Prej dekadash, Shqipëria mban të mbyllur në burgje të zakonshme njerëz me çrregullime mendore në konflikt me ligjin, duke shkelur të drejtat e tyre dhe standardet europiane. Shënkolli, institucioni më i mbingarkuar, përfaqëson një plagë të hapur të shëndetësisë dhe drejtësisë sonë: dhoma të mbipopulluara, mungesë specialistësh, kushte degraduese dhe marrëveshje të pambajtura. Pavarësisht vendimeve të Strasburgut dhe premtimeve qeveritare, spitali i posaçëm mbetet vetëm në letër. Një histori harrese që rëndon mbi qindra jetë çdo ditë.
Prej pothuajse 3 dekadash, personat me çrregullime mendore në konflikt me ligjin në vendin tonë, i përkasin një kategorie qytetarësh të harruar dhe të neglizhuar. Në një gjendje konstante alarmi të ngritur nga aktorë të ndryshëm monitorues, kushte jetese në kundërshtim me të drejtat e njeriut, dhe marrëveshje ndërinstitucionale të pazbatuara, Shqipëria ende nuk ka një Institucion të Posaçëm Mjekësor për personat me masë mjekësore.
Personat me çrregullime të shëndetit mendor në konflikt me ligjin trajtohen dhe jetojnë në kushte të rënda në vendin tonë. Kjo jo vetëm për shkak të gjendjes konstante të mbipopullimit në institucionin ku ata akomodohen dhe mungesës të institucionit të posaçëm për trajtimin e tyre, por edhe për shkak të disa faktorëve të tjerë specifik për Shqipërinë, që përfshijnë burime njerëzore të kufizuara, hezitim të profesionistëve për të punuar në këtë sektor, si dhe paragjykimit dhe neglizhencës të komunitetit ndaj këtij kontigjenti.
Pesë vite më parë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), e gjeti Shqipërinë në shkelje të Konventës Europiane së të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Për çështjen “Strazimiri kundër Shqipërisë” Gjykata e Strasburgut vendosi në vitin 2020 se ndaj ankuesit kishte patur shkelje të nenit 3 të KEDNJ (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues), si dhe të neneve 1, 4 dhe 5. Ndër të tjera, në vendimin e dhënë për këtë çështje Gjykata e Strasburgut konstatoi se autoritetet shqiptare kishin dështuar për një kohë të gjatë në krijimin e një institucioni të posaçëm mjekësor për të dënuarit me sëmundje të shëndetit mendor.
Ndërkohë 5 vite më vonë, ende sot Shqipëria nuk ka një institucion të përshtatshëm, me tiparet e një spitali, për këta persona.
Të dhënat zyrtare në shifra
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vazhdimisht ngre alarmin se sëmundjet e shëndetit mendor dhe emocional janë në ngritje progresive. Ndërkohë që të dhënat e zyrtare për personat me çrregullime të shëndetit mendor që kryejnë vepra penale në vendin tonë, theksojnë nevojën për ngritje kapacitetetesh të reja.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPBSH), në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (I.E.V.P) Lezhë, në 5 vitet e fundit janë trajtuar:
- Në vitin 2021 – 328 shtetas me masë mjekësore;
- në vitin 2022 – 381 shtetas me masë mjekësore;
- në vitin 2023 – 430 shtetas me masë mjekësore;
- në vitin 2024 – 442 shtetas me masë mjekësore; dhe
- deri në Maj të vitit 2025 janë trajtuar 458 shtetas me masë mjekësore, prej të cilëve 303 me masë mjekësore “mjekim i detyruar” dhe 155 me masë mjekësore “shtrim i përkohshëm”, dhe 110 prej tyre recidivistë.
Ndërkohë që nga të dhënat e fundit në këtë institucion rezultojnë të akomoduar 461 shtetas, ose 147% mbi kapacitetin zyrëtar të kapacitetit prej 186 personash që është parashikuar të akomodojë ky institucion.
Në Qendrën Spitalore të Burgjeve (QSB), ku akomodohen shtetaset gra me vendim gjykate me “masë mjekësore”, në 5 vitet e fundit janë trajtuar këto shtetase:
- Në vitin 2021 – 28 shtetase me masë mjekësore;
- në vitin 2022 – 25 shtetase me masë mjekësore;
- në vitin 2023 – 25 shtetase me masë mjekësore;
- në vitin 2024 – 35 shtetase me masë mjekësore; dhe
- deri në Maj të vitit 2025 – 38 shtetase me masë mjekësore.
Gjatë këtij viti janë shtruar në QSB 16 shtetas me masë mjekësore me vendim gjykate, expertim psikiatriko-ligjor dhe për probleme shëndetësore.
Të burgosurit me probleme të shëndetit mendor gjenden të akomoduar në të gjitha IEVP-të e vendit. Ata gjenden edhe në spitale psikiatrike, si në rastin e shërbimit të shëndetit mendor me shtretër në Shkodër, ku ndodhen prej vitesh 3 pacientë me masë mjekësore nga gjykata “mjekim i detyruar spitalor.
Ndërkohë, nga informacionet e ardhura nga disa prej Prokurorive të rretheve të Juridiksionit të Përgjithshem lidhur me masat mjekësore, rezulton se vepra penale që këta shtetas kryejnë më së shumti është “Dhunë në familje.
Duke ju referuar shifrave nga viti në vit, apo edhe nga muaji në muaj, shihet një rritje e numrit të personave që dërgohen në I.E.V.P Lezhë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nëpërmjet një komunikate elektronike konfirmon si problematikë shqetësuese shtimin e rasteve me masë mjekësore.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) një organizatë monitoruese e sistemit të burgjeve, raporton një shtim të personave me çrregullime të shëndetit mendor, jo vetëm në Shënkoll, por edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit.
“Gjatë viteve të fundit edhe nëpër këto institucione vihet re një rritje e personave që kanë çrregullime të shëndetit mendor, flas këtu për ankthin, depresjonin që me kalimin e kohës dhe me mbajtjen e tyre mbyllur në një institucion, situata ndonjëherë mund edhe të agravojë dhe ka patur raste që këta persona i kanë dhënë edhe fund jetës.”, thotë Nosiana Burnazi, nga KSHH.
Sistemi i burgjeve – Gjendja e raportuar ndër vite
Neni 46 i Kodit Penal “Masat mjekësore dhe edukuese”, parashikon se masat mjekësore mund të jepen nga gjykata pas ekspertizës mjeko-ligjore psikiatrike, ndaj personave të papërgjegjshem që kanë kryer vepër penale. Për secilin rast, gjykata ka detyrimin të rivlerësojë çdo vit masën e caktuar në dhënien e vendimit.
Sipas Ahmet Prençit, drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, nën ombrellën e Avokatit të Popullit, si pasojë e mungesës së gjyqtarëve, ky detyrim nuk është përmbushur.
“Ka pas një problem për zvarritjet që bëheshin për kontrollin mjekësor të tyre që bëhet në mënyrë permanente çdo vit, por ky problem ishte vitin e kaluar. Me reformën që u bë, tani po zbatohet korrektësisht kjo procedurë për vlerësimin e tyre nëpërmjet institutit të psikiatrisë ligjore dhe gjykatave që marrin vendimet permanente për këto persona.”, tha Prençi.
Nga monitorimet e herëpashershme në I.E.V.P-të në vend, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, vlerëson se ka një problematikë në trajtimin mjekësor të personalizuar të personave që akomodohen në këto institucione.
“Nga monitorimet që ne kemi zhvilluar, kemi konstatuar që në shumicën e rasteve ndjekja mjekësore zhvillohet mbi bazën e kërkesës së personit, duke bërë kështu që trajtimi mjekësor të mos jetë sistematik dhe periodik, por të jetë i veçantë vetëm kur shtetasi referon një ankesë apo paraqet një shqetësim të caktuar mjekësor.”, thotë Nosiana Burnazi.
Në vitin 2023 Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka monitoruar tre raste të humbjes së jetës të shtetasve të privuar nga liria, një prej të cilëve vetëvrasje.
Në të trija këto raste, problematikë mbetet mungesa e monitorimit periodik të gjendjes shëndetësore nga ana e stafit mjekësor, dhe ndjekjes së menjëhershme të shqetësimeve të shfaqura nga të burgosurit.
“Trajtimi i shtetasit Q.H., i cili i dha fund jetës në muajin shtator 2023 në ambientet e I.E.V.P Lezhë ndërkohë që ekzekutonte dënimin e konvertuar ndaj tij me masë mjekësore, nxori në pah një ndjekje shëndetësore jo sistematike nga ana e personelit mjekësor. Trajtimi i ofruar ndaj tij në masë farmakologjike, ishte shoqëruar me aktivitete të kufizuara rekreative, sipas kërkesës dhe dëshirës së tij.”, raportohet nga KSHH.
“Paralelisht, mospërfshirja e stafit institucional me uniformë në trajnime për mirë-menaxhimin e rasteve të urgjencave, siç janë edhe vetëvrasjet, nuk i ka shërbyer neutralizimit dhe as reduktimit të pasojave psikologjike për vetë ata.”, vazhdon më tej raporti.
Rreth 1 muaj më vonë, KSHH verifikoi në IEVP Drenovë (Korçë), ankesën e të burgosurit të diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor, I.J., që pretendoi masë të padrejtë të vendosjes në sektorin e mbikëqyrjes së veçantë, pasi pretendonte se ishte mbajtur prej afro 6 ditësh nën ushtrimin e forcës dhe neutralizimin me pranga nga ana e stafit institucional. Vëzhguesit e KSHH-së raportuan se vendimi i marrë ndaj të burgosurit ishte arbitrar dhe i kundërligjshëm, pasi autoritetet e burgut kishin dështuar në argumentimin e nevojës për vendosjen e kësaj mase kundrejt rrezikut që mund t’i shkaktonte vetes apo të tjerëve i dënuari.
Ndërkohë, përdorimi i prangave dhe lidhja me zinxhirë, të konfirmuara nga dëshmitë e bashkëvuajtësve të tjerë dhe përfaqësuesve të stafit, ishte i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndëkombëtare të CPT-së (Komiteti për Parandalimin e Torturës) dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së.
Një problematikë konstante në sistemin e burgjeve, janë mungesat dhe pamjaftueshmëritë si të stafit të specializuar mjekësor, edhe atij psikosocial, sidomos në I.E.V.P Lezhë ku ka vazhdimisht vakanca. Sipas KSHH numri i punonjësve psikosocial të punësuar në krahasim me numrin e shtetasve të akomoduar në institucion, vë në dyshim efektivitetin e trajtimit që ata marrin në institucion.
“Nga verifikimi i dokumentacionit që ne kryejmë në momentin e zhvillimit të monitorimeve, për trajtimin psikosocial ka rezultuar që dokumentacioni shpesh herë është plotësuar në mënyrë formale, me shprehje që i kemi gjetur në disa dosje të disa shtetasve.”, thotë Burnazi.
Gjithashtu, shihet një interes i ulët i mjekëve për t’u punësuar në këto institucione. Sipas Ahmet Prençit dhe Nosiana Burnazit, nevojiten mekanizma favorizues për këta profesionistë, në mënyrë që të rritet interesi i tyre për të punuar në sistemin e burgjeve dhe me këtë kategori personash.
Në një pikëpamje sociale, sociologu Gëzim Tushi vlerëson se vështirësia me të cilën përballen punonjësit psikosocial, psikologët dhe psikiatrët që punojnë në këto institucione, duhet të shoqërohet me politika favorizuese financiare.
“Për psikologët, psikiatrët, apo figura të tjera që punojnë në institucione të tilla të ndëshkimit, duhet të ketë diferencim në paga në mënyrë që ata të motivohen.”, shprehet Tushi.
Brenda burgut të Shënkollit
Në momentin e hyrjes në institucionin, të burgosurit-pacientë të burgut të Shënkollit ndodheshin në dhomat e tyre. Në këto dhoma të parashikuara për të akomoduar 3 persona, ata qëndrojnë nga 9, 10, apo edhe 12. Njëri pas tjetrit, këta burra zgjasin duart përtej hekurave të dyerve për të marrë tasat me ushqim që stafi po i shperndan në të gjitha dhomat, që më pas do ta hajnë të ulur në shtretërit e tyre.

Drejtori i këtij institucioni, z. Valentin Macaj, i cili na shoqëroi gjatë vizitës tonë, komentoi se kjo mënyrë e të ushqyerit, jo vetëm që ndikon negativisht në shëndetin mendor të këtyre personave, por krijon vështirësi edhe për pastrimin e ambjenteve. Për këtë, z. Macaj tregoi se po punohej për të ndërtuar një mensë, me ndihmën e një investitori të huaj.
Ajo që vërehet në të gjitha ambjentet e brendshme, duke përfshirë edhe dhomat, është prania e lagështisë në mure. Në dy godinat ku akomodohen 461 shtetas, të ndërtuara në vitin 1985 për të shërbyer si kampe pune, dhe të rikonstruktuara në vitin 2020 për të pritur të burgosurit e Zaharisë, janë rishfaqur simptomat e ndërtesave të vjetra e të amortizuara. Përpos këtyre dy godinave, në territorin e këtij institucioni ndodhen edhe 3 godina të tjera të cilat janë jashtë funksionit që prej tërmetit të vitit 2019.
Rikonstruksioni duket se ka prekur kryesisht pjesën ku ndodhen dhomat. Kuzhina dhe magazina ushqimore japin përshtypjen se në këtë pjesë të ndërtesës nuk është vënë kurrë dorë, ndërkohë që pllakat e vjetra e vende-vende të thyera, janë të tilla në të gjitha ambjentet.
“Ne nuk bëjmë mure”, thotë drejtori i institucionit z. Macaj, duke theksuar që përpos funksionimit të brendshëm dhe shërbimit optimal, përgjegjësitë e tjera i takojnë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Institutit të Ndërtimit. Ky i fundit ka bërë vlerësimin e ndërtesave dhe parashikohet të bëhet rikonstruktimi dhe ngritja godina të reja, pas shembjes së atyre që janë jashtë funksionit.
Mbarëvajtja e institucionit cënohet nga faktorë të natyrave të ndryshme. Macaj përshkruan disa prej peripecive më të rënda me të cilat përballet, dhe mënyrat me të cilat përpiqet t’i përballojë dhe minimizojë ato.
122 prej shtetasve të akomoduar aty janë të braktisur dhe për nevojat e tyre, që nga veshmbathjet, përgjigjet institucioni i cili siguron ato përmes ndihmave të komuniteteve të ndryshme fetare.
Sipas drejtorit, një problem tjetër është ai i ngrohjes së ambjenteve. Firma që ka montuar shtretërit me vida në tokë ka shpëputur tubat e kaldajës për ngrohje sepse ka punuar pa hartë të instalimeve. Për këtë Macaj thotë se po merret vetë me riparimet.
Aktualisht I.E.V.P Lezhë mungojnë 3 mjekë psikiatër, ndërsa mjeku stomatolog dhe tre mjekë (2 mjekë të përgjithshëm dhe 1 mjek psikiatër) me kohë të pjesshme janë emëruar në qershor 2025. Drejtori Macaj konfirmon shqetësimin se si mjekët dhe infermierët, ashtu edhe punonjësit civil, refuzojnë të shkojnë për të punuar në këtë institucion.
Gjatë vizitës në institucion na bëhet me dije se janë 3 mjete ambulancë në gjendje pune, ndërkohë që pritej të sigurohej një autoambulancë e re nga Drejtoria e Përgjithshme. Gjithashtu, një fondacion i shqiptarëve ne Belgjikë po mblidhte fondet për të sjellë një tjetër ambulancë të kompletuar.
Nga monitorimi i fundit i realizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, rezulton se nga 5 ambulancat që ka në total I.E.V.P Lezhë, 3 prej tyre nuk janë në gjendje pune, dhe dy të tjerat kanë defekte të shumta.

Gjatë bisedës me drejtorin e institucionit, z. Macaj shprehet se për qytetarët që akomodohen në këtë institucion ka paragjykim dhe neglizhencë nga ana e stafeve spitalore që i presin jashtë institucionit.
“Mjekët i trajtojnë si persona të dorës së tretë.”, thotë Macaj duke kujtuar një rast të humbjes së jetës të një prej personave që ndodhej aty, i cili ka mbërritur në urgjencë me shenja jete, dhe ka humbur jetën më vonë.
Mbrëmjen e 3 shkurtit 2025, 49-vjeçari Daut Laze, i dënuar me mjekim të detyruar, arriti të arratisej nga duke kapërcyer murin e burgut të Shënkollit. Mungesa e tij u vu re vetëm të nesërmen në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit.
Duke kujtuar këtë rast, drejtori i institucionit, z. Macaj, shprehet se ky person nuk duhet të ishte në I.E.V.P Shënkoll, ndaj arriti të arratisej sepse formati i institucionit është i tillë; me dyer të hapura.
Macaj thotë se institucioni që ai drejton vuan nga ngarkesa të panevojshme, duke u sjellë aty me vendim gjykate shtetas jashtë kategorisë të personave me çrregullime mendorë që akomodon institucioni.
Prania e organizatave, fondacioneve dhe komuniteteve të ndryshme fetare kanë sjellë përmirësime të ndjeshme të situatës në institucion. Këta kontribuojnë me ndihma, investime, organizime aktivitetesh të ndryshme, dhe terapi me anë të muzikës, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes emocionale të të burgosurve-pacientë.
Drejtori i institucionit tashmë të riemërtuar si Institucion Mjekësor i Posaçëm, vlerëson si pozitive disa përmirësime që kanë ardhur ndër vite, si dyfishimi i pagave të stafit në krahasim me vitin 2013, pajisjen me uniforma të reja, dhe mbulimi i kostove për transportin e tyre.
Jo rrallë herë në këto institucione progresi vjen si pasojë e nismave të ndërmarra nga drejtuesit dhe stafi, të cilët përpiqen të bëjnë më të mirën me ato mundësi që kanë. I tillë është edhe rasti i z. Valentin Macaj, i cili në vizionin e tij për të ardhmen e institucionit që drejton, synon krijimin e një qendre spitalore të realizuar totalisht me donacione.
“Aktualisht kemi infermjeri dhe mjekë 24 orë, por duam të krijojmë një mini spital, gjë që do të kursente burime njerëzore dhe do te hapte vende të reja pune për zonën.”, thotë Macaj.
Marrëveshje e pazbatuar
Më 23.11.2021, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë të Drejtësisë, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit “Për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor me masë mjekësore”. Kjo marrëveshje rezulton se është zbatuar në mënyrë të njëanshme vetëm nga ana e Drejtorisë të Përgjithshme të Burgjeve. Marrëveshja efektivisht vijon të mos zbatohet, pasi shtetasit me masë mjekësore vijojnë të akomodohen në një institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë për shkak të mosfunksionimit të një Institucioni të Posaçëm Mjekësor, në shkelje të vetë angazhimeve të marra përsipër në Marrëveshje, ku në Planin e Përbashkët të veprimit ishte parashikuar që funksionimi dhe transferimi i pacientëve të akomoduar në I.E.V.P Lezhë drejt Institucionit te Posaçëm Mjekësor në varësi të Ministrisë së Shëdetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të ishte realizuar që në vitin 2023.
Vitin që lamë pas, me urdhër të Kryeministrit, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë ka ndryshuar emërtimin në Institucion Mjekësor i Posaçëm. Kalimi “de facto” në një institucion që përkon me emërtimin e ri do të nënkuptonte ekzistencën e një qendre me tiparet e një spitali, një institucioni shëndetësor ku vetëm perimetri i jashtëm do të ruhej nga forcat e sigurisë të Drejtorisë të Burgjeve.
Avokati i Popullit nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar, ka tërhequr në mënyrë të përsëritur vëmendjen e institucioneve qëndrore, për ngritjen sa më parë të Institucionit të Posaçëm Mjekësor në varësinë e MSHMS.
“Ne jemi në hapa e integrimit Europian dhe të gjitha institucionet janë të monitoruara për këtë çështje. Kështu që ky problem duhet të marrë zgjidhje patjetër edhe në kuadrin e integrimit se nuk mund të pranohet një burg për këtë kategori personash, kur standarti e kërkon që ai duhet të jetë spital.”, thotë Ahmet Prençi.
Përsa i përket kësaj plage sociale dhe institucionale, psikiatri Neli Demi kujton se ky është një problem i mbartur prej më shumë së 2 dekadash.
“Unë jam marrë personalisht me një gjë të tillë në vitin 2003-2004, dhe akoma nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare. Di që ka plane, po plane ka patur që atëherë që unë punoja për OBSH, në fillimin e viteve 2000, dhe planet asnjëherë nuk janë një siguri që do realizohen.”, thotë Demi.
Në Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, Ministria e Drejtësisë së bashku me MSHMS dhe DPB, planifikojnë sigurimin e burimeve të nevojshme për ngritjen dhe funksionimin e Institucionit të Posaçëm Mjekësor për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor me masë mjekësore.
/ Vivian Mançellari / ACQJ – Albanian Center for Quality Journalism