Gazetari Bledian Koka, i ftuar në studion e SYRI TV në emisionin “Ora 19”, ka komentuar zhvillimet e fundit në qeverinë e Edi Ramës, lidhur me dosjet “Veliaj” dhe “Balluku”.
Ai e cilësoi situatën si një “patate të nxehtë” për kryeministrin, duke nënvizuar se tensioni politik ka ndikuar deri në braktisjen e një forumi të rëndësishëm në Bruksel nga Rama.
Koka theksoi se justifikimi i kryeministrit për mungesën e tij, një problem me avionin personal, nuk i bind as qytetarët shqiptarë, duke u shprehur:
“Kjo është një gënjeshtër që mund t’ua thotë të huajve, por realisht tregon se situata në qeveri është shumë e nxehtë.”
Gazetari gjithashtu komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për padinë e Erion Veliajt, e cila e riktheu atë në detyrë, duke e cilësuar shkarkimin si të paligjshëm.
Sipas Kokës, vendimi nuk ka të bëjë me pafajësinë e Veliajt për akuzat e ngritura nga SPAK-u, por lidhet me mënyrën e kryerjes së procedurave për shkarkimin e tij.
“Konstatimin më të drejtë e ka bërë vetë gazetarja kur thotë që me sa duket për shkak të një çështje politike të nxehtë që ekziston në vendin, pra ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri me zv/kryeministren e Shqipërisë nën akuzë tashmë për favorizim në tendera, është një lajm që nuk ka ngelur vetëm brenda Shqipërisë, por ka kaluar dhe kufijtë. Dhe në fakt justifikimi i Ramës në raport me këtë, kur i thotë që unë nuk udhëtova dot për shkak të një problemi me avionët. Pra Edi Rama që ka një charter personal, ka një problem me avionin, kjo është si me thënë, kjo është një gënjeshtër që mund t’ua thotë atyre, por ne që e dimë se çfarë salltanetesh ka në dispozicion kryeministri për të udhëtuar dhe në qoftëse, dhe aq më tepër për një forum jo pak të rëndësishëm, ai që do të merrte pjesë, ai të mos shkojë atje tregon realisht që situata ose thjesht konfirmon më tepër që ajo që po ndodh, që edhe pse nuk duket shumë, por tensioni është në ajër, është, është vërtetë e nxehtë, pra është një patate e nxehtë edhe për duart e Edi Ramës,’ tha Koka.














