Refat Tuke një qytetar nga Korça tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan se ka fituar me vendim të formës së prerë pronësinë mbi një truall prej rreth 7,000 m² dhe 4,000 m² ndërtesë, të cilat më parë ishin të Ndërmarrjes së N.sh.n-së dhe aktualisht administrohen nga Bashkia Korçë.
Gjykata ka detyruar bashkinë, të paguajë qiranë ndaj tij në shumën prej 198 mijë lekësh të reja deri në përfundimin e procesit të privatizimit, që nuk ka mbaruar.
“Quhem Refat Tuke! Kam një problem me bashkinë. Unë kam fituar nga Komisioni i Kthimit të Pronave, me hipotekë dhe me tapi të vjetër, një pronë afërsisht rreth 7000 m2 dhe 4000 m2 kanë qenë godina e ndërmarrjes së N.sh.n-së dhe sot janë godinat e Ndërmarrjes së gjelbërimit, që janë nën administrimin e bashkisë. Në vitin 1995, me vendim gjykate të formës së prerë, kam marrë të drejtën e parablerjes. Në vitin 2009, me vendim gjykate të formës së prerë, jepet qiraja e truallit edhe detyron Bashkinë e Korçës, të paguajë qiranë e truallit dhe e caktuan me ekspertë, me të tërë. Ne nuk kundërshtuam, pavarësisht, se ata dhanë minimalen. Afërsisht 198 mijë të reja. Deri në momentin e privatizimit, e thotë vendimi i gjykatës”, thotë denoncuesi.
Megjithëse në vitin 2010 Bashkia Korçë nisi të paguante qiranë me këste, pagesat u ndërprenë në vitin 2011, kur Refat Tuke u largua për Shtetet e Bashkuara. Pas një ndërhyrjeje të Kontrollit të Lartë të Shtetit në 2016, bashkia rifilloi pagesat, por në maj të vitit 2021 i ndërpreu sërish.
“Në 2010-ën, më dha me këste disa muaj. Në atë kohë, unë nisem për në Shtetet e Bashkuara, në 2011-ën dhe u ndërpre qiraja, nuk m’i jepte. Atëherë, unë i bëj një letër zyrës së përbarimit, zyra e përmbarimit i bllokonte në thesar, po ku e di unë, si janë rregullat. S’më jepnin asnjë lek dhe në 2016-ën u detyrova, i bëra letër KLSH-së dhe e detyroi bashkinë të paguante qiranë dhe filloi bashkia me këste. Në 2016-ën, duke paguar të vitit 2011, 2012 e kështu me radhë. Në maj të 2021-shit pagoi tetorin e 2016-ës edhe s’më dha më. Atëherë, unë bëra kallëzim penal në SPAK dhe SPAK-u më kthen përgjigje, që ia kemi kaluar Prokurorisë Korçë, që ta hetojë këtë çështje. Nga emisioni Stop, unë dua ta verifikojë këtë çështje dhe të më japë të drejtën. Kur do t’i marr unë këto lekë?”, shton denoncuesi.
Zyra përmbarimore e Korçës ka ndërmarrë masa, si bllokim thesari dhe ka kryer veprime ligjore, të cilat Bashkia Korçë i ka kundërshtuar në gjykatë, por pretendimet e saj janë rrëzuar. Për këtë çështje, Refat Tuke ka bërë edhe kallëzim penal, që po hetohet nga Prokuroria e Korçës./Klantv