Banorët e zonës historike të qytetit të Durrësit, që preken nga shpronësimet, që do të kryhen në kuadër të projektit TID Durrës, kërkuan këtë të enjte që institucioni i qeverisjes vendore të ndalojë procedurat për shpronësimet e 74 familjeve që preken nga projekti, të cilin e cilësojnë korruptiv dhe selektiv.
Njëkohësisht u kujtuan deputetëve socialistë që janë shprehur pro projektit në fjalë, se nuk kanë ardhur t’i takojnë dhe të ulen të diskutojnë me këto familje që humbin shtëpitë dhe bizneset.
Gjatë tubimit në sheshin qendror të qytetit, qytetarët durrsakë që mbrojnë kauzën e familjeve të prekura nga projekti TID patën mundësi të firmosin peticionin kundër shpronësimeve të padrejta, siç i cilësojnë banorët e prekur vlerat e dëmshpërblimit.
Kundërshtitë e banorëve që preken nga projekti TID kanë mbërritur edhe në dyert e Gjykatës Administrative dhe SPAK-ut, por gjyqësori nuk e ka pranuar sigurim padinë e banorëve. Nga ana tjetër, SPAK ia ka përcjellë çështjen Gjykatës Administrative.
Prej më shumë se një muaji, përfaqësuesit e 74 familjeve durrsake kanë zhvilluar një sërë protestash para bashkisë, AADF, SPAK-ut etj, në të cilat kanë kundërshtuar qartë projektin TID Durrës dhe vlerat e shpronësimeve.
Njëkohësisht ata kanë kërkuar nga institucionet e përfshira që të pezullojnë zbatimin e projektit, që sipas tyre shemb shtëpitë e tyre për t’i kthyer në lulishte.












