Nga foltorja e Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe institucioneve, duke deklaruar se shkarkimi dhe izolimi i tij ishin politikisht të motivuar.
“Punë nga e cila më shkëputen pabesisht ata që donin me të shihnin më pranga në duar dhe jo me lopatë në duar. Që nuk donin Lali Erin në zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol dashurie për qytetin. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën.
E vërteta është se mos prezenca ime nuk ka qenë zgjedhja, pra unë nuk zgjodha që të vetërrëmbehem, të vetëizolohem dhe vetëinternohem në qytetin e Durrësit në një burg në kënetë.
Por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi dispropocional nga letra anomime dhe zell persekutues që me privoi jo vetëm nga liria dhe familja, por edhe qyteti im”, tha ndër të tjera Veliaj.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
 
	    	














