Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” 41-vjeçarit Filip Shehu, i cili vrau me thikë kolegun e tij, 34-vjeçarin Indrit Ismaillari, pasditen e së martës në kryeqytet.
Në deklarimet që ka bërë para togave të zeza të Gjykatës se Tiranës, 41-vjecari ka pretenduar se shpesh herë është ofenduar dhe ngacmuar në punë nga kolegu i tij, gjë që nuk e bënte askush tjetër. “Ai nuk ka pasur asnjë punë me mua sepse nuk ishte shefi im, që të më jepte urdhra”, ka deklaruar 41-vjecari.
Ai ka thënë që nga ana e viktimës acarohej dhe sipas tij viktima mbante thikë dhe thoshte nuk e çaj kokën fare për ty. E njëjta situatë sipas tij ka ndodhur edhe ditën e ngjarjes ku janë konfliktuar.
Ndërkohë 41-vjecari e ka mësuar një ditë më parë që Indrit Ismaillari ka humbur jetën pasi e dinte vetëm që ishte plagosur dhe ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Avokati mbrojtës i tij Ilir Murati ka pretenduar se ngjarja ka ndodhur në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike dhe klienti i tij kishte 13 vite që kurohej për çrregullim bipolar. Ai ka paraqitur dhe një dokumentacion mbi kurimin e Filip Shehut qe nga viti 2013. Avokati kërkoi shtrim të detyrueshëm në spital psikiatrik si masë sigurie dhe kryerjen e një ekspertize për shëndetin mendor. Mësohet se 41-vjecari ishte i divorcuar dhe kishte një fëmijë.
Krimi u regjistruar rreth orës 15:30 të 28 tetorit në lokalin “City Lounge” në zonën e Komunës së Parisit, ku viktima punonte si kuzhinier, ndërsa autori si picier. Pas një debati për motive të dobëta, 41-vjeçari e ka goditur Ismaillarin tre herë me thikë.
34-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti dot t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Raportohet se sherret mes picierit dhe kuzhinierit ishin të vazhdueshme, ndërsa 41-vjeçari pretendonte se viktima e bullizonte.













