Sot në Gjykatën Kushtetuese, po mbahet seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në prani të përfaqësuesve ligjorë të Presidencës, Kryeministrisë dhe Avokaturës së Shtetit.
Përfaqësuesja ligjore e Presidencës, Hemion Braho, kërkoi që Gjykata Kushtetuese të shpallë moskompetencën për shqyrtimin e ankimimit të bërë nga Erion Veliaj, duke kërkuar edhe anulimin e vendimit për përfshirjen e dekretit presidencial në këtë çështje.
“Duam hapësirë për të paraqitur argumentet tona,” deklaroi Braho gjatë fjalës së saj.
Trupi gjykues më pas u tërhoq për të marrë vendim mbi kërkesën e paraqitur nga Presidenca.
Nga ana tjetër, Veliaj ishte i pranishëm në sallë dhe prezantoi avokatët e tij mbrojtës, Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi.
Në seancë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Kryeministrisë, Herald Jonuzaj dhe Vangelt Duni, si dhe avokatja e shtetit Irma Qosja.
Vendimi i Kushtetueses pritet të përcaktojë nëse do të vijojë shqyrtimi i ankimimit të bërë nga kryebashkiaku Veliaj apo nëse çështja do të rrëzohet për mungesë kompetence.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
 
	    	














