Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sërish sot për provat e reja në lidhje me dosjen e tij, që sipas SPAK kanë mbërritur përmes letërporosisë nga SHBA.
Nga burgu, Meta i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe ironizoi hetimin, duke thënë se “provat amerikane janë si tigrat e Bangladeshit, që nuk prodhojnë asgjë”.
Sipas tij, midis kompanisë GSIS dhe LSI-së ka ekzistuar një kontratë tërësisht e dokumentuar dhe e depozituar pranë SPAK-ut, e cila, sipas Metës, do të publikohet pas seancës paraprake të gjykimit.
Ai theksoi se kontrata përfshinte një klauzolë të qartë që ndalonte çdo pagesë të parregullt, në përputhje me ligjin amerikan kundër korrupsionit.
Sipas raportimeve, provat e reja përfshijnë një letër porosi nga SHBA e datës 1 tetor 2025, ku konfirmohet se për kontratën e lobimit me kompaninë GSIS Z janë paguar 460 mijë dollarë.
Nga këto, 93 mijë dollarë janë paguar nga LSI dhe 267 mijë dollarë nga llogaria e Ardian Shatkut. Kjo kontratë i përket vitit 2016 dhe lidhet me hetimet për lobimin e LSI-së në SHBA, aferën CEZ-DIA dhe hetimin pasuror.
Reagimi i Ilir Metës:
Dje u shpërnda lajmi i “madh” për të njëqindën herë në mediat e regjimit nga SPAK-u i Duman zëmekurit një natë më parë në Kuvendin e Shqipërisë se kishte mbërritur prova “amerikane” kundër Ilir Metës me letërporosi nga matanë Atlantikut.
Dua të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se “prova amerikane” kundër Metës është si tigrat nga Bangladeshi që solli Kimetja, që nuk prodhojnë energji për shqiptarët.
Edhe kjo “provë” nuk prodhon dot as fakt penal dhe as fajësi për Ilir Metën.
Midis kompanisë GSIS dhe LSI ka patur një kontratë shumë të detajuar e të mirëpërcaktuar se si realizohej çdo shërbim dhe çdo pagesë dhe kjo është në dispozicion të SPAK-ut e do bëhet publike nga ne pas seancës paraprake të gjykimit.
Vija e kuqe e theksuar në këtë kontratë ishte respektimi i ligjit antikorrupsion në SHBA për të mos pranuar asnjë pagesë të parregullt.
Ndaj nëse është e vërtetë se GSIS ka pranuar pagesa nga biznesmeni shqiptaro-amerikan A.SH apo kushdo tjetër për llogari të LSI kjo i vlen vetëm drejtësisë amerikane për të proceduar kompaninë në fjalë për shkeljen e ligjeve amerikane por edhe të kontratës së nënshkruar me përfaqësuein e autorizuar të LSI në shkurt 2016.














