Në fund të tetorit, qielli mbi kampin e Rojit në verilindje të Sirisë është i kthjellët, pa asnjë re që të zbusë nxehtësinë përvëluese të shkretëtirës së Rojavës, afër kufirit me Turqinë dhe Irakun.
Aty, një mur i lartë i ngritur tregon qartë se kampi nuk do të mbyllet shpejt.
Ky vend, nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane (FDS), të dominuara nga kurdët, strehon familjet e luftëtarëve të Shtetit Islamik (ISIS), të ardhura nga vende të ndryshme të botës gjatë luftës në Siri, kryesisht në vitin 2010.

Në Roj ndodhen rreth 2 100 gra dhe fëmijët e tyre, shumica prej tyre të huaj, të kapura pas rënies së kalifatit (shtet islamik të udhëhequr nga ligji i sheriatit). Edhe pse më 10 mars u firmos një marrëveshje midis presidentit të përkohshëm sirian Ahmed Al-Charaa dhe komandantit të FDS-së, Mazloum Abdi, që parashikonte dorëzimin gradual të kontrollit të kampeve te autoritetet e reja të Damaskut, në terren nuk është bërë asnjë ndryshim.
“Asgjë nuk ka lëvizur. Ata që sipas marrëveshjes duhet të marrin kontrollin janë ish-anëtarë të Daesh-it ose mercenarë të lidhur me grupe radikale”, thotë Javré, 30 vjeçe, një kurde që merret me sigurinë e kampit.
Tentativa arratisjeje dhe ndikimi i grupeve radikale

Në mesin e familjeve të huaja ndodhen edhe rreth 110 familje franceze, të përbëra kryesisht nga gra dhe fëmijë. Shumë prej tyre janë kthyer tashmë në Francë, por disa refuzojnë.
“Që prej marrëveshjes së marsit, disa gra shprehen hapur se duan të kalojnë në zonat e kontrolluara nga grupi Hayat Tahrir al-Cham, i lidhur me presidentin Ahmed al-Sharaa“, tregon Javré, duke shtuar se kohët e fundit janë shtuar përpjekjet për arratisje dhe kontaktet me ish-luftëtarë të ISIS-it që ndodhen në territore të tjera.
Fatima, 50 vjeçe, nënë dhe gjyshe, e mbuluar plotësisht, thotë se nuk dëshiron të kthehet në Francë.
“Unë dua të jetoj e lirë në Siri”, deklaron ajo. Ajo është në dijeni se 47 shtetas francezë të dyshuar për lidhje me ISIS-in janë dorëzuar këtë verë në Irak për t’u gjykuar, por shprehet e qetë:
Nuk kam lidhje me atë vend. Dua vetëm të jem e lirë këtu!
Amira, 29 vjeçe, nga Franca, është më e përmbajtur. Ajo frikësohet se nëse kthehet, fëmijët e saj mund të ndahen prej saj.
“Kam frikë se do t’i çojnë në familje kujdestare ose në qendra. Nuk dua që të më harrojnë”, thotë ajo.
Amira tregon se nuk kishte shkuar në Siri me dëshirë të plotë, por ishte detyruar nga prindërit e saj që u bashkuan me ISIS-in në vitin 2014. Në Tall Abyad u martua me një luftëtar që u vra në 2019-ën, pas rënies së Baghouz-it. Ajo vetë, e plagosur, u dorëzua me fëmijët te forcat kurde dhe u dërgua në kampin famëkeq Al-Hol, ku qëndroi 4 vjet në kushte të tmerrshme.

“Në Al-Hol ndodhnin vrasje, kisha frikë për fëmijët e mi. U përpoqa të arratisesha, por më kushtoi 17 mijë dollarë dhe më mbajtën 7 muaj në burg”, rrëfen ajo.
Sot, në tendën e saj në Roj, Amira u jep fëmijëve mësime të anglishtes, frëngjishtes dhe arabishtes, duke refuzuar shkollën e kampit që zgjat vetëm 2 orë në ditë.
“Nuk dua që fëmijët e mi të rriten pa arsimim si të tjerët.”
Ajo thotë se tashmë e ka braktisur ideologjinë e ISIS-it, të cilën e përshkruan si “shumë të ashpër, shumë mizore dhe plot padrejtësi”.
“Kur të dal nga këtu, do të mbaj vetëm një shami”, shton ajo me vendosmëri.

Një brez i ri i rrezikshëm
Sipas autoriteteve të kampit, rreth 50 djem të moshës 18-20 vjeç jetojnë ende në Roj.
Më parë, kur mbushnin moshën madhore, ata transferoheshin në qendra për rehabilitimin e personave të radikalizuar, por tashmë mungesa e kapaciteteve i ka mbajtur brenda kampit. Në disa raste janë raportuar edhe abuzime seksuale, por viktimat nuk guxojnë të flasin nga frika.

“Më e frikshme është kjo gjeneratë e re, e rritur që në fëmijëri me ideologjinë e ISIS-it”, paralajmëron Hokmiya Ibrahim, bashkëdrejtuese e administratës së kampit të Rojit.
“Ne bëjmë çfarë mundemi me burimet që kemi, por jemi pothuajse të pafuqishëm. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë.”
Në këtë cep të harruar të Sirisë, kampi i Rojit mbetet një plagë e hapur, një kujtesë e përgjakshme e trashëgimisë së ISIS-it dhe e një bote që ende nuk di si të përballet me pasojat e atij grupi.
Burimi: Le Monde














