Një alarm është dhënë në burgun e Korydallos në Greqi, pasi një pistoletë dhe tetë plumba u gjetën të groposur në oborrin e sektorit të 5-të.
Zbulimi i armës ka shkaktuar mobilizim të menjëhershëm të autoriteteve, pasi në këtë sektor mbahen disa nga të dënuarit më të njohur të botës së krimit, mes tyre edhe shqiptari Klodian Lekocaj, i njohur si udhëheqës i ashtuquajturës “mafia e burgjeve”, i cili gjithashtu frekuenton të njëjtin oborr gjatë orarit të ajrimit.
Në të njëjtin sektor ndodhen gjithashtu të burgosur turq, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në vrasje, çka ka shtuar shqetësimet e autoriteteve lidhur me origjinën e armës dhe qëllimin e mundshëm të përdorimit të saj.
Hetuesit dyshojnë se arma mund të ishte përgatitur për tentativë arratisjeje, për sulm të mundshëm ndaj të burgosurve të tjerë, ose për marrje peng të punonjësve të burgut.

Aktualisht, hetimet janë zgjeruar në të gjitha qelitë e sektorit, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe regjistrat e vizitave të fundit.
Klodian Lekocaj pak kohë më parë është vënë sërish në epiqendër të autoriteteve greke pasi arriti të marrë peng përmes një thike dy gardianë të burgut, duke u marrë çelësat, radiot dhe telefonat celularë.
Në të njëjtën kohë, ai filloi të lëvizte nga një krah në tjetrin i burgut me një grup prej shtatë egjiptianësh, për të arritur në Repartin 3, ndërsa kërkonte një bashkatdhetar për ta vrarë.
Kush është Klodian Lekocaj?
Klodian Lekocaj, 48 vjeç, është një emër i njohur për autoritetet greke, pasi prej vitesh dyshohet për përfshirje në aktivitetet më të rënda kriminale si urdhërime vrasjesh, rrëmbime dhe trafikun e drogës.
Lekocaj ka qenë i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në Greqi, ku përmenden vrasje me pagesë, atentate, plagosje dhe arratisje spektakolare nga burgjet. Ai ka qenë i lidhur me persona të tjerë me precedentë të rëndë penalë, përfshirë shqiptarë dhe shtetas të tjerë të huaj. Disa nga ngjarjet ku emri i tij ka dalë në skenë janë vrasja e një avokati grek, plagosja e klientëve në një lokal në Mikrolimano, tentativë për grabitje me armë dhe vrasje në zonën e Metaksurgios. Ai është arrestuar për herë të fundit në nëntor 2014.
Në vitet e fundit, policia greke e ka përfshirë emrin e tij edhe në disa dosje të tjera të rënda, përfshirë atentate të porositura ndaj shqiptarëve dhe gjobvënie ndaj biznesmenëve grekë. Pavarësisht pretendimeve të tij në media se është “i pafajshëm” dhe “i përdorur”, provat dhe përgjimet e mbledhura nga autoritetet flasin për një figurë me ndikim të madh në botën e krimit, brenda dhe jashtë burgjeve.
Emri i Klodian Lekocaj ka qenë i lakuar edhe si personi që ka dhënë urdhrin për ekzekutimin e Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja në Athinë dhe Edmond Papës në Tiranë.
Mediat greke i kanë bërë një profil për historinë e tij kriminale e ndërsa i kanë sjellë në vëmendje edhe një videotelefonatë nga burgjet e Korydallos në maj 2019. Klodian Lekocaj kishte një grup vrasësish me pagesë pjesë e së cilit ishte Brahim Brahimaj, Olti Duçe që u dënuan me burgim të përjetshëm nga gjykata greke me akuzën e vrasjes me dashje të avokatit të njohur Mihalis Zafiropulos.
Në mesazhin e tij nga burgu 3 vite më parë nga qelia, Lekocaj deklaronte se ai nuk kishte lekë për të blerë një paketë cigare e as 8 klasë shkollë, kurrsesi nuk mund të ishte kreu i një bande kriminale.
“Unë jam Coza Nostra, a jam kreu i mafies së burgjeve në Greqi? Unë jam akuzuar për tre vrasje dhe jam shpallur i pafajshëm për këto akuza. Tani po përballem me një tjetër akuzë për vrasjen e avokatit, e cila ishte e gabuar pasi ata që kryen vrasjen nuk donin ta vrisnin, por ta trembnin.
Për atë që kam bërë, e vuaja dënimin që nga viti 2006, por nuk duroj të më fajësojnë për atë që nuk kam bërë. Duan të më vrasin dhe për këtë u përpoqën tre herë, dy herë me thikë dhe një herë të më helmonin. Unë shkova në burg për vjedhje në vitin 2006 kur isha 29 vjeç dhe sot vazhdoj të përballem me akuza të tjera. Kërkoj zëvendësimin e trupit gjykues pasi jam pa avokat dhe gjyqi do të jetë më 20 maj 2019. Ejani këtu dhe shikoni se si drejtësia po vret shqiptarët.
Të mërkurën kisha gjyqin dhe nuk më dhanë avokat dhe nuk më lanë as të flisja, por më duhej vetëm të dëgjoja akuzat e gardianit të burgut që më akuzonte si vrasës maniak dhe hakmarrës, pa pasur asnjë provë.
Më caktuan një avokat, por ai më la pasi mori vesh se kush isha, ende nuk e kam zyrtarisht akuzën në dorë. Këtu vrasjet i organizon dikush tjetër, nuk jam unë ai që thonë se është Coza Nostra, apo kreu i mafias së “Burgjeve në Greqi”, se nuk kam para të blej as një paketë cigare. Dua që shteti shqiptar të interesohet dhe të dëgjojë se si na ndëshkojnë dhe si na trajtojnë dhe çfarë na bëjnë.
E kuptova që duan të më vrasin duke shkuar më parë në repartin mendor të burgut, nuk e di si na drogojnë meqë fillojmë të flasim marrëzi. Unë, Coza Nostra, që nuk kam mbaruar ende 8 vjet shkollë, më futën këtu për vjedhje kuletash dhe prandaj hyra këtu dhe si po shkojnë gjërat do të më vrasin. Prandaj dua të dëgjohem në mediat shqiptare dhe ato greke.
Unë dyshoj se organizatori i të gjitha këtyre vrasjeve është vetë drejtori i burgut psikiatrik Korydallos, ai i organizon këto vrasje dhe prandaj do të më eliminojë edhe mua. Është ai që del në TV dhe flet kundër meje. Është ai që ka pas vetes një truprojë shqiptar që është dënuar me 11 burgime të përjetshme, është ai që e ka nxjerrë nga burgu dhe është ai që do të më vrasë mua. Ejani mediat dhe na takoni për të parë situatën reale, si na trajtojnë dhe si na fajësojnë, për të parë se kush po i vret shqiptarët. Nuk duroj dot që shqiptarët të na vrasin. Ata vranë aksidentalisht grekun se donin të më vrisnin mua. Por Zoti më ka shpëtuar tani për tani, por çfarë do të ndodhë nesër? E vranë në qeli Bardhyl Tushën. Pse drejtësia greke nuk thotë se kush e vrau? A e vrava edhe unë?
Këtu po vrasin njëri pas tjetrit, pasi vranë aksidentalisht Arbër Bakon, kujtuan se isha unë. Unë paguaj për atë që kam bërë, por nuk duhet të paguaj për atë që nuk kam bërë. Dua që drejtësia të kryqëzojë faktet për akuzën e vrasjes, ndërkohë që nuk kam avokat edhe pse javën tjetër kam gjyq”, thuhet në video mesazhin e tij në 2019.














