Në fshatin Gizavesh të Librazhdit ka ndodhur një skandal i rëndë me montim akuzash ndaj një familjeje me aftësi ndryshe. Çifti Dritan dhe Fatushe Burza, të njohur për vështirësitë e tyre mendore dhe gjuhësore, akuzohen padrejtësisht për dhunë në familje, një ngjarje që sipas dëshmive, ka ndodhur në mënyrë krejt aksidentale.
Sefedin Burza, 85 vjeç, babai i Dritanit denoncon në emër të familjes, manipulimin e policisë së Librazhdit dhe të OPGJ Eduard Laçi, të cilët sipas tij, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë firmosur në emër të viktimës, madje duke përfshirë në dokumente vajzën 10-vjeçare të çiftit.
Ngjarja ka nisur kur Fatushja, duke marrë dru bashkë me Dritanin, është goditur aksidentalisht në vesh nga një copë druri, dhe më pas ka shkuar në spital për trajtim.
“Unë quhem Sefedin Burza më ka ndodhur një aksident me nusen e djalit. Aksidenti ka qenë, duke çarë dru djali, nusja është futur dhe e ka goditur druri. Ka shkuar në Spitalin e Librazhdit. Nusja ka ikur për shtëpi, atje se çfarë kanë shkruar doktorët dhe policët nuk di gjë dhe kanë arrestuar djalin për dhunë në familje. Kjo nuk është aspak e vërtetë sepse nusja dhe djali nuk dinë as të shkruajnë, e as të lexojnë. Nusja ka asnjë ankesë. Djali prej shtatorit është në burg në një gjendje të rënduar”, tha Sefedin Burza.
Vetë bashkëshortja e Dritanit, Fatushe Burza dëshmon se mes çiftit nuk ka pasur asnjëherë dhunë, gjithçka ka ndodhur aksidentalisht. Me bindje ajo shton se nuk ka dëshmuar as në polici dhe as në spital për dhunë.
Gazetari-Fatushe e ke emrin?
Fatushe Burza-Po!
Gazetari-Po mbiemrin?
Fatushe Burza-Burza!
Gazetari-Nuk di, sa vjeç je?
Fatushe Burza-Fare, se nuk kam bërë shkollë…
Gazetari-Prapë duhet ta dish, sa vjeç je…! Je 40!
Fatushe Burza-Ka qenë duke çarë drutë këtu.
Gazetari-Këtu po çante drutë burri?
Fatushe Burza-Po!
Fatushe Burza-Dhe unë hyra pa dashje ai s’më pa…
Gazetari-Dhe ku të kapi druri? Të kapi këtu tek veshi?
Fatushe Burza-Më ra këtu te veshi…
Gazetari-Po prit ta shikojmë?
Fatushe Burza-Shife..,nuk e kam qep me penj.
Gazetari-Vetëm kjo këtu është, nuk është qepur me penj…
Fatushe Burza-Ja kjo është, në dokumente e kanë shkruajtur me penj…