Edi Rama thotë se Gjykata Kushtetuese, pasi vendosi të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duhet të vendosë edhe lirimin e tij kur të shqyrtojë këtë çështje.
Në një reagim në X, një ditë pas vendimit të Kushtetueses, Rama thotë me krenari se u vërtetua se ai nuk ka kapur të gjitha pushtetet, siç e akuzon opozita.
Por sa e vërtetë është kjo?! Duket se gjyqtarët kushtetues, nuk bënë asgjë tjetër, veçse pranuan “shkeljen e syrit” nga Rama, i cili nuk kishte ndërmend të bënte zgjedhje në Tiranë. Ata vendosën të mbanin në detyrë Veliajn, që, në fund të fundit, do të thotë që kryebashkiak “de facto” do të jetë Edi Rama.
Kujtojmë se vendimi i trupës kushtetuese, i marrë më 3 nëntor 2025, ishte paralajmëruar më herët nga “Boldnews.al”.
Reagimi i Ramës:
Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo?
2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo?
3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo?
Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.
Kush fiton nga vendimi i Kushtetueses?
Edi Rama, megjithëse duket paradoksale, është i fituari kryesor nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të Erion Veliajt. Megjithëse, ishte vetë iniciatori i shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës, Rama u duk fare i painteresuar që të vijonte fushatën elektorale për Bashkinë e kryeqytetit.
Kandidatja e tij për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, nuk po shkrepte fare gjatë “fushatës”, ndërkohë që kuotat e Florian Binaj, kandidatit të pavarur dhe të mbështetur nga opozita, po arrinin nivele të larta.
Me “mbajtjen në detyrë” të Veliajt, Rama nuk ka asnjë kokëçarje për të mbajtur Bashkinë e Tiranës me të emëruarit e tij, deri në vitin 2027, kur i përfundon mandati kryebashkiakut të arrestuar.
Erion Veliaj duket se është gjithashtu i fituari i këtij vendimi gjyqësor. Ai arriti të mbajë mandatin e kryebashkiakut, megjithëse besohet se nuk ka asnjë shans për ta ushtruar, përsa kohë mban mbi shpatulla akuzat e korrupsionit për një numër të konsiderueshëm episodesh.
Ndërkohë, vendimi i Kushtetuese në favor të tij, i heq të drejtën Veliajt që t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, ku shpresonte që të merrte një “fitore ndërkombëtare”, për hallin e tij me burgun./Boldnews.al
LEXO EDHE:
Vendimi i Kushtetueses/ Rama, fituesi kryesor, Veliaj gjysmë-fitues, Begaj-Rusmali qesharakë
“Mëshira” e Liderit/ Si Rama do i lejojë një “fitore” të vogël Veliajt në Kushtetuese
	    	













