Një vit pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, në vitin 2013, një konglomerat i madh, grupi Agrokor, me peshë sa 15% e PBB-së së vendit, falimentoi.
Keqmenaxhimi financiar para anëtarësimit e bëri të papërballueshme konkurrencën pas hapjes së tregjeve të BE-së.
Për shkak të madhësisë, falimenti i Agrokor vuri në rrezik gjithë ekonominë e Kroacisë, ndërsa u desh ndërhyrja e BE-së për ristrukturimin e grupit. Shembulli i Kroacisë është i vlefshëm edhe për vendin tonë.
Nëse qeveria shqiptare përmbush mbylljen e negociatave dhe realizon anëtarësimin brenda vitit 2030, shumica e bizneseve shqiptare, sidomos në sektorin prodhues, do të përballen me presion të fortë nga hapja e tregjeve me BE-në, nëse nuk përmbushin standardet.
Ekspozimi përballë një tregu të madh do ti vendosë sektorë të caktuar përballë një konkurrence që mund t’u rrezikojë tregun ku kanë operuar deri tani nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë për modernizim dhe përshtatje, tha Neritan Mullaj, Drejtori Ekzekutiv Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe industrisë.
Sipas tij, ndërmarrjet e vogla e të mesme, në përgjithësi, karakterizohen nga produktivitet i ulët, të përgatitura për të përballuar vetëm nevoja të vogla lokale, kanë numër të ulët punonjësish dhe vështirësi në financim.
Pa mbështetje, ato nuk do të mund të rrisin kapacitetet apo cilësinë e prodhimit dhe do ta kenë shumë të vështirë të mbeten konkurruese.
Mullai theksoi se është koha që bizneset të fokusohen tek investimi në teknologji moderne dhe automatizim, në marrjen e certifikatave dhe përputhjen me standardet e BE-së, si dhe tek diversifikimi i produkteve dhe tregjeve.
Samir Mane, president i BALFIN Group, tha më herët në një intervistë për “Monitor” se anëtarësimi në BE do të sjellë konkurrencë më të fortë, por edhe mundësi për bizneset që përshtaten shpejt.
Sipas tij, sipërmarrjet shqiptare duhet të investojnë në inovacion, teknologji dhe kapital njerëzor për të konkurruar në një treg më të madh e të strukturuar.
Ai shtoi se brenda Grupit po digjitalizohen proceset kryesore dhe po implementohen projekte me Inteligjencë Artificiale për efikasitet. Modernizimi i vazhdueshëm dhe fokusi te njerëzit janë mënyra më e mirë për ta kthyer integrimin në motor zhvillimi afatgjatë.
Zoti Nikolin Jaka, i cili drejton Dhomën e Tregtisë, thekson se këto investime mund të rikuperohen në 3–5 vjet përmes aksesit në tregun e BE-së, rritjes së eksporteve dhe përmirësimit të cilësisë së produktit.
Por bizneset, sidomos ato të mesme e të vogla, duhet të nisin përshtatjen tani për të shmangur falimentin kur tregjet të hapen.
Shumë biznese shqiptare – nga tregtarët e produkteve të falsifikuara e deri te fabrikat pa standarde dhe fermat që nuk plotësojnë kriteret e BE-së – rrezikojnë falimentimin pas anëtarësimit, nëse nuk përshtaten. Më të vështirë do ta kenë bizneset e vogla dhe të mesme për shkak të mundësive të kufizuara financiare.
Në vitin 2024, rreth 80% e bizneseve shqiptare e konsideruan integrimin në BE zhvillim pozitiv, sipas Barometrit të Ballkanit – përqindja më e lartë në rajon, megjithëse ra nga 96% në 2023.
Shumica nuk i njohin pasojat, pasi në vitet e para, kostot e përshtatjes janë të larta dhe shumë prodhues mund të mos konkurrojnë pas heqjes së tarifave doganore.
Alban Zusi, prodhues me përvojë në industrinë ushqimore, pohon se shumë biznese do të jenë në disavantazh, sepse duhet të bëjnë investime joproduktive për të plotësuar standardet mjedisore, ushqimore dhe të sigurisë në punë.
“Këto investime kërkojnë shumë financime dhe kanë kosto të lartë operative e mirëmbajtjeje, pa sjellë domosdoshmërisht rritje produktiviteti”, tha ai.
Z.Mullaj shton se bizneset shqiptare që duan të përshtaten me standardet e BE-së do të përballen me disa kosto të menjëhershme.
Pjesa më e madhe lidhet me investimet teknike, ku hyjnë blerja e pajisjeve të reja, modernizimi i linjave prodhuese, përmirësimi i kushteve higjieno-sanitare sipas standardeve të BE-së, deri te masat e sigurisë në punë dhe eficienca energjetike.
Sigurisht, këto janë investime që kërkojnë likuiditete financiare, por ai shton se, një pjesë mund të subvencionohet nga fonde të BE-së dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Luan Leka, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të industrisë prodhues, përmes grupit EHW thotë se duhet ta shohim me optimizëm aderimin në BE.
“Fakti që do të jemi pjesë e një tregu shumë më të gjerë do të mundësonte investime më eficente. Shpresoj që do të ketë edhe investime në infrastrukturë, të ndihmuara edhe nga fonde të BE, proces që ka ndodhur edhe më parë në vende të tjera”.
Por, ai shton se ka vend për një shqetësim, që do të jetë më e lehtë rruga për tu larguar forcat e punës, “fenomen që duhet ta përballojmë”.
Për të përfituar nga ky proces, hapin e parë duhet pa humbur kohë ta bëjë shteti. Ky hap duhet të jetë: “Përputhja e legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të BE”
“Mbi këtë bazë duhet të ristrukturohet sektori bujqësor dhe ai blegtoral. Ky sektor vuan edhe parcelizimin ekstrem të tokës që pengon zhvillimin e një bujqësie të përparuar.
Gjithashtu duhet të ristrukturohet industria agropërpunuese, konform standardeve më të përparuara, për të qenë konkurruese në një treg të hapur. Sa më shpejt të nisë ky proces aq më të mëdha do të jenë shanset për të përfituar nga anëtarësimi në BE”, sugjeron Z.Leka.
Kostot
Bizneset shqiptare që duan të përshtaten me standardet e BE-së do të përballen me disa kosto të menjëhershme. Pjesa më e madhe lidhet me investimet teknike, ku hyjnë blerja e pajisjeve të reja, modernizimi i linjave prodhuese, përmirësimi i kushteve higjieno-sanitare sipas standardeve të BE-së, deri te masat e sigurisë në punë dhe eficienca energjetike.
Kostot e anëtarësimit, më të larta për prodhuesit e ushqimeve
Kostot me të cilat bizneset shqiptare do të përballen nga anëtarësimi në BE lidhen kryesisht me përshtatjen me standardet europiane dhe mund të arrijnë deri në 700 mijë euro në fazën e parë, sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Për sektorin e prodhimit dhe shërbimeve të vogla e të mesme, pasojat mund të jenë më të rënda, siç tregon përvoja e Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë.
Standardet e BE-së për sigurinë ushqimore, cilësinë e produktit, gjurmueshmërinë dhe efikasitetin energjetik kërkojnë linja prodhimi moderne.
Për një ndërmarrje prodhuese me 40–60 punonjës, modernizimi i makinerive dhe instalimi i sistemeve të kontrollit cilësor përkthehet në 150–300 mijë euro shpenzim fillestar. Në sektorë me rrezik më të lartë (ushqim, pije, kimikate), shifra mund të arrijë 400–700 mijë euro.
Certifikata si ISO 22000 për sigurinë ushqimore, CE për produkte industriale apo HACCP për përpunim ushqimor janë të domosdoshme. Çdo certifikim kushton 5–20 mijë euro për implementim dhe auditim, plus 2–5 mijë euro në vit për rinovim.
Trajnimet për sigurinë në punë, menaxhimin mjedisor dhe raportimin financiar sipas standardeve të BE-së llogariten 500–1,000 euro për punonjës në vitin e parë.
Direktivat europiane për ujërat e ndotura, emetimet dhe riciklimin mund të kërkojnë stacione filtruese, depo mbetjesh ose kontrata riciklimi. Për një kompani prodhuese të mesme, kostoja fillestare varion 50–200 mijë euro, ndërsa mirëmbajtja vjetore 10–20 mijë euro.
Rregullat e raportimit financiar dhe të drejtave të punës shtojnë zakonisht 5–10% në shpenzimet vjetore operative. Harmonizimi i tatimeve (TVSH minimale 20%, akcizat) mund të rrisë kostot në disa sektorë.
Në total, për një biznes prodhimi të mesëm, hyrja në BE nënkupton një investim fillestar prej 200–600 mijë eurosh gjatë 2–3 viteve të para e pas anëtarësimit, plus 10–15% rritje të kostove operative vjetore për mirëmbajtje standardesh, auditime dhe trajnime.
Për një kompani shqiptare në agroindustri me rreth 50 punonjës, që merret me përpunimin e qumështit ose mishit, përmbushja e plotë e standardeve të BE-së kërkon një paketë investimesh edhe më të lartë, rreth 700 mijë euro, ndërsa kostot operative vjetore mund të rriten me 120–200 mijë euro.
Kjo varet nga niveli aktual i teknologjisë: impiantet moderne janë më pranë kufirit të ulët, ndërsa pajisjet e vjetra kanë kosto më të larta.
Paulin Gega, i GEGA OIL GROUP, thekson se sipërmarrjet që përqafojnë inovacionin, forcojnë menaxhimin financiar dhe rrisin standardet e shërbimit do të jenë fituesit e procesit të integrimit.
“Ky është një moment vendimtar për ekonominë shqiptare dhe një mundësi që bizneset të shndërrohen në aktorë konkurrues jo vetëm në rajon, por edhe në tregun europian”, tha ai.
Kostot
Në total, për një biznes prodhimi të mesëm, hyrja në BE nënkupton një investim fillestar prej 200–600 mijë eurosh gjatë 2–3 viteve të para e pas anëtarësimit, plus 10–15% rritje të kostove operative vjetore për mirëmbajtje standardesh, auditime dhe trajnime. Për një kompani shqiptare në agroindustri me rreth 50 punonjës, që merret me përpunimin e qumështit ose mishit, përmbushja e plotë e standardeve të BE-së kërkon një paketë investimesh edhe më të lartë, rreth 700 mijë euro, ndërsa kostot operative vjetore mund të rriten me 120–200 mijë euro.
Përfitimet nga tregu 450 milionë banorësh
Anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE pritet të sjellë një transformim gradual, por të thellë, për bizneset e vogla dhe të mesme (SME). Përveç kostove, do të ketë edhe përfitime për ato që arrijnë të përshtaten.
Dhoma e Tregtisë analizon se hyrja në tregun unik europian hap hapësira të mëdha për eksport.
Bizneset shqiptare nuk do të përballen më me tarifa doganore apo kuota, ndërsa procedurat doganore do të thjeshtohen. Një prodhues i vogël tekstilesh apo një punishte artizanale ushqimore do të ketë akses të drejtpërdrejtë në një treg prej mbi 450 milionë konsumatorësh.
Standardet e BE-së për cilësinë, sigurinë ushqimore, gjurmueshmërinë dhe etiketimin janë shumë më të larta se ato aktuale shqiptare, prandaj çdo kompani eksportuese duhet të investojë në pajisje, laboratorë testimi, sisteme kontrolli cilësie dhe certifikime ndërkombëtare.
Rritja e konkurrencës është e pashmangshme. Tregu shqiptar do të hapet për kompani europiane me kapital më të madh, teknologji të avancuar dhe përvojë menaxheriale, duke ushtruar presion mbi bizneset vendase për të rritur produktivitetin, për të përmirësuar shërbimin dhe për të optimizuar kostot.
Për disa ndërmarrje, kjo mund të nënkuptojë rrezik mbylljeje, por për të tjera do të nxisë partneritete strategjike, investime në teknologji digjitale dhe rritje profesionale të stafit.
Integrimi në BE sjell akses më të gjerë në fonde zhvillimi: fondet strukturore dhe të kohezionit ofrojnë mundësi për bashkëfinancim të pajisjeve moderne ose trajnime të stafit.
Përfitimi i këtyre fondeve kërkon kapacitete menaxheriale dhe aftësi për të përgatitur projekte konkurruese, çka mund të jetë sfidë për shumë SME.
Legjislacioni i BE-së për mjedisin, punësimin dhe mbrojtjen e konsumatorit nënkupton detyrime të reja për trajtimin e mbetjeve, raportim financiar transparent, respektim të plotë të të drejtave të punonjësve dhe sigurime më të larta. Në afat të gjatë, kjo krijon klimë më të drejtë konkurruese dhe ul rrezikun e gjobave apo konflikteve ligjore.
Në një plan më të gjerë, anëtarësimi përmirëson perceptimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit, duke ulur koston e kapitalit dhe duke e bërë më të lehtë për SME-të të tërheqin investime ose kredi me interesa më të ulëta.
Lëvizja e lirë e punëtorëve mund të sjellë sfida me emigrimin e punonjësve të kualifikuar, por edhe mundësi për të rekrutuar specialistë nga vende të tjera të BE-së.
Përfitimet
Hyrja në tregun unik europian hap hapësira të mëdha për eksport. Bizneset shqiptare nuk do të përballen më me tarifa doganore apo kuota, ndërsa procedurat doganore do të thjeshtohen. Një prodhues i vogël tekstilesh apo një punishte artizanale ushqimore do të ketë akses të drejtpërdrejtë në një treg prej mbi 450 milionë konsumatorësh./Monitor.al/














