Partia Demokratike ka mbledhur grupin parlamentar këtë të hënë.
Në fokus është Kuvendi pasi pas seancës së fundit, ku sipas demokratëve seanca u ndërpre “sipas oreksit politik” të mazhorancës dhe e akuzon atë për ndërprerje të diskutimeve të deputetëve të opozitës.
Kreu i PD-së, Sali Berisha tha se mazhoranca do që të shtypë me të gjitha potencialet opozitën dhe opozitarizmin.
Mblidhemi sot në këtë mbledhje jashtë radhe apo të jashtëzakonshme të grupit parlamentar për shkak të një situate të jashtëzakonshme në të cilën ne ndodhemi për shkak të vendosmërisë të pandalshme të narkoqeverisë për të shtypur me të gjitha potencialet opozitën dhe opozitarizmin.
Për ta shndërruar atë në një vegël apo në një instrument pa vlerë për asnjë funksion për qytetarët, mbrojtjen e interesave të tyre, për t’ia mbyllur asaj gojën, de facto për ta asgjësuar atë politikisht si forcë politike parlamentare.
Ne jemi dëshmitarë që me seancën e fundit u bënë 10 seanca parlamentare në të cilat qeveria në 9 prej tyre i mohoi opozitës çdo debat për çdo çështje që erdhi në parlament, duke filluar nga programi i qeverisë, miratimi i Këshillit të Ministrave, duke përfunduar tek miratimi i buxhetit dhe çdo gjë tjetër.
Ju jeni dëshmitarë sepse në 10 seanca ka pasur vetëm një seancë me debat dhe kjo ka qenë seanca ku është diskutuar për institucionet e drejtësisë.
Janë kaluar ligje, projektvendime, akte normative dhe në asnjërën prej tyre në mënyrë absolute nuk është lejuar opozita të debatojë, të marrë fjalën, të paraqesë mendimet, të mbrojë interesat e zgjedhësve të saj që kanë votuar kundër një qeverie si kurrë ndonjëherë në historinë 33-vjeçare të parlamentit pluralist. – tha Berisha ndër të tjera.














