Në nëntor të vitit të kaluar, një anije blu dhe e bardhë u nis nga një hyrje e fshehtë në Gadishullin Kola të Rusisë për një udhëtim tre mujor. Anija, që dukej si një anije civile, lundroi rreth Norvegjisë, poshtë Kanalit Anglez dhe në Detin Irlandez, para se të kthehej në Mesdhe dhe të drejtohej drejt Suezit.
Por, ky nuk ishte një udhëtim relaksi përgjatë bregdetit Atlantik të Europës: anija spiune ushtarake e Moskës, Yantar, e pajisur me një arsenal të plotë pajisjesh survejimi, ishte në një mision potencial për të ndërhyrë në kabllot nënujore, në të cilat mbështeten aleatët e NATO-s për aksesin në internet, energji, komunikime ushtarake dhe transaksione financiare.
Ndërsa, Moska po teston reagimet e NATO-s me shkeljet e fundit të hapësirës ajrore në kufijtë lindorë të Europës, operacionet e spiunazhit nënujor të Rusisë, që janë më pak të dukshme, por po aq të guximshme, po shqetësojnë zyrtarët e sigurisë dhe mbrojtjes europiane.
“Yantar është mjeti që Rusia po përdor për të na mbajtur zgjuar”, tha një komandant i lartë i NATO-s më herët këtë vit. “Po ndjek vijat e kabllove dhe tubacioneve, duke bërë ndalesa. Ne po e monitorojmë situatën shumë nga afër”.
Një hetim i Financial Times, që përfshiu intervista me më shumë se një duzinë oficerësh aktualë dhe ish-oficerësh nga vendet e NATO-s, analistë të pavarur detarë dhe një ish-oficer të Flotës Veriore të Rusisë, zbuloi detaje të reja rreth Yantar dhe operacioneve sekrete.
Duke përdorur të dhëna radar të mbledhura nga satelitët e Agjencisë Evropiane të Hapësirës, FT ishte në gjendje të lokalizonte anijen spiune, duke qëndruar mbi kabllo kritike në mes të Detit Irlandez në nëntor, në një moment të udhëtimit, kur anija po përpiqej të fshihte aktivitetet e saj. Yantar është identifikuar gjithashtu mbi kabllot mes Norvegjisë dhe arkipelagut sovran Svalbard — një vend strategjik në Arktik, që ka tërhequr interes të madh rus.
Sipas analizës së FT, ndërsa kapacitetet survejuese të Yantar u ulën menjëherë pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në 2022 — ndoshta për shkak të sanksioneve ose frikës për përshkallëzim me aleatët perëndimorë të Kievit — anija spiune, po rikthehej sërish në aktivitet.
Raportimi hedh dritë të re mbi njësinë ushtarake sekrete që mbikëqyr aktivitetet e anijes — Drejtoria e Hulumtimeve të Thella Detare e Rusisë, e njohur si Glavnoye Upravlenie Glubokovodnikh Issledovanii (GUGI). Operacionet e saj janë kaq të klasifikuara, sa vetëm një grup i vogël hidronautësh rusë janë të informuar për to.
Shumica e 50 anijeve të GUGI-t janë nëndetëse të vogla, disa prej të cilave mund të arrijnë thellësi prej 6,000 metrash, më shumë se 10 herë më tepër se një nëndetëse ushtarake konvencionale. Por ka edhe anije sipërfaqësore, si Yantar, që janë shumë më të lira për t’u operuar në distanca të gjata dhe mund të përdoren si platforma për zhytës.
Në fillim të këtij viti, praninë e Yantar në ujërat britanike e kundërshtoi publikisht sekretari i mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, i cili e përshkroi qëndrimin e saj pranë infrastrukturës kritike nënujore, si një shenjë të “rritjes së agresionit rus” në këtë front.
Por, pas këtij paralajmërimi publik qëndron një model më i gjerë aktiviteti: vlerësimet ushtarake, të cilat FT i ka parë, tregojnë se Yantar ishte njëra nga disa anijet ruse që ndodhej në ujërat britanike për 13 muaj survejimi të vazhdueshëm, rreth nyjeve të infrastrukturës kritike, që nga vjeshta e vitit 2023.
Së bashku, këto incidente tregojnë një ‘ringjallje’ të punës së zbulimit nga GUGI dhe Flota Veriore e Rusisë, ndërsa lufta në Ukrainë po zgjat në një konflikt afatgjatë. “Ka një perceptim që në 2022 dhe 2023, GUGI ishte në pritje”, thotë Sidharth Kaushal, ekspert i sigurisë detare në institutin Royal United Services në Londër.
Gjatë kësaj periudhe, aktiviteti ishte i parregullt. Por ndërsa lufta vazhdonte, rusët kuptuan kufijtë e aleatëve të NATO-s. “Në fund të 2023-s, fillim të 2024-s, Moska po pranonte më shumë rrezikun, nuk po tërhiqte më asetet”, thotë Kaushal.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se GUGI — i cili u sanksionua nga qeveria britanike këtë verë — është në gjendje të kryejë një gamë të plotë operacionesh sekrete kundër kundërshtarëve perëndimorë. Më e mundshmja është aktiviteti sabotues që ndodhet në zonën e ashtuquajtur “gri”.
Por, një hartë e saktë e lidhjeve nënujore të internetit, tubacioneve të energjisë dhe kabllove të komunikimit ushtarak do të ishte gjithashtu një përgatitje thelbësore për ditën e parë të një pushtimi — duke i mundësuar Moskës të ndërpresë furnizimet me energji të armikut ose të shqetësojë përgjigjet emergjente.
Kjo pjesë e detit është bërë një objektiv në zgjerim, ndërsa varësia globale ndaj infrastrukturës nënujore është rritur: 99 për qind e komunikimeve dixhitale të MB-së furnizohen tani përmes kabllove optike nënujore, dhe tubacionet nënujore bartin tre të katërtat e furnizimit total me gaz të vendit.
Veçanërisht të ndjeshme janë kabllot që mbartin të dhëna për Sistemin e Integruar të Mbikëqyrjes Nënujore — një rrjet ushtarak i përbashkët SHBA-Mbretëri e Bashkuar, që monitoron lëvizjen e nëndetëseve armike.
Yantar është i pajisur për të lëshuar anije të vogla nënujore, me krahë manipulatorë, për të prekur kabllot ushtarake dhe të internetit dhe për të kapur informacion nga ato, ose për të vendosur eksplozivë, që mund të shpërthehen më vonë.
Gjithashtu, është e mundur që kundërshtarët të ndërhyjnë me sinjalet e kohës në kabllot nënujore, duke ndryshuar frekuencën e impulseve që kalojnë nëpër to — duke shkaktuar ndërprerje të rënda në industri, që varen nga saktësia kohore, si tregtimi me frekuencë të lartë.
Zyrtarët navalë perëndimorë i thanë FT-së se Yantar mund të identifikojë pika nyjash midis kabllove të shumta, ku ndërprerja do të kishte impakt maksimal.
Kapacitetet e sofistikuara të GUGI-t për zbulim nënujor paraqesin një “kërcënim të rëndësishëm” për rrjetin global të kabllove nënujore, thotë Kapiteni David Fields, ish-marinar i MB-së në Moskë.
“Mendimi ushtarak rus vë theks të madh në goditjen e hershme, të fortë dhe aty ku dhemb, për të parandaluar përshkallëzimin në një luftë të plotë. Ata kanë investuar shumë kohë, para dhe përpjekje në hartimin e infrastrukturës kritike kombëtare të armiqve të tyre, për t’i sulmuar fshehurazi ose hapur”, thotë Fields.
“Kështu, nëse tensionet do të përshkallëzoheshin rrezikshëm, Rusia mund të fikë dritat dhe të ndërpresë energjinë dhe sistemet tona të komunikimit, duke minuar vullnetin politik dhe kohezionin shoqëror, me shpresën për të parandaluar përshkallëzimin në një luftë të vërtetë”.
Çfarë është GUGI, njësia ushtarake ruse
GUGI, njësia ushtarake ruse e njohur si Njësia 40056, u themelua gjatë Luftës së Ftohtë dhe vepron në bazën e fshehtë në Olenya Guba, pranë kufirit me Norvegjinë.
Njësia është përgjegjëse për spiunazh dhe operacione nënujore, duke funksionuar jashtë kontrollit të flotës ruse dhe nën Ministrinë e Mbrojtjes. GUGI mban dhe përdor teknologji për të fshehur nëndetëset nga satelitët dhe përdor mjete të fuqishme për ndërhyrje në GPS dhe komunikime në zonën përreth.
Po ashtu, njësia merret me mbrojtjen e sensorëve nënujore ruse dhe heqjen e pajisjeve të huaja si sonarë. Anëtarët e GUGI, janë shumë të specializuar, me trajnime intensive, si ato të kozmonautëve sovjetikë. Në vitin 2019, një zjarr tragjik në nëndetësen Losharik shkaktoi vdekjen e 14 anëtarëve të njësisë.
Nën drejtimin e Vladimir Grishechkin, GUGI ka vazhduar të rritet, duke investuar në anije të reja spiunazhi si “Yantar”. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, “Yantar” ka kryer misione të ndryshme, duke u fokusuar veçanërisht në ujërat pranë Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku ka shfaqur interes për kabllot nënujore të telekomunikacionit.
Kjo ka nxitur reagime të forta nga Mbretëria e Bashkuar dhe ka ngritur shqetësime për sabotazh rus të infrastrukturës kritike. Ndërsa Irlandës i mungon mbrojtja e plotë ushtarake e NATO-s, vendi paraqet një pikë të dobët për sulme të tilla.
Rritet kërcënimi rus ndaj kabllove nënujore
Kërcënimi rus ndaj kabllove nënujore është një problem i madh për Britaninë, Irlandën dhe aleatët në Evropë.
Proteksioni i kabllove është shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të lihet vetëm te industria, ndërsa investimet në sensorë mbrojtës kërkojnë shpenzime të mëdha.
Një raport i fundit britanik ka treguar shqetësim për mungesën e përgatitjes për sulme të koordinuara të ardhshme ndaj infrastrukturës. Përgjegjësia është e shpërndarë mes disa ministrive britanike, duke krijuar konfuzion dhe vështirësi në menaxhim.
Irlanda ka investuar rreth 60 milionë euro në teknologji sonar për të forcuar sigurinë nënujore. Britania po planifikon krijimin e një rrjeti sensorësh dhe dronësh në det, “Atlantic Bastion”, për mbrojtjen e kabllove dhe nëndetëseve strategjike. Aktualisht, patrullimet me anije lufte dhe avionë mbikëqyrës monitorojnë zonën e veriut të Atlantikut, ku hyn Rusia.
Megjithatë, mungesa e anijeve të specializuara kufizon aftësinë për përgjigje efektive ndaj aktiviteteve të dyshimta ruse. Ekspertët sugjerojnë përdorimin e anijes “Proteus” me automjete autonome, për të mbledhur prova video të operacioneve spiunazhi ruse. Gjenerali Geyn Jenkins paralajmëroi se GUGI po “rilind” dhe rriti kapacitetet e saj, duke përfaqësuar një kërcënim në rritje për sigurinë nënujore evropiane.
Burimi: Financial Times