Këshilli i Ministrave ka vendosur që disa shërbime në portalin qeveritar e-Albania të jenë me pagesë për bizneset dhe qytetarët.
Shërbimet që do të kenë tarifa përfshijnë nënshkrimet elektronike, vulën elektronike, çertifikatat për fiskalizim dhe transaksionet në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG). Për bizneset, pagesat variojnë nga 15 deri në 4 800 lekë për shërbim, ndërsa qytetarët do të paguajnë 2 000 lekë për një vit për nënshkrimin elektronik.
Vendimi duket se është pjesë e “modernizimin” e administratës online siç e quan kryeministri Edi Rama, ndërkohë që promovon e-Albanian si një platformë pa kosto dhe e shpejtë,
Sipas VKM-së, pagesat do të realizohen elektronikisht në momentin e marrjes së shërbimit, ndërsa për transaksionet periodike, pagesa do të bëhet çdo muaj.
VKMl
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 36, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimet elektronike, në favor të organeve dhe të institucioneve të administratës publike, subjekteve private dhe qytetarëve, ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
2. Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, vulë kohore, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lek.
3. Për subjektet private, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;
c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
4. Për shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e huaj, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 2 000 (dy mijë) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
5. Për nëpunësit e administratës në institucionet publike me vetëfinancim, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
6. Pagesa e tarifave të përcaktuara në këtë vendim kryhet në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin qeveritar “e-Albania”.
7. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “a” e “c”, të pikës 3, dhe të pikave 4 e 5, të këtij vendimi, realizohen në marrje të çdo shërbimi elektronik.
8. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “b” e “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi, realizohen periodikisht çdo muaj për numrin e transaksioneve të kryera gjatë asaj periudhe on-line nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kryerja e tyre shihet në kohë reale.
9. Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
10. Vendimi nr.35, datë 22.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, shfuqizohet.
11. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA