Kryetari i Partisë Demokratike, ka theksuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së se hapja e partisë ndaj të rinjve dhe njerëzve me vlera është një prioritet thelbësor për forcën politike opozitare.
Berisha u shpreh se pa një ripërtëritje të fortë dhe pa angazhimin e secilit anëtar për të afruar individë me vlera, PD nuk do të jetë në gjendje të motivojë mbështetësit dhe të ndërtojë një imazh të ri.
“Ky objektiv realizohet kur secili deputet, drejtues i PD-së dhe anëtar kryesie në rrethe, të ofrojë vlera. Është jetike, janë jetike si ajri për ne,” tha Berisha, duke shtuar se puna duhet të fokusohet tek ripërtëritja dhe të rinjtë, si element kyç për të përballuar sfidat e opozitës dhe për të ndihmuar vendin drejt reformave.
Berisha:  Çështje tjetër themelore. Është çështja e hapjes së PD. 
Tani nëse ne nuk hapemi, nuk faktojmë para anëtarëve dhe mbështetësve tanë vullnetin e hekurt për tu hapur, vullnetin e hekurt për një imazh të ri, vullnetin e hekurt për një ripërtëritje të fortë ne nuk mund të motivojmë njeri.
Jo, të ua themi këtu. 
Prandaj ju zotërinj, secili nga ju, secili nga ata që bashkëpunon me ju, të bëjë ‘hand hunting’, të kërkojë të gjejë njerëz, vlera. Unë përpiqem, por sado këtë objektiv nuk e realizoj dot. 
Ky objektiv realizohet kur secili nga ju, secili deputet, drejtues i PD, anëtar kryesie në rrethe, të ofrojë vlera.
Është jetike, janë jetike si ajri për ne.
Ne nuk jemi në pushtet, siç bën ai që rekruton njerëz me 100 flamuj dhe i paraqet si ripërtëritje. Jo ne duhet të afrojmë idealistë, njerëz me vlera që pranojnë dhe në opozitë që të përballen me këtë të keqe të madhe.
Por një gjë duhet ta dimë se, asgjë nuk do të përcaktojë më shumë fatin dhe të ardhmen tonë se sa një ripërtëritje e fuqishme e kësaj force politike, në mënyrë që me mjetet e kryengritjes paqësore, protestave të fuqishme, këtij shteti që shkërmoqet ti japim duart, ta çojmë atje ku e meriton.
Punë të përqendruar tek ripërtëritja, tek të rinjtë. 
Faleminderit shumë.
	    	













