Prokuroria e Tiranës ka njoftuar këtë të mërkurë akuzën “Arrest me burg” për Elvis Shkambin, Gjon Shkambin dhe punonjësin e sigurisë Banush Koçaj lidhur me ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja.
Sipas Prokurorisë, sapo gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin, shtetasi Elvis Shkambi, i pranishëm në sallë, nxori nga brezi një armë zjarri dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të plagosur rëndë. Ai më pas qëlloi edhe në drejtim të dy palëve kundërshtare, ku R.K. dhe E.K. mbetën të plagosur njëri në trup dhe tjetri në dorën e djathtë.
Prokuroria ka ngritur akuzat penale ndaj tre personave: Elvis Shkambi, për “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”; Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe shtytës në ngjarje; Banush Koçiu, punonjës sigurie në gjykatë, për “Shpërdorim detyre”.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë tregojnë se në orën 13:42 të ditës së ngjarjes, autori ka kaluar skanerin e metalit që sinjalizoi prezencën e objekteve të dyshimta. Megjithatë, punonjësi i sigurisë, nuk reagoi, nuk kreu kontroll fizik, dhe nuk regjistroi personat në protokoll, duke lejuar hyrjen e armës së zjarrit në ambientet e gjykatës, thuhet në Prokurorinë e Tiranës.
Gjithashtu, sipas hetimeve paraprake, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar autorin, nipin e tij, gjatë momentit të vrasjes, dhe ka qëndruar i qetë, çka ngre dyshime se ai kishte dijeni për planin kriminal.
Prokuroria shton se ndaj këtij shtetasi ka pasur edhe kallëzime të mëparshme për kërcënime me jetë ndaj palëve, madje edhe deklarata publike në media ku shprehej qartë për qëllime hakmarrjeje.
Tre të dyshuarit ndodhen në paraburgim dhe Prokuroria ka kërkuar për ta masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes po vijojnë.
Njoftimi:
Vrasja e gjyqtarit A.K., dhe plagosja e dy shtetasve të tjerë, Prokuroria e Tiranës procedon penalisht 3 persona për ‘Vrasje funksionarëve publikë’, ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’, ‘Mbajtja pa leje e armëve’ e ‘Shpërdorim detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 10.08.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.7416, për veprën penale “Vrasje e fuksionarëve publik”, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.Sh., “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese”, kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentative parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, ndaj shtetasve R.K. dhe E.K, në ngarkim të shtetasve E. Sh. dhe G.Sh, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyse dhe municionit”, parashikuar nga neni, 278 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit E.Sh dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit B. K.
Në datën 06.10.2025, rreth orës 15:38, u mor njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, se në ambjentet e brendshme të Gjykatës se Apelit të Juridiksionit për Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri, gjyqtari A.K.
Menjehërë pas marrjes së njoftimit, u formua grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, në drejtimin e Prokurorisë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrjes së deklarimeve, etj, ka rezultuar se: më datë 06.10.2025, rreth orës 15:35 në ambjentet Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar seanca gjyqësore, me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse R. K.,etj. Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A. K., shtetasi E.Sh. që ndodhej në sallë, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit i cili si pasojë e të shtënave është rrëzuar në tokë. Pas këtij veprimi, shtetasi E.Sh. i ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët tentuan të dalin nga salla dhe qëlloi me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të tyre, ku si pasojë, shtetasi E. K., është dëmtuar në dorën djathtë, ndërsa shtetasi R.K. në trup.
Menjehërë më pas, autori i dyshuar i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.
I ndjeri u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë, ndërsa dy të dëmtuarit e tjerë pas marrjes së ndihmës së specializuar mjekësore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit. Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike të ruajtura në sereverin NVR e Gjykatës, rezulton se në datë 06.10.2025, në orën 13:42, në ambjentet e sallës së pritjes për publikun të gjykatës kanë hyrë dhe kanë kaluar pajisjen skaner (detector), njëri pas tjetrit, shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., dhe në ekranin e detektorit vërehet që janë ndezur dritat e kuqe (që sinjalizojnë prezencën e metaleve), ndërkohë që shtetasi B.K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrike dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatës.
Sa më sipër, nga veprimet paraprake hetimore u krijua dyshimi i arsyeshëm se shtetasi E.Sh., ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Vrasje e fuksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, në dëm të viktimës A.K., me detyrë gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, në dëm të viktimave R.K. dhe E.K. dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyse dhe municionit”, parashikuar nga neni, 278 i Kodit Penal.
Shtetasi Gj.Sh., ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova dhe indicie se ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjerë cilesuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, në dëm të viktimave R. K. dhe E. K. Ky shtetas referuar këqyrjes paraprake të pamjeve filmike, megjithëse në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij E.Sh., madje ka qëndruar i qetë gjatë kryerjes së veprës dhe pas kryerjes së saj, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gj.Sh., gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat dhe të pasqyruara në sistemin deepsee (të administruara me procesverbal), për kanosjet me jetë që u janë bërë nga shtetasi Gj. Sh.
Sa i përket shtetasit B.K., krijohet dyshimi i bazuar se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga hetimi rezultoi se ai qëndron i ulur në karrike dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatës, duke sjellë si pasojë hyrjen me armë të shtetasit E. Sh. në sallën e gjyqit dhe kryerjen më pas të vrasjes prej këtij të fundit.
Të tre këta shtetas janë arrestuar në flagrancë si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të lartpërmendura dhe për ta është paraqitur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkesa për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.