Presidenti Bajram Begaj, dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki, përfshirë edhe Tiranën.
Sonte në ”Top Story” kreu i shtetit dha argumentët ligjorë sipas tij për këtë vendim.
Ai tha se ka ndjekur të gjithë rrugëtimin kushtetues dhe procedurat juridike që respektojnë Kushtetutën për shkarkimin e Erion Veliajt si dhe për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.
Begaj shtoi se duke respektuar çdo parim kushtetues ai ushtroi kompetencën e tij për nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme
”Unë mendoj që nuk mund të vendoset balancë midis dekretit të presidentit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Patjetër që kryetari i bashkisë është shkarkuar me një vendim të Këshillit të Ministrave pas propozimit të bërë nga Këshilli Bashkiak, i cili me votat e pozitës dhe të opozitës, gjeti si shkak ligjor mosparaqitjen në detyrë.
Qeveria në anën e saj, në vendimin e shpallur, merr në analizë si shkak jo shkakun politik të lidhur me Nenin 115 të Kushtetutës, që thotë ”Për shkelje të rëndë të Kushtetuës dhe të Ligjeve”, por thotë që shkarkimi nga detyra e kryetarit të bashkisë është bërë për mosparaqitjen në detyrë.
Pra kemi të bëjmë me Nenin 62, pika C. patjetër që kjo dilemë është konsultuar me ekipin tim, ku është marrë çdo pretendim i dhënë në media dhe nga palët e caktuata, ku pas një diskutimi tepër aktiv, më siguruan që në respekt të parimeve Kushtetuese, presidenti duhet të ushtrojë kompetencën Kushtetuese për nxjerrjen për dekretin për zgjedhjet e parakohshme”,-tha Begaj.