Janë bërë publik emrat e tre personave të arrestuar për vrasjen e 62-vjeçarit turk, Hayati Aroyo, në korrik të këtij viti në Itali. Mes të arrestuarve është edhe shqiptari Elvis Simoni, 33 vjeç, i dyshuar si ekzekutori i krimit.
Sipas mediave italiane, në pranga janë vënë gjithashtu Valentina Peroni, 36 vjeçe, me precedentë penalë për mashtrime, dhe bashkëshorti i saj, Emanuele Paganini, 38 vjeç. Hetimet kanë treguar se viktima u qëllua 30 herë me thikë, ndërsa më pas trupin e dogjën për të fshehur gjurmët.
Krimi dyshohet se lidhej me një video erotike, ku shfaqej Peroni me një person tjetër, xhiruar gjatë një prej festave të mbushura me kokainë që organizoheshin nga Aroyo. Simoni dyshohet se kishte motiv të ndalte përhapjen e videos, edhe pse materiali nuk është gjetur ende nga hetuesit.
Pas ngjarjes, tre të arrestuarit u kthyen në banesat e tyre dhe vazhduan jetën për disa ditë, duke përdorur kartat bankare të viktimës për pagesa në sallat e lojërave të fatit.
Skuadra hetimore e Milanos dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivacionin e krimit.