Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin për inceneratorin e Fierit, çështja rikthehet në Apel me trupë të re gjykuese
Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme dhe të pandehurit në dosjen e inceneratorit të Fierit. Vendimi është marrë këtë të martë në dhomë këshillimi.
Sipas vendimit, çështja do të rikthehet për shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, por me një trupë të re gjykuese.
“Prishjen e vendimit nr.55 (87-2024-383) datë 19.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”, informoi Gjykata e Lartë.
Prokurorët dhe të pandehurit kishin kundërshtuar vendimin e mëparshëm të Apelit të Posaçëm të dhënë më 19 dhjetor 2024 nga gjyqtarët Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Dhimitër Lara, duke iu drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs.
Kujtojmë se në shtator të vitit 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dënoi ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe disa të pandehur të tjerë në këtë dosje. Koka u dënua me 10 vite burg, ndërsa ish-deputeti Alqi Bllako mori 4 vite burg për shpërdorim detyre.
Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit aktiv, por u dënua me 2 vite burg për korrupsion pasiv, 7 vite për skema mashtruese dhe 8 vite për pastrim parash, duke marrë një dënim total prej 11 vitesh burg.
Pëllumb Abeshi u dënua me 3 vjet e 6 muaj, Erjon Murataj me 3 vite burg, ndërsa Loran Dusha dhe Arbër Denizi u dënuan secili me 7 vite burg.
Ndërkohë, Arben Dervishaj, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra u shpallën të pafajshëm.
Pjesa tjetër e të pandehurve mori dënime më të lehta, ku disa u dënuan me shërbim prove, mes tyre:
Pëllumb Abeshi, Florian Muçaj, Azem Shatëri, Sabina Cenameri, Regan Merdani dhe Gentian Zifla.
Të gjithë të dënuarit përfituan zbritjen me 1/3 e dënimit, pasi pranuan gjykimin e shkurtuar.