Nga Boldnews.al
Rreth dy vjet pas ekstradimit “pa bujë”, pronari i kompanisë shqiptare “Porcelanosa”, Nikolin Janina, u paraqit para në gjykatën e Pontevedrës në Spanjë, ku është i akuzuar si anëtar drejtues i një grupi kriminal përgjegjës për trafikimin e të paktën 54 kilogram lëndë narkotike të forta në vendin iberik.
Janina deklaroi para gjykatës se ishte një profesor matematike në Universitetin e Tiranës dhe se ai kishte pasur takime rastësore në Spanjë me një spanjoll dhe një tjetër shqiptar, të cilët janë arrestuar si pjesë e grupit që shpërndante heroinën.
Rasti për të cilin po gjykohet Nikolin Janina i referohet ngjarjeve të ndodhura në vitin 2016.

Në 26 Prill të atij viti, Policia Antidrogë e rajonit të Pontevedra, në Spanjë, shkatërroi një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike. Në bordin e një automjeti “Porche Cayenne”, të drejtuar nga shtetasi shqiptar, i identifikuar si Rinush G., u gjet rreth 54 kilogramë heroinë. Në momentin e operacionit, sasia e heroinës së gjetur u konsiderua më e madhja e kapur për atë vit në të gjithë Europën. Sipas policisë spanjolle, një ndër të përfshirët në këtë episod trafiku ishte edhe shtetasi spanjoll, Castor G.
Policia spanjolle arriti të arrestonte në total 6 persona, të dyshuar si të përfshirë në këtë linjë trafiku nga Europa Qendrore drejt gadishullit iberik. Personi kyç, i konsideruar në mediat spanjolle edhe si “koka e grupit kriminal”, shqiptari Nikolin Janina, i shpëtoi operacionit, pasi në atë kohë gjendej në Shqipëri.
Nikolin Janina deklaroi së fundmi para gjykatës spanjolle se i njihte dy personat, Castor G. Dhe shqiptarin Rinush G. Sipas tij, kontaktet nuk kishin aspak lidhje me trafikun e drogës, por me aktivitetin e tij të ligjshëm tregtar të tregtisë së hidrosanitareve.
Si u zbulua grupi kriminal
“Boldnews.al” ka hulumtuar mbi raportimet e mediave spanjolle mbi arrestimin dhe ecurinë e hetimeve ndaj të ashtëquajturit “grup kriminal me Porche Cayenne”. Grupi u emërtua në mënyrë të tillë pasi përdorte makinat e shtrenjta për trafikimin e heroinës nga vende të ndryshme të Europës drejt Spanjës.
Sipas dokumentave hetimore të Policisë dhe Prokurorisë spanjolle, rezulton se, më 24 shkurt 2016, shqiptari Rinush G. u nis me një Porsche Cayenne nga Barcelona në Gjermani. Më 18 mars ai lëvizi drejt Holandës për të siguruar lëndë narkotike heroinë.
Ajo lëndë narkotike-sipas hetimit-do t’i dorëzohej spanjollit Castor Manugel G.G dhe bashkëshortes së tij, Maria del Carmen C.D. Vendi i dorëzimit ishte caktuar pranë një hoteli në qytetin Tui, ku shqiptari Rinush G. mbërriti më 19 mars.
Por, një ndërhyrje nga Policia Kombëtare Spanjolle prishi qëllimet e bandës, duke sekuestruar drogën e fshehur në një ndarje automjeti. Aty u gjetën 54 pako cilindrike që përmbanin 53 kilogramë e 771 gramë heroinë.

Pas arrestimit në flagrancë të tre personave, Policia spanjolle vijoi operacionin, duke arrestuar edhe tre shtetas të tjerë- shqiptarin Sokol R. i cili konsideroj si përgjegjës për mbajtjen e shumave të parave dhe dy spanjollët e tjerë, Jose R.R dhe Marcos Antonio G.B.
Prokuroria sqaron rolin e Nikolin Janinës
Në dosjen gjyqësore që Prokuroria e Ponteverde paraqiti para Gjykatës së Porrinos jepen të dhëna mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të grupit kriminal.
Prokuroria përshkruan se gjashtë të arrestuarit, së bashku me personin e arratisur (Nikolin Janina), ishin pjesë e “një organizate kriminale”, qëllimi i së cilës ishte “futja në Spanjë dhe më pas shitja mes konsumatorëve” e heroinës.
Sipas prokurorisë, ata kishin “një strukturë hierarkike” me “ndarje rolesh dhe funksionesh”.
Nga njëra anë ishte dega shqiptare, me kryetar Janinën dhe dy anëtarë të tjerë: Sokol R., “përgjegjës për marrjen e dërgesave të rregullta të parave” nga shitja përfundimtare e drogës në provincën e Pontevedra; dhe Rinush G., i cili, sipas prokurorit, ka qenë ai që ka transportuar drogën me makinë nga Evropa Qendrore në Galicia.

Nga ana spanjolle, vlerësohet se personi kyç ishte Castor Manuel.
Funksioni i tij, sipas Prokurorisë, ishte të shpërndante heroinën që rrjeti i dërgoi në provincën e Pontevedras, për të mbledhur më vonë pagesën për drogën nga “shkallët e ulëta” dhe për t’i çuar paratë në Barcelonë, për t’i dorëzuar në “kupolë” të rrjetit.
Gruaja e tij e shoqëronte në takime. Roli i saj ishte gjithashtu të “krijonte një pamje të ligjshmërisë dhe normaliteti” në ato udhëtime dhe takime. Dy të pandehurit e tjerë shpërndanin heroinën “ndër shitësit e fundit me pakicë të substancës”.
Arrestimi dhe ekstradimi
Janina, një biznesmen i fuqishëm në Shqipëri, i cili ka në pronësi kompaninë “Porcelanosa”, u arrestua në Shqipëri, në vitin 2016, në zbatim të një urdhër kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet spanjolle. Por, fillimisht, ai u la i lirë, për shkak të mungesës së një Marrëveshjeje ekstradimi mes Spanjës dhe Shqipërisë.
Në këto kushte, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë që të komunikonte me autoritetet spanjolle, ku t’i njoftonte për pengesën ligjore për ekstradimin e Nikolin Janinës, si edhe për të vlerësuar mundësinë që dosja gjyqësore ndaj bosit të “Porcelanosa-s” të transferohej për gjykim në Shqipëri.
Nëpërmjet komunikimit në rrugë diplomatike, gjykata e Porrinos në Spanjë njoftoi autoritetet shqiptare që nuk mund të kryhej transferimi i dosjes gjyqësore të Nikolin Janinës në Shqipëri, pasi ai po hetohej në Spanjë në kuadër të një grupi kriminal, i përbërë nga të paktën 25 persona.
Për shkak të ngërçit ligjor, çështja e Nikolin Janinës mbeti pezull. Rasti i tij nuk iu përcoll gjykatës për shkak se nuk kishte parashikim ligjor për ekstradimin e tij drejt Spanjës, si edhe dosja hetimore ndaj tij nuk iu dorëzua autoriteteve shqiptare.
Në mars të vitit 2022, Parlamenti ratifikoi Protokollin Shtesë të Konventës për Ekstradimet mes Shqipërisë dhe Spanjës. Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, iu hap rruga ekstradimit të shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas.
Marrëveshja përfshinte ekstradimet edhe të të gjithë personave, për të cilët ishte lëshuar urdhër arresti para hyrjes së saj në fuqi, por që nuk ishte kërkuar dhe nuk kishte pasur më parë procedurë gjyqësore ekstradimi.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, autoritetet spanjolle dorëzuan drejt homologëve të tyre në Tiranë kërkesa për ekstradimin e një numri të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë.
Një ndër këto kërkesa ishte ri-aktivizimi i urdhër-kërkimit ndërkombëtar për efekt ekstradimi për Nikolin Janinën

Ai u arrestua sërish në Maj të vitit 2022, për llogari të autoriteteve spanjolle. Gjykata e Tiranës vendosi fillimisht masën e sigurimit 40-ditor, në pritje të dokumentave të plotë nga Spanja. Masa u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit në fund të Majit 2022.
Ndërkohë, në shtator të atij viti, gjyqtari i Tiranës, Artan Gjermeni, pranoi kërkesën e Nikolin Janinës dhe zbuti masën e sigurimit, duke e vendosur në “arrest shtëpie”. Ky vendim ishte ndër të fundit e Gjermenit, para se ai të jepte dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, në mesin e shtatorit 2022.
Ndërkohë, në gjykatën e Tiranës kishte nisur edhe procesi gjyqësor i themelit, për lejimin e ekstradimit.
Gjykata e kryeqytetit, në Tetor të vitit 2022, vendosi lejimin e ekstradimit të Nikolin Janinës drejt Spanjës, pavarësisht kundërshtive të avokatëve të tij, të cilët pretenduan se kjo çështje ishte shqyrtuar edhe më parë, në episodin e vitit 2016.
Togat e zeza të Tiranës vlerësuan se dosja e Nikolin Janinës nuk ishte shqyrtuar më parë në gjykatë. Referuar të dhënave zyrtare, gjykata konstatoi se vendimi për mos-ekstradimin e Janinës në vitin 2016 ishte një vendimmarrje e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të mungesës së Marrëveshjes, dhe se ai rast nuk kishte kaluar në proces gjyqësor.
Biznesmeni ankimoi vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, në 1 Mars 2023, vendosi të pranonte kërkesën e biznesmenit, duke refuzuar lejimin e ekstradimit të tij.
Për Gjykatën e Apelit ishin të pranueshme argumentat e mbrojtjes, sipas të cilave çështja e ekstradimit të tij ishte shqyrtuar më parë dhe nuk mund të përballej dy herë për të njëjtat fakte penale.
Rasti iu dorëzua Gjykatës së Lartë, në bazë të rekursit të Prokurorisë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në 15 qershor 2023, vendosi përfundimisht për ekstradimin e Nikolin Janinës drejt Spanjës.
Gjithësesi, treshja gjykues e Gjykatës së Lartë nuk kishte qëndrim unison. Dy gjyqtarët në favor të ekstradimit ishin Albana Boksi dhe Medi Bici.

Ndërsa kryesuesi i trupës gjykuese, Ilir Panda, u shpreh kundër ekstradimit të tij. Megjithatë, vota e tij ishte thjesht “statistikës”, pasi vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë ishte lejimi i ekstradimit të Nikolin Janinës.
Pas këtij vendimi, oficerët e Interpol Tirana kanë kryer procedurat dhe e dërguan biznesmenin e “Porcelanosa-s” drejt autoriteteve spanjolle, ku përballet me akuzat e trafikut të narkotikëve.
LEXO EDHE:
Heroinë me Porche Cayenne/ Si u shkatërrua grupi i Nikolin Janinës së “Porcelanosa”
Trafikoi 50 kg heroinë/ Nikolin Janina i “Porcelanosa” ekstradohet “pa zhurmë” në Spanjë