Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se grupi parlamentar i opozitës ka vendosur të vazhdojë aksionin në Parlament pas refuzimit nga mazhoranca të dy komisioneve hetimore.
Në një komunikim me gazetarët, Berisha theksoi se opozita do të përshkallëzojë qëndrimet e veta brenda sallës së Kuvendit dhe do të vijojë betejën “në çdo terren ku është e pranishme”.
Ai shtoi se grupi diskutoi gjithashtu për mundësinë e protestave, por vendimet për veprime jashtë parlamentit do të merren në ditët në vijim.
Pyetje: Në mbledhjen e grupit ditën e premte, pjesa më e madhe e grupit parlamentar nuk ka artikuluar përshkallëzim të aksionit brenda parlamentit. A ka pasur kryesia një qëndrim për ta përshkallëzuar aksionin në parlament?
Sali Berisha: Po, grupi ka pasur vendim për të përshkallëzuar qëndrimet e veta në parlament. Pa diskutim. Grupi vendosi që të vazhdojmë betejën fuqishëm në parlament. Ne kemi eksperiencë të jashtëzakonshme për parlamentin. A do rikthehen ato që ishin apo të tjera, por beteja në parlament nuk diskutohet, do bëjmë betejë në çdo terren që jemi.
Pyetje: A është diskutuar për protestë?
Berisha: Po, është diskutuar gjerësisht për protestën. Janë dhënë mendime pozitive, por vendimet do merren në ditët që vijnë. Ishte fushatë elektorale, por në Tiranë nuk ka më fushatë.
	    	













