• Kontakt
Sunday, September 21, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Marrëveshjet e fshehta! Qeveria hap dyert për investitorët izraelitë

08:38 : 21/09/2025
në AKTUALITET, EKONOMI, KRYESORE, POLITIKE

Në dekadën e fundit, ka një tendencë të rritjes së bashkëpunimit shtetëror mes Shqipërisë dhe Izraelit. Afrimi mes dy vendeve po shoqërohet edhe me një interes të shtuar të sektorit privat izraelit për investime në Shqipëri. Prej vitesh mund të perceptohet qartë një rritje e bashkëpunimit shtetëror mes Shqipërisë dhe Izraelit. Rritja e bashkëpunimit dëshmohet nga kontaktet më të shpeshta në nivel shtetëror, të shoqëruara me disa marrëveshje bashkëpunimi dhe me projekte konkrete të përbashkëta.

Së fundmi, interesi izraelit po bëhet më i prekshëm edhe në sektorin privat, me nisma investimi në sektorin financiar, në pasuritë e paluajtshme apo në sektorin e industrisë së lidhur me sigurinë.

“Monitor” iu drejtua me një kërkesë Ambasadës së Izraelit në Tiranë, për një intervistë lidhur me ecurinë dhe perspektivat e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe me potencialet e rritjes së investimeve izraelite në vendin tonë.

Kjo kërkesë nuk mori përgjigje nga ambasadorja izraelite në Shqipëri, Galit Peleg.

Megjithatë, informacionet që vijnë nga tregu tregojnë sinjale të tendencës për rritje të pranisë së kapitalit izraelit në ekonominë shqiptare.

Lexo edhe:

‘Vetëm pak minuta larg Hasit’, reportazh i ‘The Sun’: Fshati shqiptar që po zbrazet nga emigracioni

Keqpërdorimi i fondeve të BE, Parlamenti Europian vë “në lupë” Shqipërinë

Izraelitët duan të ngrenë bankë dixhitale

Këtë vit, investitorë nga Izraeli kanë shfaqur zyrtarisht interesin për të hyrë në sektorin bankar shqiptar.

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur zyrtarisht aplikimi nga një subjekt izraelit i përfaqësuar nga Gal Bar Dea, që deri para pak muajsh mbante detyrën e drejtorit të përgjithshëm të One Zero Digital Bank.

Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtuesit e përzgjedhur lokalë u shprehën se në këtë fazë nuk dëshirojnë të japin asnjë koment rreth detajeve apo objektivave të projektit.

Vlerësohet se modeli që investitorët izraelitë duan të ndërtojnë në Shqipëri është i ngjashëm me bankën dixhitale One Zero Digital Bank.

One Zero është një bankë relativisht e re, e themeluar në vitin 2019, si e para bankë dixhitale në Izrael, por shumë shpejt ka shfaqur plane ambicioze zgjerimi edhe në tregje të tjera, duke përfshirë edhe një projekt të përbashkët për ngritjen e një banke dixhitale në Itali, në bashkëpunim me bankën italiane, Banca Generali.

Megjithatë, mjedisi i pafavorshëm gjeopolitik dhe tensionet e larta në Lindjen e Mesme, kanë bërë që për momentin, banka izraelite t’i pezullojë planet e zgjerimit në tregjet e huaja.

Ish-drejtori i përgjithshëm, Gal Bar Dea, u largua pikërisht për shkak të tërheqjes së One Zero nga strategjia e zgjerimit ndërkombëtar dhe duket se interesi për të hyrë në Shqipëri është pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një model të ngjashëm të bankingut dixhital në vende të tjera, por në mënyrë të pavarur nga One Zero.

Big Shopping Centers do të hyjnë në Shqipëri

Grupi i biznesit nga Izraeli, Big Shopping Centers, do të hyjë në tregun shqiptar, në një ndërmarrje të përbashkët me grupin shqiptar të biznesit BALFIN.

Izraelitët do të bëhen aksionerë në një nga sipërmarrjet më të reja të BALFIN, kompaninë Retail Park Shkodra.

Në muajin qershor, palët njoftuan në Autoritetin e Konkurrencës për krijimin e shoqërisë së përbashkët CEE – BIG – BALFIN Holding Development, një shoqëri investuese, e themeluar sipas legjislacionit të Hungarisë dhe që zotërohet bashkërisht nga BALFIN dhe CEE – BIG, me qëllim zhvillimin, pronësinë dhe administrimin e investimeve në parqe tregtare në Shqipëri.

CEE – BIG B.V. është një shoqëri e regjistruar në Holandë, e themeluar sipas legjislacionit të Holandës dhe përfaqëson degën europiane të grupit izraelit BIG Shopping Centers.

BIG Shopping Centers është një kompani e listuar në bursën e Tel Avivit, me vlerë neto prej afërsisht 3 miliardë eurosh. Grupi është i pranishëm në Europë nëpërmjet BIG Europe dhe filialeve të saj.

Sipas informacionit në faqen e internetit të kompanisë, degët e BIG Europe dhe kompanitë simotra (kryesisht CEE-BIG dhe AFI Properties) zotërojnë dhe menaxhojnë një portofol prej afër 50 projektesh aktive në Europën Qendrore – Lindore (parqe shitjeje me pakicë, qendra tregtare dhe parqe zyrash) dhe 10 ndërtesa të industrisë së lehtë në Francë.

Përveç kësaj, portofoli i CEE përfshin 20 projekte shitjeje me pakicë dhe zyrash në ndërtim e sipër, dhe toka shtesë në fazat e hershme të zhvillimit, duke përfshirë energjinë e rinovueshme.

BIG Europe themeloi selinë e saj të re europiane në verën e vitit 2023, me qëllimin e qartë për të investuar kapital dhe për të rritur kompaninë. Fokusi i saj kryesor do të vazhdojë të jetë në tregjet e Europës Lindore.

Shoqëria objekt i këtij transaksioni, Retail Park Shkodra, ka si objekt aktiviteti parësor zhvillimin dhe dhënien me qira të hapësirave për shitje me pakicë dhe shërbime komerciale në një format të konceptuar si “retail park”.

Parqet do të përbëhen nga njësi komerciale, të cilat do t’u jepen me qira operatorëve të pavarur të shitjes me pakicë, me marrëveshje të posaçme të qirasë.

Retail Park Shkodra u themelua në muajin prill të këtij viti dhe aktualisht ka si aksioner të vetëm grupin BALFIN, deri në finalizimin e transaksionit për kontrollin e përbashkët me CEE – BIG.

Retail Park Shkodra është shoqëria e parë që do të kontrollohet nga CEE – BIG – BALFIN Holding Development Ltd. dhe përfaqëson projektin e parë konkret të zbatuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet BALFIN dhe BIG.

Aksioner nga Izraeli në Timak

Një nga emrat e paktë të njohur të sipërmarrjes izraelite i njohur për aktivitetin e tij në Shqipëri është biznesmeni Ron Yeffet.

Në mesin e këtij viti, ai nënshkroi marrëveshje për blerjen e 49% të aksioneve në kompanitë Timak dhe Timak Special Vehicles, nga biznesmenia shqiptare Arjeta Puca.

Objekti kryesor i aktivitetit të këtyre shoqërive është prodhimi, konvertimi dhe montimi i konstruksioneve metalike dhe plastike për të gjitha llojet e makinerive dhe automjeteve, me qëllim përshtatjen e tyre për përdorime të veçanta, si ato ushtarake, ambulancat, kamionët e zjarrfikësve, automjetet e pastrimit, etj.

Në strukturën e eksporteve shqiptare drejt Izraelit bie në sy një peshë e konsiderueshme e mjeteve të transportit, që mund të jetë tregues i marrëdhënieve ekzistuese të Timak me subjekte në tregun izraelit.

Riaktivizimi i industrisë së produkteve të sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri mund të sjellë perspektiva të reja bashkëpunimi në këtë drejtim. Timak është drejt ngritjes së një shoqërie të përbashkët me kompaninë e sapokrijuar shtetërore të sigurisë dhe mbrojtjes, KAYO.

Investitorë nga Izraeli po interesohen për tregun e pronave

Interesi i investitorëve izraelitë po shtrihet edhe në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Burime nga Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) shprehen për “Monitor” se subjekte nga Izraeli po eksplorojnë tregun shqiptar, me qëllim për të hyrë në tregun e ndërtimit dhe zhvillimit të pronave.

Më konkretisht, subjektet në fjalë janë interesuar për t’u bërë pjesë e projekteve të pasurive të paluajtshme që po zhvillon Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC).

Qeveria shqiptare i ka transferuar AIC disa troje dhe prona shtetërore ekzistuese, me qëllim zhvillimin në sipërfaqen e tyre të projekteve të reja të pasurive të paluajtshme, ku shteti do të jetë aksioner, pikërisht nëpërmjet AIC.

Burimet shprehen se investitorët nga Izraeli kanë shfaqur interes për zhvillimin e pronave me qëllim qiradhënien, sidomos me objekt zyrat dhe akomodimin ekonomik, për shembull për studentët apo për nomadët dixhitalë.

Nga tregu ekzistojnë edhe sinjalizime për investime të shtetasve izraelitë edhe në pasuri të paluajtshme rezidenciale në zonën e Bregdetit.

Megjithatë, NAREA dhe agjencitë imobiliare anëtare nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse ekziston një tendencë e mirëfilltë e investimit të shtetasve izraelitë në pasuri të paluajtshme në vendin tonë.

Ekspertët: Investitorët izraelitë kërkojnë diversifikim në rajone të reja

Për më shumë informacion rreth bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve izraelite në Shqipëri, “Monitor” iu drejtua me një kërkesë për intervistë drejtores së Agjencisë Shqiptare të Zhvillimi të Investimeve (AIDA), Laura Plaku. Kërkesa nuk mori përgjigje prej saj.

Megjithatë, Genti Beqiri, ish-drejtor i AIDA-s, thotë se në dekadën e fundit është parë një afrimitet më i madh mes Shqipërisë dhe Izraelit, jo vetëm në nivel politik, por edhe ekonomik.

“Kujtoj këtu vizitën e Kryeministrit Rama në dhjetor 2015 në Tel Aviv, në të cilën isha pjesë e delegacionit.

Ky interes i shtuar lidhet me faktin që Shqipëria në aspektin politik e kupton rëndësinë dhe peshën e Izraelit, ekspertizën e tyre në shumë sektorë, por edhe ata e shohin vendin tonë si një treg me potencial të pazhvilluar plotësisht, i cili ofron mundësi të reja në një kohë kur investitorët izraelitë kërkojnë diversifikim dhe siguri në rajone të reja.

Përveç kësaj, marrëdhëniet historike dhe miqësore mes dy vendeve krijojnë një klimë besimi, e cila është thelbësore për të nxitur investime afatgjata e gjithashtu ata kërkojnë gjithnjë e më shumë mbështetje shumëdimensionale në Ballkan e Europë”, thotë z. Beqiri.

Sipas tij, çdo rritje e pranisë ekonomike shoqërohet edhe me faktorët gjeopolitikë.

“Për Izraelin, rajoni i Ballkanit përfaqëson një pikë strategjike për zgjerimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në Europë.

Për Shqipërinë, ky bashkëpunim ofron jo vetëm investime të reja, por edhe një lloj sigurie shtesë nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve me një vend me përvojë të gjatë në menaxhimin e sfidave ekonomike dhe sigurimit kombëtar.

Efektet mund të jenë pozitive në shumë drejtime: rritje e standardeve teknologjike, hapje e tregjeve të reja, por edhe një shtim i ndikimit ndërkombëtar të Shqipërisë, nëpërmjet partneriteteve të reja strategjike”, – shprehet ai.

Sipas z. Beqiri, ekzistojnë disa sektorë ku ekspertiza dhe përvoja izraelite mund të përputhen mirë me nevojat dhe potencialet e Shqipërisë.

“Në bujqësi dhe teknologjitë e shërbimit ujësjellës apo rrjeteve vaditës, Izraeli është i njohur për inovacionin dhe efikasitetin, gjë që do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për modernizimin e sektorit agroushqimor të vendit tonë.

Teknologjia e informacionit dhe energjia e rinovueshme janë fusha të tjera ku investitorët izraelitë mund të sjellin vlera të shtuara, si nëpërmjet inovacionit dixhital, ashtu edhe nëpërmjet zgjidhjeve të qëndrueshme energjetike.

Gjithashtu, sektori i telekomunikacionit, sigurisë kibernetike janë padyshim ndër më të avancuarit në botë, për të cilat kemi shumë nevojë sot. Së fundmi, edhe sektori i turizmit dhe i shërbimeve mbështetëse ka hapësirë të madhe për investime, duke pasur parasysh rritjen e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë si destinacion”, – thotë ai.

Investimet izraelite, ende shifra modeste

Pavarësisht interesit në rritje, po të shohim statistikat zyrtare, vlera e investimeve direkte nga Izraeli në Shqipëri ngelet në vlera modeste. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë të këtij viti, stoku i investimeve izraelite kishte vlerën e 6 milionë eurove.

Megjithëse në shifra ende modeste, vlera e investimeve izraelite ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit dhe ka arritur një shifër që deri më sot përfaqëson nivelin më të lartë historik.

Statistikat zyrtare për Investimet e Huaja Direkte, megjithatë, jo gjithmonë japin një ide të saktë lidhur me origjinën e investimeve të huaja. Kriteri sipas të cilit Banka e Shqipërisë e përcakton origjinën e investimit është shteti ku është e regjistruar kompania aksionere.

Por, në investimet ndërkombëtare ekziston një praktikë gjerësisht e përhapur për t’i regjistruar kompanitë kontrolluese të këtyre investimeve offshore (në shtete të tjera). Për këtë qëllim, preferohen shtete që kanë një juridiksion të favorshëm në aspekte të caktuara.

Shembuj të tillë janë lehtësitë fiskale, marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë apo rregullat e konfidencialitetit lidhur me origjinën dhe kontrollin e kapitalit.

Përveç vendeve të vogla (të ashtuquajturat parajsa fiskale), lista e shteteve që preferohen për regjistrimin e kompanive holding që kontrollojnë investimet ndërkombëtare përfshin edhe shtete europiane si Holanda, Zvicra apo në një shkallë më të vogël edhe Qipro.

Një praktikë e tillë është edhe arsyeja kryesore pse Holanda rezulton si një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në Shqipëri, me një stok total investimesh prej më shumë se 2.5 miliardë eurosh.

Edhe për këtë arsye, nuk përjashtohet që vlera e investimeve të kapitalit izraelit në Shqipëri të jetë më e lartë nga sa tregojnë shifrat zyrtare.

39 biznese me aksionerë nga Izraeli

Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT), në fund të vitit të kaluar, në Shqipëri vepronin 39 ndërmarrje me kapital nga Izraeli. Prej tyre, 31 ndërmarrje veprojnë në sektorët e shërbimeve, ndërsa 8 prej tyre në aktivitete prodhuese.

Në vitin 2023, numri i bizneseve aktive me kapital nga Izraeli kishte qenë 41.

Për sa i takon madhësisë së bizneseve, të matur sipas numrit të të punësuarve, në masën dërrmuese, subjektet izraelite janë ndërmarrje të vogla, me një deri në katër të punësuar. Vetëm tre prej tyre janë ndërmarrje të mëdha, me më shumë se 50 të punësuar.

Tregtia e jashtme: dominojnë importet nga Izraeli

Sipas të dhënave nga INSTAT, vitin e kaluar, këmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Izraelit arritën vlerën 5.24 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.

Këmbimet tregtare historikisht kanë qenë të dominuara nga importet nga Izraeli drejt Shqipërisë. Vitin e kaluar, ato arritën vlerën e 4.85 miliardë lekëve, në rritje me 12.2% krahasuar me një vit më parë.

Importet nga Izraeli kanë shënuar një tendencë në rritje pas vitit pandemik 2020, por pa arritur nivelet më të larta historike, të periudhës 2018 – 2019.

Ndërkohë, eksportet shqiptare drejt Izraelit për vitin 2024 kishin vlerën e 386 milionë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse ende kanë një vlerë të vogël në raport me importet, eksportet drejt Izraelit vitin e kaluar arritën shifrën më të lartë historike.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e Shqipërisë prej Izraelit konsistojnë kryesisht në produkte të grupit “makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, me 41% të totalit, “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 31% të totalit dhe “materiale ndërtimi dhe metale”, me 20% të totalit.

Në nivel më të detajuar, sipas kapitujve kryesorë statistikorë, importet nga Izraeli dominohen nga tre grupe kryesore produktesh, që së bashku përbëjnë afërsisht 90% të totalit: makineri dhe pajisjet elektrike dhe pjesët e tyre, me 39% të vlerës totale, lëndët djegëse minerale, me 31% të totalit dhe giza e çeliku, me 20%.

Edhe struktura e eksporteve nga Shqipëria drejt Izraelit kryesohet nga grupi “makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, me 34%, i ndjekur nga “ushqime, pije, duhan”, me 26%, “materiale ndërtimi dhe metale”, me 12%, “produkte kimike dhe plastike”, me 14% dhe “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 10%.

Megjithëse në vlerë më të vogël, struktura e eksporteve shqiptare drejt Izraelit paraqitet më e diversifikuar.

Peshën kryesore në eksporte gjatë vitit 2024 e zinte grupi “përgatitjet prej drithërave, miellit, niseshtesë apo qumështit”, me 23% të totalit, i ndjekur nga “mjetet e transportit”, me 17% të totalit, “makineri dhe pajisjet elektrike dhe pjesët e tyre”, me 16%, “artikujt prej gize dhe çeliku” dhe “kimikatet inorganike, përbërje organike”, secila me 11% të totalit.

Turizmi nga Izraeli ngelet në nivele modeste

Sidomos pas vitit 2020, Shqipëria ka përjetuar një rritje të shpejtë të numrit të turistëve të huaj. Rritja e turizmit ka qenë ndër sektorët që janë bërë objekt i nismave të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Vitin e kaluar, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Izrael, nën sloganin “Albania All Senses”, organizuan edhe një takim promovues në Izrael me operatorë turistikë të këtij vendi.

Megjithatë, deri tani, duket se turizmi nga Izraeli në vendin tonë ngelet në shifra modeste.

I vetmi informacion statistikor për turizmin, i detajuar sipas shtetit të origjinës, është ai për hyrjet e shtetasve të huaj.

Sipas INSTAT, vitin e kaluar u regjistruan 10504 hyrje të shtetasve nga Izraeli në Shqipëri. Numri i tyre pësoi rënie me 22% krahasuar me vitin 2023.

Niveli më i lartë i hyrjeve të shtetasve izraelitë në Shqipëri u regjistrua në vitin 2019, me pothuajse 20 mijë të tilla.

Pas pandemisë, numri i vizitave të shtetasve nga Izraeli është rritur gradualisht dhe ka arritur nivele pesëshifrore në periudhën 2023-2024, por mbetet ende larg shifrës së shënuar në vitin 2019./Monitor.al

 

 

Etiketa: bankë dixhitaleimporteinvestitorë izraelitëmarrveshjeShqiperiaturizmi

Lajme të lidhura

AKTUALITET

‘Vetëm pak minuta larg Hasit’, reportazh i ‘The Sun’: Fshati shqiptar që po zbrazet nga emigracioni

09:21 : 21/09/2025
AKTUALITET

Keqpërdorimi i fondeve të BE, Parlamenti Europian vë “në lupë” Shqipërinë

08:15 : 19/09/2025
AKTUALITET

“Rama nis mandatin e katërt”/ Reuters: Imazhi i Shqipërisë i dëmtuar nga skandalet e korrupsionit

20:02 : 18/09/2025
BOTA

VIDEO/ Trump “e bën rrugë”, ngatërron sërish Shqipërinë me Armeninë: Zgjidha luftën mes tyre!

17:37 : 18/09/2025
AKTUALITET

Shqipëria boshatiset nga mjekët, çdo vit largohet një brez i sapodiplomuar

08:20 : 18/09/2025
AKTUALITET

“Shqipëria vendi më i sigurt”/ Rama kritikon Britaninë në Bruzh: Ata kanë probleme me kriminalitetin

20:48 : 16/09/2025
Para

Këmbimi valutor 21 shtator 2025, çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja

TË GJITHA

EMRI/ Arrestohet 35-vjeçari në Tiranë, i gjendet a*më, municion dhe kok*inë

10:34 : 21/09/2025

Shiste kok*inë, arrestohet 34-vjeçari në Korçë

10:18 : 21/09/2025

Britania e Madhe pritet të njohë sot zyrtarisht Palestinën

10:04 : 21/09/2025

Ra në kontakt me energjinë elektrike, ndërron jetë në vend 47-vjeçari në Shkodër

09:52 : 21/09/2025

Zjarri në Gramsh, era e fortë vështirëson shuarjen e flakëve

09:45 : 21/09/2025

Zjarr i madh në pyjet e Baldushkut, digjen ullinj shekullorë

09:31 : 21/09/2025

‘Vetëm pak minuta larg Hasit’, reportazh i ‘The Sun’: Fshati shqiptar që po zbrazet nga emigracioni

09:21 : 21/09/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com