Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është e rëndësishme për Kosovën të vazhdojë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe t’i “ulë tensionet” në vend, pas takimeve që pati me udhëheqësit e vendit të mërkurën në Prishtinë.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, t’i ulë tensionet në vend, dhe gjithashtu t’i përfundojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkroi ajo në llogarinë e vet në X.
Nuk është e qartë se çfarë tensioneve po i referohej von der Leyen në postimin e saj në X, por autoritetet kosovare janë kritikuar rishtazi nga BE-ja për mbylljen e zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
BE-ja i kishte bërë thirrje në shtator Qeverisë në detyrë dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës të “përmbaheshin nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Von der Leyen u prit në takime veç e veç nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
As von der Leyen e as udhëheqësit kosovarë nuk u deklaruan për media pas takimeve.
Ndërkohë, Osmani tha në Facebook pas takimit se me shefen e KE-së bisedoi për çështjen e zbatimit të Planit të Rritjes, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe për integrimin evropian të vendit.
“Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, shkroi Osmani.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, tri vjet pasi bëri kërkesë për t’iu bashkuar bllokut evropian.
Gjithashtu, ajo vazhdon të përballet me masa ndëshkuese evropiane, të cilat blloku i kishte vendosur më 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar më 2023, Kosova nuk ka mundur të pranojë të holla për shkak të mungesës së një Kuvendi pas zgjedhjeve të shkurtit.
Por, tani që Kosova e themeloi Kuvendin e ri javën e kaluar, ajo mund ta ratifikojë marrëveshjen e nevojshme për të filluar t’i pranojë mjetet nga ky plan.
Ndërkohë, pas takimit me Osmanin, von der Leyen u prit nga Kurti në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Më 8 gusht të këtij viti, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e kishte informuar Qeverinë në detyrë të Kosovës se zyrtarë të bllokut evropianë nuk do të zhvillonin takime në ndërtesën qeveritare derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.
Sipas letrës së dërguar, vendimi mor pas “aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit” që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Pas publikimit të lajmit për këtë letër, zëdhënësi i Kurtit i tha Radios Evropa e Lirë se Kryeministria është vendi i punës i Kurtit, por takime mund të mbahen edhe jashtë ndërtesës së Qeverisë.
Kosova është me ekzekutiv në detyrë pasi që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kurti është mandatuar nga Osmani për të formuar qeverinë e re dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendin përbërjen e re qeveritare.
Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota dhe Kurti ka thënë se do të zhvillojë diskutime gjatë ditëve në vijim për formimin e shumicës, pasi në bazë të rezultatit zgjedhor, ai nuk mund të qeverisë pa një partner koalicioni.
Vizita e von der Leyen në Kosovë u zhvillua në kuadër të një turneu ballkanik. Ajo paraprakisht vizitoi Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën. Ndërkaq, para se të nisej për në Kosovë, ajo zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Ndërkaq, turneun në rajonin e Ballkanit Perëndimor do ta përmbyllë po sot në Maqedoni të Veriut ku do të takohet me krerët shtetërorë./REL