Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë mëngjes në qytetin e Lecces, ku një punëtor shqiptar humbi jetën si pasojë e një goditjeje elektrike gjatë punës. Viktima është identifikuar si Limos Allushaj, 67 vjeç, banues në kryeqytetin e Salentos.
Sipas mediave italiane, përfshirë “Sky TG24”, aksidenti fatal ndodhi rreth orës 10:00 të paradites në Via Vecchia Frigole, ku Allushaj po punonte me një mikser çimentoje (betoniere) për ndërtimin e një muri me gurë të thatë.
Hetimet paraprake tregojnë se gjatë punës, krahu i mikserit ka prekur linjat e tensionit të lartë të energjisë elektrike, duke shkaktuar një goditje të fuqishme që i mori jetën menjëherë 67-vjeçarit.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë mjekët e urgjencës 118, por përpjekjet për ta ringjallur rezultuan të pasuksesshme. Zjarrfikësit, Policia e Shtetit dhe Karabinierët rrethuan zonën dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Autoritetet italiane kanë urdhëruar kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore dhe teknike për të përcaktuar me saktësi shkaqet e aksidentit.














