Prej disa vitesh, qyteti i Vlorës është bërë epiqendra e betonit dhe përplasjeve midis familjeve vendase dhe një grupi biznesmenësh, që kanë ndikim te njerëz të korruptuar nëpër gjykata, prokurori, polici dhe bashki.
Pasojat e këtyre përplasjeve shpeshherë kanë nxjerrë në rrugë familje, të cilat edhe pse ishin pronare të ndërtesës, janë mashtruar nga biznesmenët dhe janë nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre prej personave të punësuar në Bashkinë e Vlorës.
Një nga këto raste lidhet me familjen Musaj, e cila prej 12 vitesh është e pastrehë, kur në fakt zotëronte një shtëpi në lagjen “Pavarësia” Vlorë.
Zanafilla e kësaj historie e ka origjinën në vitin e largët 1939, që zotëronin truall në zonën e sotme të lagjes “Pavarësia” në Vlorë, do të lidhnin një kontratë huaje me njëra-tjetrën për trojet. Me ardhjen e komunizmit, këto prona do të shtetëzoheshin dhe do të ngrinte procesi i shlyerjes së huas, ndërsa pas rënies së regjimit komunist do të rifillonte procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave.
Por historia e përplasjes së pronësisë do të thellohej më tej me ndryshimin e sistemit politik, kur konflikti mes pasardhësve të këtyre familjeve do të përfshinte institucionet shtetërore si gjykatat, prokurorinë, bashkinë dhe agjencitë e pronave. Nga kjo përplasje, viktima më e goditur do të ishte familja Musaj, e cila kishte ndërtuar një banesë me leje në vitin 1986, me sipërfaqe 82.8 m², por që përfundimisht do të mbetej në rrugë.
Sipas Mjaftime Musaj, në gjykatat shqiptare është e vështirë të fitohen gjyqe nga njerëz si puna jonë.
“Në rastin tonë ndërhyrjet janë shumë të mëdha nga këta që kanë nisur punën dhe detyrimisht ata do ta çojnë deri në fund punën e tyre. Dhe kështu vazhdoi, ata i çuan deri në fund gjyqet dhe gjyqin që fitova në shkallë të parë duke prishur vendimin e bashkisë për prishjen e objektit banesë që ishte gjyqtar Laurent Fuçia, ai më dha dhe vendim ekzekutimi për vendimin që i kishte dhënë Bashkia, për prishje”, tha për “Vetting” Mjaftime Musaj.
Në vitin 1986, me leje të shtetit shqiptar, familja Musaj do të ndërtonte shtëpinë e saj, të cilën pas vitit 1990 do ta zgjeronte me një dyqan pa leje. Në vitin 2005, do të nisnin procedurat për legalizimin e kësaj ndërtese, ndërsa në vitin 2009, një vendim i Këshillit të Ministrave do t’ua njihte të drejtën për legalizim, pavarësisht kundërshtimeve të ALUIZNI-t në Vlorë.
Por në fund të vitit 2012, vendimi i legalizimit do të ndryshohej. Trualli ku ata kishin shtëpinë u përfshi në planin e zhvillimit për ndërtim pallatesh 5+1 kate, çka i jepte të drejtë Inspektoratit të Ndërtimit për prishjen e ndërtesës. Ligjërisht, kjo prishje e ndërtimit duhej të pasohej nga sigurimi i strehimit, qira, dhe kompensim për investimet në legalizim, gjë e cila nuk ndodhi.
“Unë kërkoj zgjidhjen e çështjes time sepse është gjëja më jetike. Kemi punuar gjithë jetën duke i dhënë kontribute këtij shteti, i kemi paguar taksa që nga viti 1991 deri 2013 dhe kemi pasur një subjekt të licensuar. I kemi paguar detyrimet këtij shteti, sigurime dhe tatime për infrastrukturën, pastrimin. Detyrimisht ky shtet na detyrohet në lidhje me çështjen tonë, që të zbardhet dhe të marrim atë na takon, djersën tonë. Nuk i kërkojmë më shumë, as mëshirë nuk po kërkojmë “, shprehet Mjaftime Musaj, e cila nuk ka humbur në asnjë moment shpresën për të rimarrë shtëpinë e vet.
TASK FORCA ZBULOI SKANDALIN ME PRONAT
Në gusht 2014, Qeveria Shqiptare do të krijonte një task forcë pranë Kryeministrisë për falsifikimet me dokumentet e pronave, të cilat ishin në pronësi të shtetit. Synimi ishte tu jepej zgjidhje mashtrimeve me dokumente që kishin ndodhur me territoret, të cilat kishin prekur kryesisht zonat bregdetare në jug të vendit.
Rezultatet e para të Task Forcës do të evidentonin rastin e komplikuar, pikërisht në qytetin e Vlorës, në truallin nën pronësi të shtetit ku ishte ndërtuar shtëpia e familjes Musaj.
Gjithçka lidhet me një vendim, që do të nxirrte në rrugë jo vetëm familjen Musaj, por edhe shumë familje të tjera në lagjen “Pavarësia” Vlorë. Ky do të ishte vendimi i marrë në vitin 2009 nga ish Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Elvis Çefa.
Shumë akuza dhe gjyqe do të hapeshin për këtë vendim, që është paditur nga shteti shqiptar si i falsifikuar, por në vend të dhënies së llogarisë, Çefa do të kthehej në njeriun më të fuqishëm në sistemin e drejtësisë, si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Dy vite më pas, në vitin 2012 Elvis Çefa do të zgjidhej nga Kuvendi i Shqipërisë nën drejtimin e Partisë Demokratike në pushtet mes kontestimeve të shumta nga opozita shqiptare Partia Socialiste, si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, asokohe organi më i lartë në drejtësinë shqiptare. Por në 2014, Çefa do të akuzohej se kishte bërë shkelje të rënda me detyrën dhe do të shkarkohej nga mazhoranca socialiste. Më vonë, Gjykata Kushtetuese do ta shpallte të pavlefshëm vendimin e Kuvendit, por Çefa nuk do të kthehej në detyrë dhe sot është anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjithashtu në vitin 2014, Prokuroria do të nistë një hetim ndaj tij dhe një nga deputetët e Partisë Socialiste, Taulant Balla do të bënte akuza të rënda ndaj ish Drejtorit të Përgjithshëm Elvis Çefa.
Në mënyrë të mistershme, Komisioni Hetimor nuk do të merrte parasysh akuzat për falsifikim pronash gjatë kohës që Çefa kishte qenë drejtues te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Por në maj 2017, Këshilli i Ministrave me anë të Avokaturës së Shtetit do të ngrinte një padi në Gjykatën e Vlorës për të nxjerrë të pavlefshëm vendimin nr 4023/18, datë 25.06.2009 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke paditur Agjencinë e Trajtimit të Pronave, Robert Ilian dhe trashëgimtarët së bashku me ish Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Në padi, Avokatura e Shtetit pretendon se janë falsifikuar dokumentet dhe kjo tokë duhet ti rikthehet shtetit shqiptar. Një detaj i rëndësishëm është fakti se ditën që është shpallur vendimi për kthim dhe kompensim nga ish Drejtori i Përgjithshëm Elvis Çefa, në të njëjtën ditë ish Z.V.R.R.P-ja Vlorë, në kundërshtim me ligjin ka regjistruar pronën duke mos zbatuar afatin 30 ditor për ankimin nga palët e interesuara.
Duhet theksuar se vendimi nr. 4023/18, në disa dokumente është me nr. 4023/13 duke treguar indicie për falsifikim, gjë e cila është dënoncuar edhe nga banorët që u prekën nga projekti në lagjen “Pavarësia”.
Pikërisht ky do të ishte detaji që do të mbante peng strehën e familjes Musaj, të cilët do të qendronin në rrugë për shkak të një marrëveshjeje të pashkruar midis fragmenteve të korruptuara të Gjykatave, Prokurorisë dhe Bashkisë Vlorë.
Gjykatat në konflikt me njëra-tjetrën për banesën në Vlorë. Problemet do të trokisnin në shtëpinë e Skënder dhe Mjaftime Musaj kur do t’i prishnin dyqanin pa leje dhe ishin në rrezik që t’u prishej shtëpia nga institucionet vendore. Në këtë kohë, familja Musaj paditi Inspektoriatin Ndërtimor Vlorë, duke kundërshtuar vendimin e INUV-it për prishjen e shtëpisë së tyre.
Vendimi i gjyqtarit Laurent Fuçia hedh dritë mbi një histori tipike të pronësisë dhe legalizimeve në Shqipërinë e pas viteve ’90.
Historia nis në vitin 1995. Gjykata e Vlorës me vendimin nr. 630 i njeh Skënder Musait pronësinë mbi një shtëpi 82.8 metra katrorë. Por ndërkohë, një dyqan ishte ngritur pa lejet përkatëse nga institucionet. Në dhjetor të po atij viti, Skënder Musai vendos që shtëpinë t’ia dhurojë bashkëshortes, Mjaftime Musaj, përmes një kontrate dhurimi.
Pas disa vitesh, me fillimin e procesit të legalizimeve, në vitin 2005, Musaj paraqet një vetëdeklarim pranë ALUIZNI në Vlorë, duke kërkuar legalizimin e një objekti më të madh, një truall me sipërfaqe ndërtimi 194.3 metra katrorë, ku përfshihej edhe prona e bashkëshortes. Për çiftin, kjo ishte një pasuri e vetme, e pandashme.
Në arsyetimin e tij, gjykatësi Fuçia thekson se qëllimi i ligjit për legalizimet nuk ishte t’i linte qytetarët në rrugë, por të fusë në kornizë ndërtimet pa leje dhe t’i japë banorëve një status të qartë ligjor. Kushtetuta, sipas tij, garanton mbrojtjen e banesës dhe të drejtës për strehim, ndaj edhe në rastet kur një ndërtim është jashtë planeve urbanistike, ai nuk mund të prishet pa u shteruar të gjitha rrugët ligjore dhe pa u gjetur fillimisht një zgjidhje për strehimin e familjes.
Në vitin 2013, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) në Bashkinë e Vlorës nxjerr një vendim për prishjen e objektit. Por sipas gjykatës, ky akt administrativ ishte i pavlefshëm. Sepse, së pari, nuk respektoi parimin e arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Së dyti, u mor në kundërshtim flagrant me ligjin e legalizimeve, duke dalë përtej kompetencave që ka një organ administrativ.
Gjykata shprehet se ky akt i INUV-it ka cenuar rëndë të drejtën kushtetuese për banesë të familjes Musaj. Sipas gjyqtarit Fuçia, shtëpia e tyre ishte fituar mbi një titull pronësie të ligjshëm dhe të vlefshëm.
Sipas avokatit Gylsen Zhllima, sistemi aktual është më keq se ai i mëparshëm.
Në përfundim, gjykata pranoi padinë e Skënder dhe Mjaftime Musait, duke e konsideruar atë të mbështetur në ligj dhe në prova. Vendimi, në thelb, thekson se edhe kur një ndërtim ka probleme me lejen ose me legalizimin, e drejta kushtetuese për strehim dhe prona private ka përparësi mbi çdo akt administrativ.
Sipas Mjaftime Musaj, direkt pasi i vjen revokimi i VKM-së për legalizimin e pronës, nuk vonojnë disa ditë dhe ju vjen edhe një njoftim nga Bashkia, për prishjen e objektit dyqan dhe shtëpi.
“Në këto kishte ne i’u drejtuam gjykatës për mbrojtjen, duke hedhur në gjyq ALUIZNI-n, i kërkonim lejen e legalizimit dhe çertifikatë ZRPP. Njëkohësisht edhe bashkisë për rrëzimin e vendimit të prishjes”, deklaron znj. Musaj.
Por Inspektoriati do të ankimonte vendimin dhe në një rast të paprecedentë, asokohe Gjykata e Apelit Vlorë do të tejkalonte kompetencat në dëm të familjes së pastrehë, duke favorizuar shkeljet e institucioneve të Bashkisë Vlorë, e cila drejtohej nga Shpëtim Gjika.
Sipas avokatit Flamur Çollaku, problemi këtu ka ardhur te serioziteti i institucioneve.
“Institucionet tona punojnë me këtë lloj formule “Kam ardhur unë sot në pushtet dhe këtu fillon shteti”. Por jo, shteti është vazhdimësi”, shprehet për “Vetting” avokati Çollaku.
Në brendësi të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, datë 11.12.2013 do të dilnin dalin në pah elementë që ngrenë dyshime nëse këto fakte janë verifikuar si duhet.
Konkretisht Inspektoriati Ndërtimor Vlorë pretendon se sipërfaqja 82 metra katror nuk është regjistruar në Z.V.R.P.P Vlorë për shkak të pengesave ligjore për të gjitha ato vërtetime fakti që janë marrë pas vitit 1994.
Por gafa në brendësi që pretendon INUV-i është se data e njoftimit të aktit administrativ është një lapsus dhe nuk cenon aspak ligjshmërinë e tij.
Gjykata e Apelit tregon se është provuar se familja Musai banon në lagjen “10 korriku” të qytetit të Vlorës në një shtëpi me sipërfaqe ndërtimore 82.8 metra katror, mbi të cilën me vendimin nr. 630, datë 20.03.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është vendosur vërtetimi i faktit juridik të pronësisë të familjes Musai.
Megjithatë ajo rrëzon plotësisht vendimin e plotë të gjykatësit Laurent Fuçia, i cili duke ndjekur ligjin dhe evidentuar anën njerëzore të ligiit me strehimin. Prishja e vendimit do të sillte pasoja të rënda te familja Musai, e cila do të ishte pjesë e protestës në tetor 2015.
“Bashkia më jep dosjen për prishjen e objektit mirëpo ky vendim nuk u zgjat as dy muaj u rrëzua nga Gjykata e Apelit Vlorë nga Gjinofeva Gaba. Në momentin e rrëzimit ne patëm shumë presione të ndryshme nga pala pretenduese”, shprehet znj. Musaj, duke shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të gjykatës.
Sipas avokatit Flamur Çollaku, në lidhje me ndryshimet që ka pësuar prona, familja Musaj duhet të merrte një formë kompensimi fizik me apartament ose kompensim financiar.
“Në këto momente nuk dihet se çfarë zgjidhje do të ketë me kompensimin, por pala zotëron titull pronësie të fituar në 1986 sipas shënimit që është te gjyqi i vërtetimit të faktit”, tha avokati Çollaku për “Vetting”.
Sipas ligjit, pronari i truallit për të realizuar ndërtime me kompanitë e ndërtimit, duhet të lidhi marrëveshje me pronarin e ndërtesës, në këtë rast me Mjaftime Musain. Ky kusht gjendet te ligji nr. 9482, datë 3.4.2006 “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, i ndryshuar neni 35, pika 2/b.
Në një nga netët e dhjetorit 2013, pas goditjes nga vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, Robert Ilia do të shfaqej në shtëpinë e familjes Musai për t’i propozuar një marrëveshje për t’i hapur rrugën ndërtimit të komplekseve të pallateve.
Mjaftimja tregon se në një nga ato netë, në shtëpi do t’u vinte Robert Ilia për t’i bërë ofertë për shtëpinë për ndërtim.
“Duke pasur parasysh presionet që po hanim, gjendjen që e kishim shumë të rëndë ramë dakord që do t’ia lironim shtëpinë në këmbim të ndërtimit dhe ai do të na jepte aq ndërtim sa kishim neve duke ma dhënë dhe qiranë dhe duke na kthyer lekët që kishim paguar te ALUIZN-i sepse ishin rreth 14 milionë lekë të vjetra”, shprehet Mjaftimja.
Për “Vetting”, Mjaftimja tregon se ranë dakord përpara noterit Nefail Islami që do i dorëzonin shtëpinë për 15-17 ditë dhe në këmbim të shtëpisë, Ilia do t’u jepte dy hyrje pallati.
“Mbas prishjes u sistemuam në një banesë që gjetëm vetë, personi që pretendoi se do na paguante dhe qiranë mbylli telefonin për muaj të tërë. Si ne, por dhe banorët e tjerë ngelëm pa kontakt me palën pretenduese dhe për muaj të tërë nuk patëm asnjë lidhje me ta”, tregon Mjaftime Musaj.
Por përpara se të vazhdonte me marrëveshjen noteriale, familja Musai ankimoi vendimin në Gjykatën e Lartë, që evidentoi se Gjykata e Apelit kishte tejkaluar kompetencat e veta duke prishur vendimin e Gjykatës Vlorë në Shkallë të Parë, çeshtja u rikthye në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku prej 7 vitesh pritet Gjykimi.
“Reforma në drejtësi solli fluksin e dosjeve, mosdhënien e drejtësisë në kohë reale dhe gjyqtarët bëjnë thjesht një veprim noterial”, tha për “Vetting” avokati Gylsen.
Nën hetim për mashtrim, por nuk u pagoi qiranë
Fatkeqësisht, vendimi i Gjykatës së Lartë do të dilte shumë vonë pasi ishte prishur shtëpia e familjes Musaj. Për “Vetting”, Mjaftime Musaj tregon se iu drejtuan prokurorisë dhe në vendin ku kishin banesën filloi të ndërtohej një karburant. Por prokurori i çështjes do të zgjaste për shumë vite hetimet dhe para se të lidhte marrëveshjen me Musain, ata kishin zbuluar se Robert Ilia e kishte shitur pjesën e tokës ku ata kishin shtëpitë.
Prokuroria kishte kapur shumë shkelje të ndryshme, por çështjet vazhduan nga gjykata në shkallë të parë, në shkallë të dytë në shkallë të lartë, u kthye përsëri në shkallë të parë dhe Ilia u dënua me 5 vite burg në dëm të banorëve për mashtrim dhe çështja është në shkallën e apelit.
Skënder dhe Mjaftime Musaj ashtu si banorët në këtë lagje kanë paditur veç e veç Robert Ilian dhe trashëgimtarët, Bashkinë Vlorë., Z.V.R.P.P Vlorë për dëmshpërblim.
Sipas informacioneve në dosjen e Gjykatës rezulton se Robert Ilia së bashku me trashëgimtarët, truallin ku gjendeshin këto ndërtime i kanë shitur nëpërmjet një kontratë kompanisë “OLSI” sh.p.k e realizuar në 1.11.2012, një vit para kontratës midis palëve Musai dhe Ilia.
Bie në sy fakti se gjykatësja Elona Mihali vëren se në dosje nuk gjenden dokumentet e pronësisë për ndërtesën 82.8 metra katrorë, madje duke cituar edhe Gjykatën e Lartë dhe të Apelit Vlorë. Por në fakt, si Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Shkallës së parë Vlorë kanë evidentuar se Musait janë pronarë të ndërtesës me vendim gjyq fakti.
Ekspertët e marrë nga gjykata për vlerësimin psikologjik kanë konstatuar pasoja nga shembja e shtëpisë, për të cilat duhet t’u paguhen 5.5 milionë lekë Skënder dhe Mjaftime Musait.
Në shkresat e gjykatës konstatohet se leja e ndërtimit nga shoqëri ILIRIA DC i është transferuar Briliant sh.p.k në pronësi të Nadire Qinamit, që e ka marrë lejen nr.1, datë 11.05.2018 me afat deri në 2022.
Gjykata e ka konstatuar si akt privat marrëveshjen midis palëve, e cila më pas është regjistruar te noteri pasi nuk ka qenë e noterizuar dhe nuk ka qenë firma ndërtuese në të. Por, Mjaftimja deklaron se marrëveshja është realizuar te noteri në 16 dhjetor 2013.
Në vendim, Gjykata ka refuzuar kërkesën e paditësve për mashtrim nga Ilia dhe kërkesën për dëmshpërblim e ka veçuar, duke futur bashkinë, Aluiznin, Z.V.R.P.P Vlorë dhe duke ia deleguar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Madje vendimi i Gjykatës Mihali është apeluar në Gjykatën e Apelit Vlorë, e cila në 23 dhjetor 2020 ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm për ndarjen e çështjes në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Tashmë cështja është në Gjykatën Administrative të Apelit prej vitit 2018, ku Musaj pret vendimin për të marrë atë që i takon.
Në qoftë se Mjaftime dhe Skënder Musai nuk ishin pronarë të ndërtesës, përse duhet të vinte pronari i truallit të lidhte marrëveshje me ata për ndërtimin e pallateve? Sepse ligji për legalizimet ia kërkonte dhe vetëm në këtë mënyrë pasi tu kishin garantuar strehimi dhe premtimin për apartamentin, vetëm në këtë mënyrë Bashkia Vlorë do tu hapte dritën jeshile për ndërtim.
Gjykatat demaskojnë njëri-tjetrin
Nga nxjerrja në rrugë e banorëve të pastrehë në lagjen “Pavarësia” Vlorë ka patur vendime të ndryshme nga Gjykata e Vlorës. Një tjetër vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë e ka shpallur si përgjegjës Robert Ilian për një nga rastet e banorëve në këtë lagje, banorë të cilëve u është njohur e drejta për dëmshpërblim. Këta të fundit kanë patur një tjetër trupë gjykuese, e cila ka nxjerrë në pah shkeljet nga ish Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Në janar 2018, familja Dine do të padiste në gjykatën e shkallës së parë Vlorë Robert Ilian dhe trashëgimtarët, ish Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkinë Vlorë për shpërblim dëmi pasuror.
Ky çift të moshuarish, banonte në të njëjtën lagje që banonin Skënder dhe Mjaftime Musaj, duke u prekur nga Plani i Përgjithshëm i Zhvillimit. Në këtë rast, edhe kjo familje si Musajt lidhën kontratë noteriale me Robert Ilia, por një vit më parë në 27 tetor 2012 për marrjen e apartamenteve dhe qirasë së shtëpisë në këmbim të banesës që kanë patur.
Familja Dine pretendonte se ishte mashtruar nga Robert Ilia dhe për shkak të kësaj, cifti i të moshuarve humbën banesën dy katëshe me sipërfaqe 337 metra katrorë, e cila ishte në proces legalizimi prej vitit 2005.
Ata nuk morën pagesën e qirasë nga Ilia dhe prej disa vitesh ishin të pastrehë.
Ashtu si Avokatura e Shtetit, në të dyja vendimet e Gjykatave për familjen Dine konstatohet se vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është regjistruar brenda ditës nga ish Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Madje sipas shkresës datës 07.03.2017 të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ky vendim nuk ndodhet në dosje.
Teksa të tjera familjeve u është njohur shpronësimi, Musait janë në pritje të dy gjyqeve, një me Inspektoriatin e Ndërtimit Vlorë dhe Bashkinë Vlorë dhe tjetrin me Kadastrën Vlorë për dëmshpërblim dëmi me relatore Gjykatësen Selvie Gjoncaj.
Sipas avokatit Çollaku, çështja e familjes Musaj ka disa pikëpyetje që lidhen me Bashkinë Vlorë.
“Ndërtimin e kësaj godinë në vitin 1986, si e ka dhënë për prishje Bashkia Vlorë? Kjo është një pyetje që do përgjigje, ndërkohë që bashkia heq përgjegjësinë nga vetja. Në fakt, nashkia ka dhënë leje në 1986, pavarësisht nëse është e regjistruar apo jo”, deklaron avokati Çollaku.
Në marrëveshjen noteriale me Robert Ilia është theksuar se ky i fundit ka lejen e ndërtimit, por nga dosjet e gjykatave që kanë trajtuar rastet në lagjen “Pavarësia” rezulton se mungonin dokumentet për zbardhjen e lejes së ndërtimit. Madje është ndryshuar destinacioni i lejes së ndërtimit pasi aty është bërë karburant. Atje ku sot janë bërë pallatet, disa apartamente kanë ngelur pa certifikatë pronësie dhe kompania e ndërtimit duhet të lidhë marrëveshje me Mjaftime Musain për t’i zhbllokuar.
“Nga njoftimet që mora nga ndërtuesit e ish ZRPP-ja qendrore, e urdhëron ndërtuesin që të lidhë aktmarrëveshjen me ne dhe pastaj t’i certifikohet pallati sepse dhe ne jemi pjesë e pronarëve në atë sipërfaqe që kisha që është bërë ndërtimi pallat”, shprehet Mjaftimja për apartamentet e bllokuara.
Në fakt, nga analiza e fakteve dhe vendimeve të institucioneve vendore ka indicie se Bashkia dhe ish-Zyra e Regjistrimit Vlorë mund të jenë të përfshira drejtpërdrejt në këto shkelje.
Familja Musaj kërkon drejtësi, por tashmë fjalën e fundit e ka drejtësia e reformuar, e cila është e vetmja shpresë që në këtë rrëmujë administrative dhe ligjore të marrë shtëpinë dhe dëmshpërblimin nga shteti shqiptar.
Gjithsesi nyja gordiane ngelet vendimi nga Elvis Çefa, vendim që ka sjellë pasoja të cilat Prokuroria dhe gjykatat që ky i fundit i ka monitoruar si nënkryetar i ish- Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk kanë qenë të afta të zbulojnë të vërtetën.
/Emisioni “Vetting”