSHME

Gilmando Dani i kishte mbijetuar edhe dy atentateve të tjera. I pari në vitin 2011, i dyti në 2015, ku u plagos edhe Emiljano Shullazi. Dosjet e të dyja ngjarjeve mbetën ende pa autorë.

Ngjarja e parë ndodhi mbrëmjen e 24 qershorit të vitit 2011, teksa ai kishte dalë për të hapur një vend që të parkonte makinën, tek shtëpia ku banonte bashkë me Shullazin, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Ngjarja në atë kohë, më shumë se një tentativë vrasje e tij, u cilësua nga grupi hetimor si një paralajmërim për të, gjithashtu edhe ndaj mikut të tij të ngushtë, Emiljano Shullazi. Në ngjarje dyshohej të kishin marrë pjesë më shumë se dy persona. Fakt që provohej nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, të qitura nga dy armë të ndryshme, njëra prej të cilave automatike. Autorët i kishin zënë pritë Gilmando Danit në dy pozicione të ndryshme, fare pranë shtëpisë së tij. Në vendin e ngjarjes është parë një makinë, nga brendësia e së cilës është qëlluar me breshëri, si dhe dyshohet edhe për një person tjetër, që e priste në këmbë në brendësi të një tuneli pallati, përballë shtëpisë së tij. Sipas policisë Dani është qëlluar nga dy drejtime dhe ka mbetur i plagosur.  I pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore në Spitalin Ushtarak, 33-vjeçari Gilmando Dani, ka treguar se nuk ka arritur të identifikojë personat që e kanë qëlluar. Sipas tij, në atë moment është zënë në befasi dhe gjithçka ka qenë e papritur. Ndërsa nuk ka mundur të shikojë fytyrat e tyre për shkak të errësirës.

Atentati i dytë ndaj dy miqve, Gilmando Dani dhe Emiljano Shullazi ndodhi 4 vitë më vonë.

Rreth orës 20:22, të datës 5 janar 2015, në sallën operative të Policisë së Tiranës ka telefonuar një qytetar, i cili deklaronte se tek mbikalimi i Rinasit, sa kalon lokalin e Hasan Hakës, ka të shtëna me automatik. Policia dërgoi në vendngjarje specialistin e zonës dhe nga verifikimi, rezultoi të ishte qëlluar në drejtim të mjetit tip ‘Golf’, me targa AA 629 HR, por polici nuk kishte konstatuar persona të dëmtuar.

Më pas, në një komunikim të dytë, u njoftua se drejt Spitalin Ushtarak, po transportoheshin të plagosur me armë zjarri, shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, që ndodheshin në makinën që kishte dalë jashtë rruge.

Grupi hetimor nisi procedim penal për zbardhjen e ngjarjes e kapjen e autorëve. Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Bërxullë, në rrugën “Nënë Tereza”, në afërsi të mbikalimit të Rinasit dhe u klasifikua si tentativë vrasje. Ishte qëlluar me armë ndaj Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, kur ata po ktheheshin nga Fushë – Kruja, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës me automjetin e tyre tip “Golf 4”, ngjyrë gri. Pak metra para se të mbërrinin tek Qafa e Kasharit, një makinë tjetër u kishte zënë pritë. Nga kjo makinë është qëlluar me breshëri dhe të dy miqtë, Shullazi e Dani, mbetën të plagosur.

Për pasojë, automjeti ku ndodhej Shullazi, ka humbur drejtimin, duke përfunduar jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë në një arë në anë të saj, nga krahu i fshatit Domje. Duke përfituar nga ky moment, autorët kanë arritur të largohen me shpejtësi dhe nuk është arritur të identifikohen.

Dy të plagosurit u pyetën në Spitalin Ushtarak, por thanë se nuk kishin parë asgjë dhe nuk kishin njohur askënd. Megjithatë Policia pati disa të dyshuar e të shoqëruar, ndonëse ngjarja nuk u arrit të dokumentohej asnjëherë. Pati dyshime se personi që qëlloi ishte Enver Stafuka, ndërsa në drejtim të makinës ishte Gentian Bejtja. Por asgjë nuk u provua dhe dosja mbeti pa autor.

Por pak minuta para se të ndodhte kjo ngjarje, një tjetër njeri i afërt i Shullzit, ishte përfshirë në një tjetër ngjarje, në mes të Tiranës.

Rreth orës 20:00, në rrugicën me emrin “Islam Alla”, pranë rrugës së “Kavajës”, Policia ka marrë njoftim për të shtëna me armë zjarri. Brenda pak minutash është mësuar se bëhej fjalë për 2 persona të plagosur dhe një të vrarë. Dy të plagosurit dhe një person i tretë, kishin shkëmbyer zjarr me viktimën. Një nga këta persona ishte Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit, i cili në atë moment ka qenë i shoqëruar nga punonjësi Policie dhe një person tjetër. Ata janë përballur me viktimën, Arjanit Sterjo, person me precedentë penalë, i dyshuar edhe si vrasës me pagesë, i cili sipas tyre ka nisur të qëllojë drejt tyre dhe ata i janë kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje.

Ndonëse ishin dy ngjarje që ndodhën thuajse paralelisht me njëra-tjetrën dhe kishin si të përbashkët vetë Emiljano Shullazit, Policia tha në atë kohë se nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën.

Gjatë historikut 20-vjeçar, që emrat e Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit u lidhën pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin, mund të jenë thurur plane e të tjera mund të kenë dështuar për eliminimin e tyre, por të paktën këto dy ngjarje patën pasoja dhe u shoqëruan me veprime hetimore. Çdo plan tjetër mbeti ndër vite në arkiva, thjesht si informacion operativ dhe asgjë më shumë.

AGJENTI I AMP NËRRON JETË NË SPITAL

Personi që drejtonte makinën e sharruar nga plumbat pranë Aeroportit të Rinasit, është 42-vjeçari Mustafa Shaljani, i njohur edhe me emrin Muçi dhe mbiemrin Sheqeri. I plagosur rëndë në këtë atentat, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë natës duke gdhirë data 15 nëntor. Ai rezultoi të kishte udhëtuar me Gilmando Danin drejt Barcelonës në Spanjë, më 7 nëntor 2025 dhe ishin kthyer po bashkë ditën e ngjarjes, më 11 nëntor 2025. I plagosuri mori plumba në trup dhe në kokë, iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe u mbajt për 4 ditë i intubuar në reanimacionin e Spitalit të Traumës, ku dha frymën e fundit. Prej dy muajsh ai ishte emëruar agjent në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Përballja me këtë fakt e bënte edhe më të rëndë ngjarjen dhe vuri menjëherë në lëvizje strukturat e Ministrisë së Brendshme. Pas ngjarjes, dy oficerë Policie u arrestuan për shkeljet e konstatuara në procedurën e emërimit të Mustafa Shaljanit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Efektivat e Komisariatit nr.3 dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar dokumentet e Besueshmërisë për rekrutimin e tij. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Nënkomisari Bruno Cara me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektori Ashim Zajmi me detyrë Ndihmës specialist i Policimit në Komunitet, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Por arrestimi i tyre është shpallur i paligjshëm nga Gjykata e Tiranës, e cila më 15 nëntor nuk vendosi asnjë masë sigurimi ndaj tyre duke i lënë të lirë.

Vërtetimi i Besueshmërisë është një proces ligjor i kontrollit dhe verifikimit të figurës së punonjësve të Policisë së Shtetit, ose të kandidatëve që synojnë të punësohen në këtë strukturë. Por pavarësisht se Mustafa Shaljani rezulton se kishte ndërruar emrin, procedurat kanë vijuar normalisht duke u fshehur këto të dhëna. Sipas verifikimeve që ka bërë AMP në lidhje me procesin e rekrutimit të tij në muajin shtator të vitit 2025, kur Agjencia kishte një drejtor të komanduar, janë konstatuar shkelje të procedurave ligjore. Ndërkohë AMP ka bërë kallëzim edhe në Prokuorinë e Tiranës, për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri. Sipas hetimeve, Mustafa Shaljani është rekrutuar si agjent pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore pa pasur certifikatë sigurie.

Emri i tij doli në skenë për herë të parë në dhjetor të vitit 2011, kur u procedua penalisht nga Policia e Tiranës, bashkë me vëllain e tij binjak, Shemsi Shaljani, për një incident të ndodhur mes tyre me ish-deputetin e asaj kohe, Saimir Tahiri, të cilin e kanë fyre dhe kapur nga krahu.

Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve të Spanjës informacione për të zbuluar lëvizjet e Gilmando Danit dhe Mustafa Shaljanit për qëndrimin e tyre në Barcelonë dhe janë në pritje të një përgjigjeje.

Ndërsa pas veprimeve hetimore disa ditë pas ngjarjes dhe kontrollit të territorit, Policia e Tiranës zbuloi një bazë armatimi, në fshatin Zall të Fushë-Krujës. Brenda saj u konstatuan armë shpërthyese, armësh zjarri dhe municion luftarak. Policia theksoi se banesa, që ishte kthyer në “depo” armësh është në pronësi të Ylli Zallës, 47 vjeç, i cili dyshohet të këtë furnizuar me armë grupin e ekzekutorëve të Gilmando Danit në Rinas. Ka të dhëna që makina e atentatorëve të ketë qenë në pronën e tij dhe nga aty është nisur më pas drejt vendit ky u realizua vrasje. Ylli Zalla nuk është arritur të gjendet nga Policia dhe është shpallur në kërkim. Zalla është një person me precedent penal, i arrestuar më herët për arsenal armësh dhe prodhim lëndësh plasëse. Ai ka qenë i skeduar edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS. Por disa vite më parë është proceduar penalisht edhe për  kërcënimin me jetë të ish-pronarin e fabrikës së çimentos në Fushë – Krujë.

TRI PISTAT HETIMORE

Vrasja e Gilmando Danit konsiderohet si një nga ato krimet të rënda, të vëshira dhe të ndërlikuara për t’u dokumentuar. Me eliminimin e tij, atentatorët dhe porositësit kanë synuar të godasin edhe vetë Emiljano Shullazin që ndodhet në burg. Dani ishte njeriu i tij më i besuar, krahu i djathtë që nuk e kishtë lënë kurrë në baltë dhe me gjasë mund të çonte deri në fund çdo porosi të tij duke drejtuar gjithçka nga jashtë.

Përveç pistës së larjes së hesapeve mes grupeve, hakmarrjes për ngjarje që ndër vite mund të jetë hetuar por asnjëherë nuk janë vënë nën akuzë, si Shullazi ashtu dhe Dani, grupi hetimor ka dhe një pistë të tretë. E ajo lidhet me një krim të mundshëm për të parandaluar planë vrasjesh që në disa momente u ekspozuan nga platforma SKY në dosjen e SPAK, që goditi disa grupe kriminale gjatë operacionit “Revanshi”, në maj të vitit 2024.

Plane që personazhe të botës së krimit mund t’i ketë hamendësuar, por në momentin që mesazhet bëhen publike, kushdo e ndjen veten edhe më të rrezikuar. Dhe një nga ata personazhe që kishte zhvilluar biseda të tilla në SKY gjatë vitit 2020, edhe pse i izoluar në burg, ishte edhe Emiljano Shullazi.

Nga i gjithë grupi i tij, që u arrestuan me akuza të rënda në vitin 2016, disa prej të cilave ranë rrugës, të gjithë përfunduan dënimin dhe lanë qelinë njëri pas tjetrit. I vetmi që vijon të mbahet i izoluar është Emiljano Shullazi, për të cilin tashmë janë dy procese që po zhvillohen në Gjykatën e Posaçme. I pari që lidhet me vrasjen e vitit 2005 të biznesmenin Vajdin Lame dhe mikut të tij Artan Arsi dhe i dyti lidhur me dosjen e operacionit “Revanshi”, që ekspozoi aleancat e disa grupeve kriminale që bashkëvepronin për vrasjet e kundërshtarëve. Procesi i parë, ai i vrasjes së Vajdim Lames, ku përveç Shullazit janë në gjykim edhe 4 persona të tjerë, është drejt përfundimit, në fazën e dëshmive.

Ndërsa procesi tjetër është i ndarë në dy pjesë, një në themel dhe një tjetër në fazë seance paraprake. Më 15 shkurt 2025 SPAK mbylli hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen me 14 pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal. Sipas dosjes së SPAK:

DOSJA E SPAK

Të pandehurit Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi dhe Blerim Abazi, gjatë muajve janar-korrik 2020 dhe i pandehuri Naim Stafuku, gjatë muajit gusht 2020 në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Durim dhe Valter Bami. Të pandehurit Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi në bashkëpunim me persona të tjerë si grup kriminal kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen e Preng Gjinit. Të pandehurit Leonard Duka dhe Drianto Bardhi dhe grupi kriminal i drejtuar nga Leonard Duka kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi. Gjergji Cukali, në bashkëpunim me persona të tjerë planifikuar vrasjen e Elvis Gaçajt dhe Altin Gegës. Viktor Imeraj dhe Satilno Basho planifikuan të vrisnin Fatmir Hysenin dhe Armando Hysenin. Xhelal Rraja, në bashkëpunim me persona të tjerë planifikoi vrasjen e Arben Ndokës. Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë ka goditur familjarin e një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një çështje në ngarkim të Shullazit. Astrit Balliu i akuzuar për armëmbatje pa leje dhe në bashkëpunim me shtetasin Miri Bruli ndihmuan Aldo Avdylin të ikte në Malin e Zi nëpërmjet Liqenit të Shkodrës. Gjithashtu Astrit Balliu ka thyer masën e arrestit.

Pjesë e kësaj dosje janë disa episode, mes të cilave edhe plani për vrasjen e Durim Bamit. Në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.

Shullazi – Marklen Haka

Emiljano Shullazi: Kape… mos ja zgjat, se jam këtu dhe robt që janë jashtë, me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardhë në Nikël dhe me mbaru punë. Po të jem vetë e mbaroj aty te dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg, Rraja (Redjan Rraja), thotë që Duri është më i fuqishmi aty. I bën Reklamë.

Ai Duri i ka çuar haber atij Nokës (Arben Ndokës) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë.

Si t’ja bëjmë me e kap k… me e rrjep me e torturu, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan.

Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka.

Shullazi – Arben Ndoka

Emiljano Shullazi: Po më thotë tani që rri aty te Oxhaku shumë dhe del edhe pa blind te lokal “A…” dhe me shumë se 20 minuta nuk rri. Rri me çunin e xhajës së vet, atë Koçin (Gentian Koçi) dhe Ervin Kodrën nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai m… se del një ditë dhe rri gjithë javën pa dalë. Shohim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë e kush ka gjuajtur. I flet Valteri të gjitha pastaj sa t’i thuash e ke radhën ti.

Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë. Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Një tjetër episod i dosjes së SPAK, lidhet me bashkëpunimin e Ervis Martinajt me Satilno Bashon për vrasjen e Fatmir Hysenit, i njohur si “Doqja”, për të cilin shfaq interes edhe Emiljano Shullazi.

Për të dokumentuar aktivitetin kriminal të Satilno Bashos, SPAK ka verifikuar edhe komunikimet e tjera që ai ka kryer, ku mes tyre bien në sy komunikimet me Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në burg. Nga bisedat Prokuroria ka vënë re bashkëpunimin e tyre me qëllim lokalizimin e Fatmir Hyesnit , Armando Sulejmanit dhe personave të tjerë të lidhur me ta. Nga konteksti i bisedave vihet re që Emiljano Shullazi ka dyshime se këta të dy persona janë përfshirë në vrasjen e Edison Harizajt, ngjarje e ndodhur më 6 nëntor 2018, në Durrës.

Harizaj njihej ndryshe si “Edison Faqedjeguri” apo edhe “Edisoni i 7 pallateve” në Vlorë. Vrasja e tij ndodhi në zonën e plazhit, në rrugën e njohur si ‘Rruga e Çamëve’ dhe nga të shtënat mbeti i plagosur edhe miku i tij, Genci Caci. Automjeti tip “Audi”, në të cilën udhëtonin Edison Harizaj dhe Genci Caci, u qëllua me breshëri kallashnikovi. 39-vjeçari Edison Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend. Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010.

Emiljano Shullazi: Njërin duhet ta marrim (marrim peng) që të dimë kush qëllon dhe të dimë se ku të trokasim pastaj. Ku ma gjen dot “Doqen”?

Me Bashon ai shkëmben mesazhe në prill të vitit 2020, duke biseduar edhe për çështje të tjera, siç ishte vrasja e Leonard Dukës, pasi sipas Shullazit do të merrnin pagesë të mirë. Por sipas tij, fillimisht duhej të mbyllte problemet me gjyqin, pasi në atë kohë Satilno Basho ndodhej me masë “arrest shtëpie”.

Emiljano Shullazi: Është ky Nardi Duka nga Tirana, thonë që rri në Spanjë. Kemi çuna që e bëjnë andej? Nuk e di për adresë por po e gjetëm e marrim aty. Mbaro këtë arrestin një herë. Pastaj këtej nga Durrësi të bëjmë ndonjë gjë. Jam dobët me informacionin aty dhe s’po çaj dot, s’po dalin fare pisat.

Nga komunikimet që kryejnë në datat 17 dhe 18 maj 2020, Shullazi me Bashon diskutojnë në lidhje me automjetet, që t’i përdorin në vrasje. Diskutojnë në lidhje me gjetjen e një furgoni, ambulance dhe një “Range Rover”, që ta lyejnë me ngjyrë të bardhë, të ngjashme me makinat e Policisë.

Emiljano Shullazi: Duhet kapur ai “Çipuri” (Armando Sulejmani) që të tregojë se kush ka gjuajtur, duhet me e marrë vesh se kush gjuan…. Duhet me e gjet atë që ka gjuajtur vëlla se s’bën. Pra ti thua që “Çipuri” me vëllain e “Buzderrit” (Sokol Sinomatajt) kanë gjuajtur?

Në vazhdim Shullazi e pyet edhe për Durim Bamin.

Emiljano Shullazi: Me atë Durim Bamin, është ai nga Fushë – Kruja, di ndonjë që ka muhabet andej nga Vlora? Se për atë mbushin 1 milion euro. Këtë muhabet e bëj me ty dhe nuk dua që ta marrë vesh njeri ç’a flasim bashkë. Dur Bami të pret në besë duke ngrënë bukë, ai ka 100 hasmër, do bëj festë Policia. As nuk do e kërkojë njeri atë muhabet. Po hiç arrestin një herë, se kam rob unë atje që të afrojë.

Emiljano Shullazi: Mbyll atë gjyqin ti që të jesh vetë në lëvizje për ktej nga Durrësi, apo nuk e kalon qarkun e Vlorës ti? Vëlla Tirana është pak problem, ama sa kalon Casa Italian nuk e rru… kush. Andej nga kam hall unë nuk kalon Policia, vetëm një herë në ditë.

Vrasja e 11 nëntorit është më shumë sesa një atentat i radhës. Ajo rihapi plagët e një konflikti që zgjat thuajse dy dekada. Por gjithashtu ngriti shumë pikëpyetje.

Si depërtojnë grupet kriminale në zona të “blinduara”?

Si lëviz informacioni? Kush i ndihmon?

Dhe sa të pambrojtur jemi kur akte të tilla kryhen në dritë të diellit, pranë aeroportit më të rëndësishëm të vendit?

Hetimet vazhdojnë. Por ndërsa autorët mbeten në arrati, mesazhi është i qartë:

Një luftë e vjetër po rikthehet. Dhe askush nuk e di se ku mund të godasë herën tjetër./EMISIONI GJERAT TONA

Etiketa: Gilmando Danirinassiguriavrasje

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Gilmando Dani në krah të Emiljano Shullazit nga vitet 2000, 4 herë i dënuar nga Gjykatat

20:55 : 16/11/2025
AKTUALITET

Vdekja e shqiptarit në Itali/ Kush është autori i dyshuar! Gjykata e lë në arrest shtëpie

13:57 : 16/11/2025
AKTUALITET

Vrau me thikë djalin e tij, Prokuroria dërgon në gjyq Hekuran Gjonin

09:52 : 16/11/2025
Lajmet e Dites

Vrasja e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, dënohet me 25 vite burg Klaudio Përkola

16:35 : 15/11/2025
AKTUALITET

U plagosur me 10 plumba në atentatin e Rinasit, ndërron jetë në spital Muçi Shaljani

08:36 : 15/11/2025
AKTUALITET

Atentati në Rinas, Lala: Zona në black out, po hetohet për përfshirje të zyrtarëve të OSHEE

21:55 : 14/11/2025
Para

Protesta e opozitës, Gjokutaj: Bojkoti i demokratëve i shërben vetëm qeverisë, jo kauzës

TË GJITHA

Horoskopi ditor, e hënë 17 nëntor 2025

22:58 : 16/11/2025

“Kosova i plotëson kriteret”, Osmani: Anëtarësimi në NATO më urgjent se në BE

22:47 : 16/11/2025

Plagoset ushtari i FSK-së në Prishtinë

22:37 : 16/11/2025

Nga ChatGPT te “fëmija perfekt”: CEO i OpenAI kërkon të rishkruajë ADN-në e njeriut

22:28 : 16/11/2025

“Shihemi në Botëror”, Tuchel: Shqipëria është e fortë! Pësoi vetëm 5 gola, 4 ja shënuam ne!

22:19 : 16/11/2025

Merz: E ardhmja e botës po formësohet në Evropë

22:10 : 16/11/2025

Incident në ‘Air Albania’, tifozi anglez mbetet i bllokuar në portën e sigurisë (Video)

21:55 : 16/11/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com