Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky janë takuar sot në Shtëpinë e Bardhë, ku kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Sipas BBC, Zelensky po përpiqet të bindë Trumpin se pengesa e vetme për t’i dhënë fund luftës është Vladimir Putin, ndërsa kërkon mbështetje për sigurimin e raketave amerikane Tomahawk.
Megjithatë, Trump është treguar i rezervuar në lidhje me këtë kërkesë, duke e cilësuar dërgimin e raketave si një përshkallëzim të rrezikshëm.
“Dhënia e raketave Tomahawk Ukrainës mund të nënkuptojë përshkallëzim më të madh, dhe shumë gjëra të këqija mund të ndodhin. Edhe SHBA-së i duhen këto raketa për mbrojtjen e vet,” tha Trump.
Presidenti amerikan u pyet gjithashtu nëse kërcënimi për furnizimin e Ukrainës me raketa po e shtyn Putinin drejt bisedimeve. “Nuk mund ta them këtë, unë thjesht dua të bëj një marrëveshje,” u përgjigj ai, duke shtuar se beson se lufta mund të përfundojë së shpejti.














