• Kontakt
Monday, November 3, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Sizifi i dorëheqjes

08:57 : 03/11/2025
në AKTUALITET, BOLD BLOG, POLITIKE

Nga Genc Pollo

1-Tribulacionet e Lalit

Seanca e 31 tetorit në Gjykatën Kushtetuese midis kryebashkiakut të Tiranës ende në ofiq dhe avokatëve të Kryeministrit e të Presidentit ishte interesante: debati u fokusua mbi përputhjen e kundërthënien e përcaktimeve në Kushtetututë e në ligjin për pushtetin vendor mbi shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë e zbatimin tyre në këtë rast. Po ashtu për të vërejtur zhgënjimin e Veliajt me të vetët dhe keqfunksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë. Por këto argumenta më duket që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes që është nëse lipset të vazhdojë në ofiq Erion Veliaj apo lipset të zëvendësohet nga dikush tjetër përmes komandimit apo zgjedhjeve. I gjithë ky debat do të ishte evituar paqëm sikur Veliaj të kishte dhënë me kohë dorëheqjen, e cila do të ishte gjëja më normale në një demokraci funksionale europiane. Po as ndërgjegja personale e Veliajt dhe as sensi politiko-moral i partisë, kolegëve dhe eprorit të tij nuk është afër këtij normaliteti.

Në maj të këtij viti, tre muaj mbas arrestimit të Erion Veliajt, këshilltarët demokratë paraqitën një mocion shkarkimi me shkak formal mungesën tremujore por me motivin thelbësor se afera e rryshfetit afro 1 milion euro të marrë nga e shoqja e kryebashkiakut, e paraqitur në detaj nga hetimi i SPAKut dhe e bërë objekt permanent i debatit publik, rrënonte aq shumë besimin e publikut sa që e bënte të pamundur mbajtjen e mëtejshme të ofiqit nga Veliaj. Për më tepër që ishte në vijim të skandaleve të inceneratorit e të 5D-së. Motivi i këshilltarëve demokratë ishte politiko-moral, më saktë politik i bazuar në moral, si dhe i arsyeshëm në ato rrethana. Kryebashkiaku ishte kapur me presh në duar, e nuk ishte justifikuar fare kundrejt themelit të akuzës. Edhe versioni dashamirës se rryshfetin e kishte lypur dhe e kishte marrë e shoqja prapa shpinës së burrit (edhe kaq do të mjaftonte për humbjen e besimit) rrëzohej sepse Veliaj nuk i kishte dënuar veprat penale që përmbante akt-akuza dhe autorët e tyre. Përkundrazi, në gjyq ai e quajti bashkëshorten e tij të bashkëpandehur “kryezonjë”.

Lexo edhe:

U mor e pandehur nga SPAK, PD kërkesë për interpelancë urgjente me Belinda Ballukun

Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK, shfaqet me “look” të ri

Mocioni i këshilltarëve demokratë me t’u dorëzuar u arkivua dhe nuk mundi të debatohej as në komisione e as në Këshill (Ky ishte rasti i mbramë i shkeljes së rregullave në dëm të të drejtave të opozitës. Në Këshillin Bashkiak Tiranë kjo gjendje ishte krahasimisht më e rëndë se në Kuvendin e Republikës. Veliaj ankohej me të drejtë për keqtrajtimin nga kolegët socialistë në bashki por kujtesa e tij nuk shkon më herët se mbledhja e fundit e Këshillit).

Në shtator të këtij viti këshilltarët socialistë, në zbatim të porosisë publike të kryetarit / Kryeministrit paraqitën një mocion utilitar për shkarkimin e Veliajt. Motivacioni i tyre ishte thjesht nevoja administrative për të patur fizikisht “kryetarin në zyrë” dhe nuk lidhej fare me akuzën e SPAKut dhe implikimet politiko-morale të saj. Kjo e fundit, për ta, zerohej nga një interpretim maksimalist dhe fort i leverdishëm i prezumimit të pafajsisë: sipas tij edhe pse ka prova bindëse për krimin e ofiqarit, madje edhe krim në flagrancë, ai/ajo mund të qendrojë në ofiq deri ne vendimin gjyqësor të formës së prerë.

Mocionin socialist të shtatorit e votuan edhe këshilltarët e opozitës (edhe në këtë rast porosia publike erdhi nga partia qendrore) megjithë natyrën joparimore e problematike të tij. Mbase nga ndrojtja se mos dukeshin si tepër pro Veliaj meqë ishin shprehur me të drejtë për respektimin e garancive procedurale për të.

Nëse imagjinojmë një çast se socialistët në Këshill e në Qeveri do të aprovonin mocionin demokrat të majit,  debati në Gjykatën Kushtetuese do të ishte më pak mbi procedurën e më shumë për  thelbin e çështjes. E kështu më interesant për teleshikuesit.

2-dhe dilema Bela

Në prill 2024 KM Rama i bëri thirrje homologut spanjoll Pedro Sanchez të mos tutej nga kritikat e shpifjet dhe si udhëheqës i mençur  e i ndershëm i “lëvizjes tonë socialiste” të vazhdonte të qëndronte ne krye të qeverisë spanjolle. Publiku shqiptar që nuk njihte kontekstin mund të jetë habitur me këtë deklaratë. Por Sanchez i përballur me kritika e fajësime për korrupsion që implikonin edhe të vëllain e të shoqen luajti një rreng klasik: ai deklaroi se do të izolohej pesë ditë si murg e të reflektonte se “çfarë vendimi madhor do të marr për jetën time”. Kuptohet shokë e miq i thanë qëndro; dhe ai vetë  mbas murgjërisë së shkurtër tha se urtësia e këshilloi të mos jepte dorëheqjen.

Kush sheh analogji  midis situatave personale të kryeministrave mbetet në të drejtën e tij; por gjithësesi duhet të marrë parasysh se sot, mbas një viti e gjysëm, e shoqja dhe i vëllai i Sanchezit po përballen në gjyq me akuza të ndryshme për korrupsion, abuzim, trafik influence e keqbërje të tjera. Gjithësesi analogjia mbaron këtu. Sepse Sanchez, kur ministri i Infrastrukturës Abalos po në 2024 u mor i pandehur për vepra penale me tendera, e përjashtoi atë menjëherë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle dhe në vijim edhe nga partia (nga posti i ministrit e kishte hequr më herët). Opozita e djathtë pretendoi se e bëri për të shpëtuar imazhin e postin e vet; socialistët në pushtet e quajtën vendim parimor. Por pavarësisht nga motivet e pretenduara, e gjithë Spanja ra dakord që ajo ishte lëvizja e duhur.

Në këtë pikë Kryeministri ynë nuk ngjason më me z. Sanchez. Mbasi u mor vesh se znj. Balluku, Ministër i Infrastrukturës, ishte marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë ai iu përgjigj një gazetari se “ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm…”. Me të njëjtën lehtësi sikur të thoshte ne kemi punën tonë e Mongolia ka punën e saj.

Ka lexues që, si dhe plot komentues në rrjetet sociale, mund të më thonë po në kohën tuaj kush jepte dorëheqje. Edhe sikur gjatë qeverisë së PD të mos jetë vepruar mirë nuk është argument që të veprohet keq apo edhe më keq 15 vjet më vonë. Por meqë flasim për atë kohë unë kujtoj tre raste: një ministër që dha dorëheqjen mbas pretendimeve se i vëllai kishte ndërhyrë kundraligjshëm në ca tendera, një tjetër ministër para Gjykatës së Lartë po për tender rruge madhore mbasi partia e vet ja hoqi imunitetin e si përfundim nuk u gjet fajtor si dhe një drejtor i përgjithshëm që u akuzua për një ngjarje të v1995 por u shpall i pafajshëm në të tëra nivelet. Shpresoj të mos jem harraq e subjektiv por këto dosje penale ishin komplekse dhe nuk dëshmonin qartazi për fajësinë e të pandehurve.

A mund të thuhet kjo për dosjen Llogaraja? Tenderi u fitua fillimisht nga një kompani shqiptare për 140 milionë euro, u anullua befasisht e pa shpjegim e pastaj me procedurë të dyshimtë ju dha dy kompanive turke për 172 milionë euro; ato dy kompani ia dhanë punën po asaj kompanie shqiptare për 140 milionë euro (!) dhe diferencën prej 32 milionë e raportuan në tatime si 1 milionë shpenzime administative dhe 31 milionë fitim (!!!). Hetimi dhe dëshmitarët treguan se Balluku (dhe Rama) kishin fluturuar në Turqi për të takuar këto dy kompani para se të hapnin tenderin e dytë  +32 milionë. Postime në Facebook të takimit u fshinë misteriozisht mbasi ky takim u rrëfye nga ish superministri i qeverisë Rama z. Ahmetaj por ato u rikuperuan nga hetuesit përmes asistencës amerikane si dhe u gjenden sms të drejtorëve të ministrisë të cilat fundosin titullarin e saj.

Është interesant të shihet llogariidhënia qeveritare për këtë rast. Në nëntor 2024, në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë e Financat për p/buxhetin 2025, një deputet demokrat i kërkoi ministres Balluku të shpjegonte pse Llogaraja ishte tenderuar për herë të dytë dhe shumë më shtrenjtë. Përgjigja e znj. Balluku ishte:  1) kjo është shpifje; 2) batutë me aludime seksuale dhe 3) kërcënim me kallzim penal për deputetin.

Të tjera fakte mund të dalin kur të rrjedhë në media dosja e plotë e akt-akuzës. Por edhe pa to pamja është e qartë. Ashtu si edhe rivali brendapartiak Veliaj, ministrja Balluku nuk ka një nivel ndërgjegjeje personale që e shtyn drejt dorëheqjes. Edhe partia e vet, siç e tha me figuracion absurd kryetari i saj, nuk ka punë dhe nuk don të ketë punë me gjyqësorin, me faktet e zbuluara prej tij, me drejtësinë, me përgjegjësinë dhe me vetë shoqërinë. Ajo don të rrijë në flluskën e vet të tenderave +32, të propagandës dhe të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht. Deri sa t’a heqin me çdo kusht.

Etiketa: bashkia tiranebelinda ballukuEdi RamaErion Veliajgenc pollospak

Lajme të lidhura

AKTUALITET

U mor e pandehur nga SPAK, PD kërkesë për interpelancë urgjente me Belinda Ballukun

14:30 : 03/11/2025
AKTUALITET

Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK, shfaqet me “look” të ri

13:18 : 03/11/2025
AKTUALITET

Abuzimet me tenderat, zbardhen EMRAT e zyrtarëve që janë marrë të pandehur në dosjen e Ballukut

13:11 : 03/11/2025
AKTUALITET

Kemi një qeveri të pandehur, ku vetëm Kryeministri është i papandehur…?!

12:28 : 03/11/2025
AKTUALITET

Balluku e pandehur nga SPAK, a do e mbështesë PS në ushtrimin e detyrës së saj? Ja si përgjigjet Balla

12:28 : 03/11/2025
AKTUALITET

Ambasadori gjerman ‘shuplakë’ Ramës: Shqipëria ka nevojë të madhe për të investuar në njerëz dhe dije

11:49 : 03/11/2025
Para

Shifrat e EUROSTAT për varfërinë, Tabaku: Qeveria e korruptuar po bjerr ekonominë

TË GJITHA

Tërmet 4.9 ballë në Balikesir, u ndje edhe në Stamboll

14:46 : 03/11/2025

Të ardhura nga krimi, sekuestrohen 25 pasuri me vlerë 2 mln € në Vlorë

14:42 : 03/11/2025

U mor e pandehur nga SPAK, PD kërkesë për interpelancë urgjente me Belinda Ballukun

14:30 : 03/11/2025

Akomodim e masazhe indiane/ Dalin faturat që Mediu ka paguar për fushatën e 11 majit

14:14 : 03/11/2025

Policia rrethon vilat pa leje të ish-deputetit të PS në Farkë, Koçiu dhe Proda pjesë e Show-ut

14:09 : 03/11/2025

Lidhje me krimin dhe blerje votash, dënohet me 3 vite burg ish-deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja

13:58 : 03/11/2025

Clark/ShBA, në mbrojtje të Thaçit dhe bashkë-çlirimtarëve të Kosovës!

13:46 : 03/11/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com