Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përfunduar në mbledhjen e sotme verifikimin e të gjithë kandidatëve që ishin regjistruar për zgjedhjet e pjeshme lokale të 9 Nëntorit që do të mbahen në 5 Bashki të vendit.
I vetmi i cili nuk është regjistruar ka qenë Gjergji Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak në Vlorë, i cili kërkonte të garonte si kandidat i pavarur. KQZ thotë se nga shqyrtimi i dokumetacionit të depozituar rezulton se mungon regjistrimi i Komitetit Nismëtar, që do të përgatiste punën për regjistrimin e kandidat për kryetar të bashkisë Vlorë.
Ndërkohë, më pas është hedhur edhe shorti për përcaktimin e renditjes së kandidatëve për kryetar bashkie në fletën e votimit dhe më pas është miratuar. Bashkia e Cërrikut dhe ajo e Matit do të kenë nga 3 kandidatë, ndërsa tre bashkitë e tjera nga dy kandidatë. Partia Demokratike nuk do të garojë nën sigën e saj, por do të mbështesë kandidatë të pavarur.
Më konkretisht, renditja në fletën e votimit për subjektet zgjedhore do të jetë si më poshtë vijon:
I. Bashkia Vlorë
1. Brunilda Flamur Mersini
2.Dionis Anesti Sota
II. Bashkia Cërrik
1. Eligert Qani Hima
2.Amarildo Sherif Hoxha
3.Florenc Spiro Doka
III. Bashkia Mat
1.Altin Ramazan Bojni
2.Eduart Shaqir Brahilika
3.Suzana Tahir Pasha
IV. Bashkia Tepelenë
1.Gabriel Altin Guma
2.Gramos Sadik Sako
V. Bashkia Berat
1.Ervin Llazar Ceca
2.Pavlo Koli Shkarpa
Gjithashtu, KQZ ka caktuar edhe kohën e transmetimit në radiotelevizionin publik të fushatës zgjedhore të partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 nëntor.
Caktimin e një minutazhi kohor transmetimi prej:
– 50 (pesëdhjetë) minuta në Televizionin Publik dhe 30 (tridhjetë) minuta në Radion Publike, për pasqyrimin e fushatës zgjedhore të “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
– 25 (njëzet e pesë) minuta në Televizionin Publik dhe 15 (pesëmbëdhjetë) minuta në Radion Publike, për pasqyrimin e fushatës zgjedhore të Lëvizja Shqipëria Bëhet;
– 5 (pesë) minutash në televizionin publik dhe 5 (pesë) minutash në radion publike, për pasqyrimin e fushatës zgjedhore për secilin prej kandidatëve për kryetar bashkie të propozuar nga zgjedhësit.
Janë caktuar dhe partitë politike që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave. Partia Socialiste e Shqipërisë ka të drejtën e propozimit për 2 anëtarë të GNV, Partia Demokratike ka të drejtën e propozimit për 1 anëtar të GNV dhe Partia e Lirisë ka të drejtën e propozimit për 1 anëtar të GNV.
Ndër të tjera, janë caktuar dhe vendet e numërimit të votave dhe u dha autorizimi për ndryshimin e vendndodhjes së dy qendrave të votimit, për zgjedhjet e pjesshme të datës 9 nëntor 2025.














