Sali Berisha është shfaqur në Kuvend me një foto të Edi Ramës me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, të cilën e ka vendosur tek vendi i kryeministrit.
Teksa PD kërkon ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për këtë çështje, Berisha tha se McGonigal u soll në Shqipëri si një horr që shkelmoi betimin në Kushtetutën e vendit të tij, u bë një me Edi Ramën, u përfshi në akte të shëmtuara korruptive që u kushtojnë shqptarëve qindra miliona euro.
Lideri demokrat shtoi më tej se McGonigal është përfshirë edhe në procesin e vetingut, si dhe u ka vendosur gjoba biznesmenëve shqiptarë.
Sali Berisha: Grupi parlamentar i PD ka kërkuar në mënyrë të përsëritur këtë komision hetimor për njërin prej skandaleve ndërkombëtare më të mëdha të kohës. Skandal ndërkombëtar që bashkon në një kryezbuluesin e FBI të SHBA, Charles McGonigal, kreun e ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, ministra të tij, zyrtarë, gjykatës, prokurorë dhe dimensionet e këtij skandali janë ende të papërcaktuara.
Një gjë është e sigurt, McGonigal, me të cilin Edi Rama ishte krenar për miqësinë e tij, u soll në këtë vend si një horr që shkelmoi betimin në Kushtetutën e vendit të tij, u bë një me Edi Ramën, u përfshi në akte të shëmtuara korruptive që u kushtojnë shqptarëve gjer tani 40, por mundet edhe qindra miliona euro. Duke i hequr licencat një kompanie ruse dhe duke ia dhënë një kompanie tjetër ruse. U përfshi në procesin e vetingut dhe në fakt, sipas shumë të dhënave, përveç ministres së Drejtësisë, në këtë akt të shëmtuar janë përfshirë vetorë, Pamela e stërpamela, Bunga e stërbunga. Po, po, ka të dhëna tronditëse shumë.
Janë vendosur gjoba ndaj biznesmenëve shqiptarëve, dhe e gjitha kjo në mënyrë që ky njeri qëkishte humbur integritetin moral dhe besnikërinë ndaj vendit të tij, të përdorej kundër opozitës shqiptare. E vërteta është se hetimi parlamentar është i një rëndësie të jashtëzakonshme në Shqipëri. Në qoftë se McGonigal është një armik i deklaruar i presidentit të SHBA, ai është qytetar nderi i bashkive socialiste në Shqipëri.
Ku shkoi ky Damiani njëherë? Tani që duhej të ishte pikërisht këtu, ikën ai… Pikërisht ky njeri duhet të merrte ndëshkimin më të madh për aferën McGonigal, ai bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Edi Rama e ruan në fshehtësi krenarinë e tij, por duhet të themi edhe një gjë, sigurisht këtë po e heton dhe do e hetojë drejtësia amerikane, McGonigal ishte i përzgjedhuri numër një për të faktuar atë nuk kishte ndodhur kurrë, për të faktuar lidhjet e presidentit Donald Trump në atë kohë me Kremlinin dhe Moskën, bazuar në një dosje shpifëse, false të një ish-agjenti britanik. Pra, në këtë vorbull është kreu juaj, është kryetari juaj dhe nga kjo vorbull ai nuk del kurrë.
 
  
  
  
 
 
	    	















