Kërkesa e paraqitur nga opozita për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, është rrëzuar sot gjatë votimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Nga 14 anëtarë, 5 votuan pro dhe 9 kundër, duke bërë që nisma të mos kalojë.
Deputeti demokrat Gjin Gjoni, që depozitoi kërkesën, akuzoi Presidentin Begaj për “shkelje të rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës”. Sipas tij, kreu i shtetit ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në funksionimin e institucioneve dhe ka favorizuar qeverinë përmes vendimeve politike.
Në dokumentin e dorëzuar, opozita renditi shtatë shkelje të pretenduara, përfshirë dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, ndërhyrjen në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe miratimin e ligjit për komisionet hetimore.
Ndër akuzat e tjera, përmendet edhe dekretimi i ministres virtuale “Diella”, lejimi i përfshirjes së trupës diplomatike në fushatën e vitit 2025, si dhe dyshimet për lidhje të papërshtatshme të Presidentit dhe familjarëve të tij me sektorin privat.
 
	    	















