• Kontakt
Sunday, October 12, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Drejtësia që prodhoi padrejtësinë

21:05 : 12/10/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Në orën 15:35 të datës 6 tetor 2025, Astrit Kalaja goditi për herë të fundit çekiçin e gjyqtarit. Ende nuk kishte përfunduar leximin e vendimit, kur u qëllua me 3 plumba në gjoks. Plumba që e lanë të vdekur në vend, në prezencë të sekretares dhe të pranishmëve në sallën e vogël të Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Drejtësia u godit në zemër, brenda tempullit të saj. Autori, që ishte palë e tretë në proces, qëlloi edhe dy të pranishëm, që ishin pala paditëse dhe doli qetësisht nga salla numër 3. Dorëzoi armën tek një punonjës gjyqësor dhe qetësisht iu afrua policëve që ndodheshin jashtë, duke u thënë: Unë e vrava.

Ndërsa motivi duket se ishte akumuluar për 33 vite me radhë, nga familja e autorit që në fakt ende nuk kishte lindur kur nisën problemet e para të pronësisë.

Autori, Elvis Shkambi, 30 vjeç, nga Shkodra, tha se nuk qëlloi mbi gjyqtarin, por mbi sistemin e drejtësisë. Një sistem që për 33 vjet nuk i dha dot zgjidhje një problemi pronësie, dosjet e të cilës kaluan në duart e 26 gjyqtarëve dhe asnjëherë nuk u dha një verdikt final.

Por fundi ishte tragjik.

Lexo edhe:

Vrasja e Astrit Kalajës në Tiranë, Fox News: Simptomë e rrënimit të sistemit të drejtësisë

“Gjithçka ndodhi në 7 sekonda”/ Rindërtohet skema e ngjarjes në Gjykatën e Apelit

Një gjyqtar me një karrierë 32-vjeçare, i konfirmuar në detyrë në vitin 2019, duke kaluar me sukses procesin e vetingut, humbi jetën për shkak të detyrës dhe në krye të detyrës.

Pagoi me jetën e tij për atë që familja e autorit e konsideronte padrejtësi nga i gjithë sistemi.

Ndërsa autori, u izolua në qeli, me gjasë përjetësisht. E megjithatë dosja e pronës së tij sërish mbeti në duart e drejtësisë. Me vendimin e fundit që dha Astrit Kalaja, para se ekzekutohej në sallën e gjyqit, çështja do të rigjykohet edhe një herë në shkallën e parë.

VRASJA E GJYQTARIT

Salla Operative e Policisë së Tiranës mori njoftim në orën 15:38, të datës 6 tetor 2025, se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.

Kalaja, po zhvillonte një seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse Ragip Kurtaj, 71 vjeç, i shoqëruar nga djali i tij Ervis Kurtaj, 46 vjeç, si dhe palë të paditur përmbaruesin gjyqësor të Zyrës Përmbarimore Shkodër, Taulant Muja dhe palë të treta Gjon Shkambin, 56 vjeç, i shoqëruar nga nipi i tij Elvis Shkambi, 30 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta Policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit, si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen. Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e dy prokurorëve të Tiranës, Arens Çela dhe Erjon Imeraj, kanë vijuar me veprimet hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, Andan Xholi dhe Vladimir Mara, të cilët janë paraqitur për të verifikuar rrethanat e ngjarjes. Rrethana që mund të tregonin nëse ishin përballë një grupi kriminal, që mund të hetohej nga SPAK, apo bëhej fjalë për një ngjarje që është kompetencë e Prokurorisë së Tiranës. Por nga aq sa rezultoi, nuk ishte një krim i kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Nga verifikimi i të gjitha fakteve, pamjeve dhe nga dëshmitë e marra në vendngjarje, rezultoi se në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja detektor, njëri pas tjetrit, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke u ndezur dritat e kuqe, por shtetasi Banush Koxhaj, me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, duken të dy personat, xhaxha e nip, Elvis dhe Gjon Shkambi teksa qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29. Më pas ata futen në ambientet e sallës numër 3 ku do të zhvillohej seanca gjyqësore.

Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, Elvis Shkambi që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit. Astrit Kalaja, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, Elvis Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të dy personave që ishin palë paditëse në seancë, Ragip dhe Elvis Kurtaj, babë e bir, duke i plagosur të dy.

Nga hetimet ka rezultuar se xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit ose ndihmësit.

Policia e Tiranës

Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:

Elvis Shkambi, 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; Gjon Shkambi, 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim; Banush Koxhaj, 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

Në momentet e para pasi ka realizuar vrasjen, Ervis Shkambi ka dorëzuar armën tek një nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë, u është drejtuar vetë policëve të Komisariatit nr.1 që ishin me shërbim jashtë Gjykatës dhe u ka thënë që është ai personi që ka kryer krimin. Më tej nuk ka folur më. Është bërë shoqërimi i tij, fillimisht në Komisariatin nr.1, ku është mbajtur deri në orë 22:00. Më pas është shoqëruar drejt ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës ku dhe është marrë në pyetje për më shumë se një orë. Me një artikulim të qartë, i qetë dhe pa shfaqur në asnjë moment pendesë, 30-vjeçari ka dhënë dëshminë e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Elvis Shkambi

“Kam qenë i shoqëruar me xhaxhain tim Gjon Shkambi dhe jemi futur të dy në Gjykatë. Pistoletën e mbaj gjithmonë me vete, pasi kam ato problemet e mia. Nuk është hera e parë që futem nëpër gjykata me armë. Kemi pritur sa të fillonte seanca dhe jemi futur brenda. Në momentin që gjyqtari ka dhënë vendimin kam ndjerë një urrejtje të pashpjegueshme ndaj tij. Nuk e kuptoj as tani. Kam nxjerrë armën dhe e kam qëlluar. Kam qëlluar edhe ndaj palës tjetër. Kisha edhe fishekë të tjerë në pistoletë, por kur po qëlloja, aty e kam kuptuar se çfarë po bëja dhe kam ndaluar. Nuk kam qëlluar më. Më pas kam dalë jashtë. Dorëzova pistoletën tek një punonjës që pashë aty përballë meje dhe kam pritur ne oborr. Në momentin që pashë policët u afrova vetë dhe u thashë që e kam bërë unë vrasjen.”

Ndërsa xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ndonëse herë pas here e kishte ngritur si shqetësim zvarritjen që i bëhej nëpër gjykata problemit të tij të pronësisë, nuk ka preferuar të japë shpjegime në lidhje me ngjarjen.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, Gjon Shkambi, megjithëse në momentin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkrete, nuk ka ndërmarrë as ndonjë veprim për të ndaluar nipin e tij. Madje, siç është verifikuar nga këqyrja e pamjeve filmike, të fiksuara nga kamerat e sigurisë në sallën e gjyqit, ai ka qëndruar i qetë gjatë kohës që Elvis Shkambi qëllonte me armë zjarri. Kjo sipas Prokurorisë të krijon dyshimin se ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij, madje ka dyshime se Gjon Shkambi ka pasur rolin e shtytësit për të vrarë edhe dy personat e tjerë që ndodheshin në sallë si palë paditëse, pra Ragip dhe Elvis Kurtajn.

Prokuroria e Tiranës

“Shtetasi Gjon Shkambi, ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova dhe indicie se ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë parashikuar, në dëm të Ragim dhe Elvis Kurtajt. Ky shtetas referuar këqyrjes paraprake të pamjeve filmike, megjithëse në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij Elvis Shkambi, madje ka qëndruar i qetë gjatë kryerjes së veprës dhe pas kryerjes së saj, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gjon Shkambi, gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat dhe të administruara me procesverbal, për kanosjet me jetë që u janë bërë nga ky shtetas.”

Në fakt kërcënimet e familjes Shkambi vazhduan edhe pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Apelit, kur xhaxhai tjetër i autorit të ngjarjes, shtetasi Gjovalin Shkambi, paralajmëronte një tjetër ngjarje të ngjashme. Menjëherë pas kërcënimit të tij publik, Policia e Shkodrës e shoqëroi menjëherë dhe më pas u arrestua.

GJYQTARI PA ASNJË MASË DISIPLINORE

Gjyqtari Astrit Kalaja, 62 vjeç, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në Gjykatën e Apelit Tiranë ishte baba i tre fëmijëve. I lindur në Shkodër, Kalaja u diplomua për drejtësi në vitin 1993. Me një karrierë 32-vjeçare si gjyqtar, ai ishte emëruar për herë të parë si magjistrat më 24 nëntor të vitit 1993 në Shkodër. Për 11 vjet, deri në qershor të vitit 2004 ka ushtruar profesionin e tij si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër. Më pas, nga vitit 2004 e deri më 31 janar të vitit 2023 ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër. Ndërsa dy vitet e fundit ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Astrit Kalaja, e ka kaluar Vetingun në vitin 2019. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, e konsideroi të plotë vetëdeklarimin e tij duke e konfirmuar në detyrë në janar të vitit 2022. Astrit Kalaja, nuk kishte marrë asnjëherë masa disiplinore gjatë karrierës së tij.

Ditën kur ndodhi ngjarja, gjyqtari Astrit Kalaja kishte të përcaktuara në kalendarin e Gjykatës së Apelit 9 seanca gjyqësore. Dy për “dhënie fuqi të vendimit të gjykatave të huaja”, një “lëshim urdhri të menjëhershëm mbrojtjeje”, dy “përjashtim nga sekuestro”, një “dëshmi trashëgimie”, dy “vërtetim fakti juridik” dhe seanca e fundit ishte për “kundërshtim veprimesh përmbarimore”.

Seancë që rezultoi edhe e fundit në karrierën e tij 32-vjecare. Palë paditëse në këtë proces ishin 14 persona, mes tyre edhe Ragip e Elvis Kurtaj që mbetën të plagosur, të cilët kundërshtonin vendimin e përmbarimit gjyqësor, më palë të paditur përmbaruesit Taulant Muja dhe palë e tretë ishin Gjon Shkambi me nipin e tij Elvis Shkambi.

OBJEKTI QË NXITI KONFLIKTIN

Në daljen e tij të fundit televizive, në maj të vitit 2023, Gjon Shkambi tregonte të gjithë ecurinë e vendimeve për pronën e tij, duke pretenduar se zvarritje të tilla po e shtyjnë drejtë vetëgjyqësisë. Deklaratat e tij, sot pas ngjarjes së rëndë në Gjykatën e Apelit, duket se ishin një paralajmërim për atë që ndodhi.

Por si nisi ky konflikt…

Me vendimin nr.52 të Bashkisë së Shkodrës, datë 5 shtator 1992, u është dhënë strehim 31 familjeve, me një akt marrëveshje provizore, në objektin ish-shkolla e rezervave të ndërtimit, në lagjen “Skënderbeg”, në Shkodër. Në vendim thuhet se: Kryesia e Bashkisë, duke parë kushtet tuaja të strehimit, ka vendosur t’ju strehojë në objektet e mësipërme, ish-shkolla e Rezervave dhe nuk merr parasysh financimin e punimeve që duhen kryer në atë objekt.

Në vitin 1996 Komisioni i Kthimit të Pronave i njeh truallin ku ishte ndërtesa shtetërore në fjalë, familjes Shkambi, si ish-pronare. Në vitin 2002, një tjetër vendim i Komisionit të Kthimit të Pronave, bën ndarjen e pronës, në përpjesëtim të familjeve ish-pronare.

Banorët që ishin strehuar në atë objekt, bëjnë kërkesë për privatizim dhe marrin përgjigje nga kryetari i bashkisë në atë kohë, Lorenc Luka:

Pasi u njoha me shkresën tuaj po përcjellim informacionin tonë. Ju bëjmë me dije se aktualisht Bashkia Shkodër nuk mund ta kryejë këtë veprim të shitjes së objektit, pasi ky veprim, në rastin që paraqitet nuk gjen mbështetje, përkatësisht nga aktet nënligjore.

Ndërsa në vitin 2012, Gjon Shkambi bën blerjen e objektit nga Ministria e Financave. Pas këtij viti kanë nisur gjyqet me zyrën Përmbarimore të Shkodrës.

Në vitin 2012, banorëve ju shkon një shkresë nga përmbaruesi, i cili u kërkonte të lironin objektin.

Në vitin 2014, Gjykata e Shkodrës vendos që të bllokohen të gjitha veprimet përmbarimore të përmbaruesit, me kreditor Gjon Shkambin. Vendimi është apeluar, por Gjykata e Apelit Shkodër ka lënë në fuqi këtë vendim edhe në vitin 2016.

Në vitin 2020, 31 familjet në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër u përplasën për herë të parë me zyrën private të përmbarimit. Që atëherë, çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë. Në atë kohë doli, Gjon Shkëmbi, i cili pretendoi të ishte pronar i godinës dhe tentoi të futej në godinë. Banorët e akuzuan në atë kohë se ka dokumente false.

Të strehuar që prej vitit 1992 me vendim të Këshillit Bashkiak të kohës, si familje në nevojë, përfituan banesë sociale nga shteti. Por historia e tyre u kthye në një betejë të gjatë me institucionet dhe me pretenduesit e pronësisë.

“Të gjitha të zezat i kemi veç nga bashkia. S’na ka dalë për zot Lorenc Luka…”, shprehet banori Noc Ndoci.

Në zërin e Paulina Nikës ndihet frika e përjashtimit nga shtëpia, në të cilën ka jetuar për 3 dekada.

“Kam 35 vjet këtu. Problemet na filluar në 2012. Atëherë erdhi përmbaruesi Martin Tusha”, thotë banorja Paulina Nika.

Banorët e lidhin zinxhirin e padrejtësive me institucionet vendore të kohës, ndërsa shkaku i çdo përplasje mban emrin e Lorenc Lukës, ish-kryetari demokrat i bashkisë së Shkodrës.

“Përmbaruesi Martin Tusha në 2002 është bazu me i vendim gjykate që thotë se ne e kemi zaptu forcërisht. Po bashkia na ka strehu kemi akt marrëveshje. Lorenc Luka njeriu i tana të zezave”, shprehet Noc Ndoci.

Të gjithë rrëfejnë të njëjtin cikël të lodhshëm gjyqesh, dokumentesh dhe vendimesh që ndryshonin duar.

“Kemi kërku me e privatizu para këtij. Në Shkodër pallatet kanë qenë shtetërore. Unë lind në Shkodër s’kam prona, ai në Dukagjin paska…”, shprehet Ndoci.

Në kalvarin e gjyqeve të njëspasnjëshme, Noc Ndoci tregon se si Astrit Kalaja priti 10 vite Gjon Shkambin për dokumentin e trashëgimisë, të cilin nuk e dorëzoi kurrë.

“Astrit Kalaja për mu është njeriu që ka vendos drejtësinë. E ka prit Gjon Shkambin 10 vjet me i ç’u dokumentin e trashëgimisë”, thotë banori Noc Ndoci.

Kjo godinë, që mbart dhimbje, frikë dhe kujtimin e një vendimi të fundit, ka vetëm një emër: Astrit Kalaja. Për këta banorë, nuk ishte vetëm një gjyqtar, por njeriu që i dëgjoi, i kuptoi dhe i mbrojti.

Në 33 vjet të kësaj historie që spo gjen zgjidhje, çështja e pronësisë ka kaluar në duart e 26 gjyqtarëve, 10 prokurorëve, 4 ministra të Financave dhe 2 kryetarëve të Bashkisë Shkodër.

Tashmë i mbetet në dorë institucioneve për të përcaktuar vërtetësinë, apo edhe për të qartësuar se cili është pronari real i një prone që ka futur në konflikt 31 familje me një familje që e pretendon truallin, me përmbarimin dhe që në fund u pasua me vrasjen e një gjyqtari në sallën e gjyqit.

Në statistikat e Policisë së Shtetit, nga viti 1998 deri në vitin 2023, 637 shtetas shqiptarë kanë qenë në qendër të atentateve për shkak të konflikteve për pronat. Prej tyre 185 janë vrarë dhe 208 janë plagosur rëndë. Për 244 të tjerë plani për t’i vrarë mbeti në tentativë. Shifrat i përkasin “luftës” për tokën dhe llogariten nga viti 1998 e në vazhdim.

Me procese që kanë kaluar dy dekada, ligje që janë ndryshuar vazhdimisht, mosmarrëveshjet e pronave futën në armiqësi njerëzit më të afërt të familjes, lidhje krushqie dhe kushërinj apo trashëgimtarë. 12 mijë shtetas shqiptarë janë aktualisht nën procese civile në të gjitha gjykatat në vend dhe me fashikuj e harta topografie këmbëngulin se kanë të drejtë ata dhe jo pala tjetër. 2 mijë prej tyre janë pjesë e stokut në Gjykatën e Lartë. Nuk ka një statistikë nga prokuroritë se sa është numri i të dënuarve për akuzën e falsifikimit dhe të tjetërsimit.

DËSHTIMI I SIGURISË

Gjykata është vendi ku bashkohen personat që janë në konflikt me njëri – tjetrin, të cilët shpesh herë mbartin emocione dhe ngarkesa të mosmarrëveshjeve, duke i manifestuar ato edhe në sallën e gjykimit. Në këto kushte, ekziston kurdoherë rreziku, që reagimet e personave, të cilët aksesojnë sallën e gjyqit të përshkallëzohen në atë masë, sa të përbëjnë rrezik për personat e tjerë të pranishëm. Qofshin këta persona të tretë, përdorues të Gjykatës, qoftë staf administrativ, apo qoftë edhe vetë gjyqësori.

Ky ishte një nga argumentet e gjyqtareve që u ndjenë seriozisht të kërcënuar me jetë, teksa u mbyllën në dhomë këshillimi e nuk mund të dilnin nga andej, për shkak të frikës që u kanosej nga familjarët e disa personave që kishin dënuar. Incidenti i rëndë ndodhi në Gjykatën e Apelit, aty ku dhe ndodhi ngjarja tragjike më 6 tetor 2025. Fiks dy vite para kësaj ngjarje, më 6 tetor 2023, Prokuroria nisi hetimet për kanosje për shkak të detyrës të gjyqtareve Valdete Hoxha, Lutfie Celami dhe Edlira Petri, të cilat denoncuan sulmin dhe kërcënimet që u kishin ardhur në sallën e gjyqit, teksa po bëheshin gati të shpallnin vendimin.

Ato kërkuan ndihmën e Policisë së Tiranës menjëherë mbasi shpallën nga 35 vjet burg për shtetasit Daut Elmazi dhe Gentian Zoto, dënimin me 30 vjet burg për Igli Memaj dhe nga 25 vjet për Serxho Ademin dhe Albano Goxhaj. Gjyqtaret u kërcënuan në sallën e gjyqit nga të afërmit e këtyre të akuzuarve, të cilët u dënuar për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë. Vetë personat e akuzuar nuk ishin të pranishëm në seancë, por ndaj tyre po jepej vendimi për ngjarjen e ndodhur në maj të vitit 2019 në Vlorë, kur u qëllua në drejtim të një automjeti, në të cilin ndodhej Inez Hajrulla. Por të pandehurit pretendonin se provat në vendngjarje ishin manipuluar nga Policia e Vlorës dhe se gjykatat nuk i kishin konsideruar drejt provat ndaj tyre, Të njëjtin pretendim patën edhe familjarët që po ndiqnin në sallën e Gjykatës së Apelit seancën në ngarkim të tyre. Pas kësaj ngjarje, asnjëra nga gjyqtaret nuk kërkoi mbrojtje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Policia e Shtetit mori masa shtesë ndaj tyre.

Ngjarja tragjike në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka rikthyer frikën dhe kujtesën e dhimbshme të sulmeve me armë në sallat e gjykatave shqiptare, si rasti i plagosjes në Fier, të gjyqtares Irena Gjoka, që në atë kohë mbante mbiemrin Maneku. Gjyqtare, e cila vitet e fundit ka qenë në shënjestër të familjes Berisha dhe Meta, pasi shorti e përcaktoi për të shqyrtuar çështjen në ngarkim tyre në Gjykatën e Posaçme, ku ajo ushtron funksionin aktualisht.

Emri i gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes si një prej figurave më të përfolura dhe më të sulmuara nga politika. Në duart e saj ndodhen disa nga dosjet më të bujshme të kohëve të fundit, përfshirë ato që prekin drejtpërdrejt familjet Berisha dhe Meta. E përballur me një valë sulmesh publike, Irena Gjoka është kthyer sot në simbol të drejtësisë që nuk tërhiqet përballë presioneve politike.

Por ngjarja e rëndë në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën në mënyrë tragjike, ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe ka hapur sërish debatin për mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore. Në Fier, kjo tragjedi ka rikthyer kujtimet e dhimbshme të vitit 2007, kur më 18 janar të atij viti gjyqtarja Irena Gjoka u qëllua me armë brenda ambienteve të gjykatës.

Sulmi i asaj kohe u bë shkak që për herë të parë në Shqipëri, në një gjykatë të vendoseshin roje sigurie dhe detektorë metalesh në hyrje. Por, sipas shumë juristëve, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e magjistratëve.

Gjatë homazheve në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, para se ai të përcillej në banesën e fundit në Shkodër, shumë kolegë të tij shprehën pasigurinë për ambientet ku punojnë.

Edhe kryetari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, tha se 99% të gjykatave nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë. Në një deklaratë për mediat, ai tha se duhen ndërtuar godinat e reja. Sipas tij, nëse nuk ekziston siguria në gjykatë, edhe qytetari më i thjeshtë ndihet i rrezikuar.

260 gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë më 9 tetor 2025, 3 ditë pas vrasjes së kolegut të tyre në sallën e gjyqit, zhvilluan një mbledhje urgjente në Këshillin e Lartë Gjyqësor për të diskutuar mbi çështjen e sigurisë së magjistratëve e sistemit të drejtësisë. Gjithçka nisi me një minutë heshtje për gjyqtarin Astrit Kalaja.

Në përfundim të mbledhjes, gjyqtarët dolën në një deklaratë të përbashkët duke shprehur dhimbjen e thellë, tronditjen njerëzore dhe indinjatën institucionale për ngjarjen tragjike që i mori jetën kolegut të tyre. Sipas tyre, vrasja e gjyqtarit Kalaja është pasojë e një klime fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve.

Deklarata e gjyqtarëve

“Kjo nuk është vetëm humbja e një njeriu të drejtësisë, është një plagë për gjithë sistemin, një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Vrasja e një gjyqtari në sallën e gjykimit është kufiri i fundit i cenimit të sigurisë dhe dinjitetit të drejtësisë. Në këtë moment dhimbjeje e reflektimi, ne deklarojmë me vendosmëri: Drejtësia nuk do të përkulet. Asnjë akt dhune, kërcënimi apo fushatë urrejtjeje nuk do ta ndalë gjyqtarin shqiptar nga përmbushja e detyrës së tij kushtetuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por garanci për çdo qytetar që kërkon mbrojtje përmes ligjit. Ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik. Kjo klimë duhet të marrë fund. Ne, gjyqtarët e Republikës, nuk do të lejojmë më që heshtja të interpretohet si dobësi. Do të reagojmë me dinjitet dhe përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje,  kërkojmë siguri, respekt dhe kushte për ushtrimin e ndershëm të detyrës. Kjo ngjarje është një thirrje për veprim institucional. Sistemi gjyqësor po përballet me mungesë sigurie, godina të amortizuara, ngarkesë të papërballueshme pune dhe mungesë mbështetjeje. Drejtësia ka nevojë për forcim, për kushte të sigurta dhe për institucione që veprojnë, jo që heshtin.”

Sipas tyre, Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të reagojë me forcë, përgjegjësi dhe guxim institucional. Dhe kjo, për ta nuk është thirrje për konflikt, por për përgjegjësi. Nga ana tjetër, gjyqtarët i kërkojnë edhe pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ që të marrin përgjegjësinë për gjendjen ku ndodhet sot drejtësia. Pasi sipas tyre, shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj. Siguria në gjykata është kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës.

Deklarata e gjyqtarëve

“Krijimi i një grupi ndërinstitucional me përfaqësim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Polica e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore; Hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave; Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve; Hartimi dhe zbatimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore; Miratimi dhe zbatimi i menjëhershëm i masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike në gjykatë dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor; Ndërhyrje të menjëhershme në ligjet ose aktet nënligjore që rregullojnë sistemin gjyqësor për të garantuar siguri fizike, jetësore, shëndetësore dhe pasurore për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave; Miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë; Inspektim kombëtar i gjykatave për siguri, akses dhe kushte pune. Standardizim i procedurave të sigurisë dhe trajnime për menaxhimin e krizave. Pajisja e të gjitha gjykatave me skaner dhe detektorë për garantimin e sigurisë në gjykata.”

Në përfundim u kërkua njohja e statusit “ Dëshmor i Atdheut” i gjyqtarit Astrit Kalaja.

VRASJET E NJERËZVE TË DREJTËSISË

Krimi ka kërcënuar vazhdimisht drejtësisë e herë pas here ka qëlluar edhe në shenjë. Por ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja, është rasti i parë që ndodh brenda një institucioni drejtësie. Pas vrasjes me eksploziv të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, në vitin 2011, në historinë e sistemit të drejtësisë, Astrit Kalaja është gjyqtari i dytë që humb jetën.

Vrasjet e njerëzve të drejtësisë janë konsideruar gjithmonë si atentate mafioze dhe dosjet kanë përfunduar duke u mbyllur me siglën “pa autor”. Më të vështirat për t’u zbardhur, atentatet ndaj avokatëve, prokurorëve e gjyqtarëve, mbeten edhe më të rëndat në sytë e qytetarëve. Që nga viti 1999 e deri sot, janë vrarë në atentate tipike mafioze, që vijojnë ende të jenë të pazbardhura, 5 njerëz që kanë pasur lidhje direkte me sistemin e drejtësisë në vend.

Sulmet kanë qenë drejtpërdrejt ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve, ashtu siç ndodhi me studenten 21-vjeçare Kozeta Hyseni. Më 19 shkurt të vitit 1999, ajo u gjet e masakruar në Qytetin Studenti në Tiranë. Kozeta Hyseni, vlonjatja që vazhdonte studimet në degën “Gjuhë Letërsi”, është gjetur e masakruar pranë kinoklubit të Qytetit Studenti, mëngjesin e 19 shkurtit të vitit 1999. Vrasja e Hysenit u cilësua si një hakmarrje ndaj të atit, pasi ai në atë kohë ishte prokuror i Vlorës.

Një ngjarje e bujshme tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij. Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt.

Më 30 shtator të vitit 2003, vritet Genci Sina, shoferi i prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ai ishte duke shoqëruar bashkëshorten e Sollakut dhe vajzën e tij, kur në afërsi të Piramidës, një taksi i afrohet makinës së tij, një person zbret dhe e qëllon me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.  Familjarët e viktimës deklaronin se Sina nuk kishte asnjë problem personal, por ngjarja ishte një mesazh për kryeprokurorin.

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pas një shpërthim që ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën por edhe konfliktet e pronësisë.

Vrasja e avokatit Ravik Gurra, në një lokal në mes të Elbasanit, mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2019, ishte një dëshmi e fortë se si krimi godet me gjithë ashpërsinë e tij dhe sa serioz është kur kërcënon. Edhe avokatët, ashtu sikurse prokurorët dhe gjyqtarët, janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por në 25 vitet e fundit sistemi i drejtësisë është sulmuar në të gjitha drejtimet. Është përballur me akuza, me kërcënime, por persona të caktuar, pjesë e tij, kanë qenë edhe objekt atentatesh mafioze.

Më 1 nëntor të vitit 2019, mbetet i vrarë në një atentat pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Hetimet për atentatin u përqendruar tek vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës prokurorit Arjan Ndoja, i cili u plagos në atë ngjarje. Por Policia dhe Prokuroria kishin të dhëna se objektiv i atentatit ishte edhe Aleksandër Laho, që ndodhej në makinë me të dhe u plagos.

Ironikisht, ky personazh, Aleksandër Laho, është akuzuar në fund të muajit shtator 2025 nga Prokuroria e Posaçme, si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal, që ka kryer tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, duke falsifikuar dokumente. Me hetimin e fundit të SPAK doli edhe një herë në skenë problemi i pronësisë dhe vërtetësisë së dokumenteve të pronësisë, që sot po shkakton kaq shumë përplasje e vrasje.

Madje i mori jetën edhe gjyqtarit Astrit Kalaja, që duket se pagoi për padrejtësitë e gjithë sistemit.

Ndërsa motivi duket se ishte akumuluar për 33 vite me radhë, nga familja e autorit që në fakt ende nuk kishte lindur kur nisën problemet e para të pronësisë.

Autori, Elvis Shkambi, 30 vjeç, nga Shkodra, tha se nuk qëlloi mbi gjyqtarin, por mbi sistemin e drejtësisë.

Një sistem që për 33 vjet nuk i dha dot zgjidhje një problemi pronësie, dosjet e të cilës kaluan në duart e 26 gjyqtarëve dhe asnjëherë nuk u dha një verdikt final.

Por fundi ishte tragjik.

Një gjyqtar me një karrierë 32-vjeçare, i konfirmuar në detyrë në vitin 2019, duke kaluar me sukses procesin e vetingut, humbi jetën për shkak të detyrës dhe në krye të detyrës.

Plumbat duket se ishin ndaj drejtësisë në emër të padrejtësisë.

/Emisioni “Gjërat Tona”

Etiketa: Astrit KalajadrejtesiaElvis KurtajElvis ShkambigjyqgjyqtaripadrejtësiprodhonRagip Kurtajvrasja

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Vrasja e Astrit Kalajës në Tiranë, Fox News: Simptomë e rrënimit të sistemit të drejtësisë

09:34 : 12/10/2025
AKTUALITET

“Gjithçka ndodhi në 7 sekonda”/ Rindërtohet skema e ngjarjes në Gjykatën e Apelit

14:55 : 11/10/2025
SPORT

Zyrtarizohet nga UEFA, kush është gjyqtari që do vendosë drejtësi në Serbi–Shqipëri

10:35 : 10/10/2025
AKTUALITET

Ekzekutimi i Artur Tushit/ Mediat kolumbiane: Synimi është kontrolli mbi një port të ri, në lojë edhe Sinaloa

10:05 : 10/10/2025
AKTUALITET

Bushati: Vrasësi i gjyqtarit nuk është ai që u burgos, por janë Donald Lu dhe Vlahutin

22:56 : 09/10/2025
AKTUALITET

“Do kërkojmë ekspertim të shëndetit mendor”/ Avokati: Elvis Shkambi hynte e dilte me pistoletë në gjykata

18:11 : 09/10/2025
Para

Inteligjenca Artificiale mund të “zhdukë” 100 milion vende pune në SHBA

TË GJITHA

Horoskopi, e hënë, 13 Tetor 2025/ Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

23:02 : 12/10/2025

Numërohen 70% të votave në Prishtinë, ngushtohet diferenca mes Ramës dhe Çekos

22:54 : 12/10/2025

Gaza si laborator: Teknologjia, politika dhe financat bashkë për një eksperiment global

22:32 : 12/10/2025

LDK shpall fitoren, Abdixhiku: Tre komuna të fituara në raund të parë, prijmë në 12 të tjera

22:16 : 12/10/2025

Dy telefonata në 48 orë, çfarë vendimi po marrin Zelensky dhe Trump

22:02 : 12/10/2025

G Bani tërhiqet nga “Kënga Magjike”: Nuk më përfshinë në spotin publicitar!

21:48 : 12/10/2025

Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Kush po kryeson në komunat me shumicë serbe?

21:37 : 12/10/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com