Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për “luks të pakontrollueshëm” dhe “shkëputje totale nga realiteti i shqiptarëve”.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi denoncon se Rama ka kryer katër udhëtime me charter brenda dhjetë ditësh, ndërsa vendi përballet me varfëri dhe pasiguri të thellë.
“Fluturimet luksoze të kryeministrit të vendit më të varfër të Europës! Në një kohë kur bijtë dhe bijat e shqiptarëve çdo ditë presin biletën e largimit nga vendi, Edi Rama gjen mundësinë të bëjë katër udhëtime me charter në dhjetë ditë,” shkruan Këlliçi.
Postimi i plotë:
Fluturimet luksoze të kryeminstrit të vendit më të varfër të Europës!
Në një kohë kur bijtë dhe bijat e shqiptarëve çdo ditë gjejnë mundësinë të presin biletën e largimit nga Shqipëria për shkak të varfërisë e pasigurisë në vend, Edi Rama gjen mundësinë të bëjë katër udhëtime me charter brenda dhjetë ditësh.
Ky luks i pakontrollueshëm dhe distancim nga populli i thjeshtë është pasojë e mentalitetit dhe politikave të tij të drejtpërdrejta.
Shqiptarët prej tij shihen si qytetarë të dorës së dytë, për t’u sunduar dhe mbajtur në distancë.
Legjitimitetin kryeministri e merr nga padronët e tij jashtë vendit, aty ku gatuhen politikat që shqiptarët i pësojnë dhe në vendimmarrjen për të cilat nuk marrin kurrë pjesë.
Jo më kot Rama shëtit në forumet e organizuar nga Sorosi, aty ku raporton për “arritjet” e tij dhe zbatimin e axhendave të organizatës Soros për Shqipërinë dhe rajonin.
Në kontekstin politik ndërkombëtar ku ndodhemi, organizata Soros është ekspozuar, diskredituar dhe shfuqizuar, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara e më tej në Europë.
Është koha që edhe shqiptarët të presin fijet e ndikimeve të paligjshme në qeverisjen e vendit të tyre dhe të marrin në dorë fatet e veta.














